E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlorë, qeveria akordon 23.7 milionë lekë për rrugën hyrëse të Nartës



Qeveria ka akorduar 23.7 milionë lekë për projektin e rikonstruksionit të rrugës në hyrje të fshatit Nartë, 7 kilometra në veriperëndim të qytetit të Vlorës. Puna për zbatimin e projektit pritet të nisë në javët në vazhdim dhe të përfundojë brenda tre muajsh. Po ashtu, është në proces edhe projekti i rikonstruksionit të ujësjellësit të fshatit Nartë, me një vlerë prej 10.7 milionë lekësh, që financohet nga fondet e qeverisë shqiptare dhe do të mundësojë furnizimin e pandërprerë të fshatit me ujë të pijshëm. Rruga aktuale, megjithëse e asfaltuar në rreth 80 për qind të gjatësisë, vlerësohet "jofunksionale", për shkak të ngushtësisë së saj (është vetëm 3.5 metra e gjerë) dhe mungesës së trotuareve. Vetëm gjatë këtij viti, komuna ka financuar me 19 milionë lekë katër projekte në infrastrukturë, ndërsa 8 milionë lekë të tjera parashikohen për tre projekte që janë në proces dhe pritet të përfundojnë brenda këtij viti. Kryetari i komunës Qendër, ku përfshihet ky fshat, Fredo Berberi, tha se projekti parashikon dyfishimin e gjerësisë së këtij segmenti rrugor, sistemimin, asfaltimin, ndriçimin, ndërtimin e trotuareve që aktualisht mungojnë, etj. Sipas Berberit, rruga, me gjatësi rreth 500 metra, me asfalt të amortizuar, është mjaft e rëndësishme për fshatin Nartë dhe intensiteti i lëvizjes së automjeteve aty është rritur mjaft. Ai thotë se kjo rrugë shfrytëzohet çdo ditë edhe nga qindra qytetarë vlonjatë dhe nga rrethe të tjera të vendit, veç të tjerash edhe për shkak të lokaleve të shumta që janë ngritur këtu vitet e fundit. Fshati Nartë është një nga 12 fshatrat e komunës Qendër, ku përfshihen edhe Panajaja, Kanina, Babica e Madhe dhe Babica e Vogël, Bestrova, Zvërneci, Kërkova, Sherrishta, Xhyherina, Alikoka, Oshëtima, të gjithë me një rreze maksimale 10 kilometra larg qytetit të Vlorës.

14 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›