Dukarme: Deputetët në grevë urie? Në Evropë nuk do të ndodhte kurrë
Një odise e vështirë ka ndodhur dje me një delegacion parlamentar evropian, i cili ka dashur të takojë deputetët grevistë, por nuk janë lënë në fillim nga Garda e Republikës. Vetëm pas disa orësh, deputeti belg, Denis Dukarme, ka mundur të vizitojë deputetët dhe më pas të shprehë shqetësimin e tij për çështjen e demokracisë në Shqipëri. Një delegacion i Brukselit kanë mbërritur në Shqipëri posaçërisht të posaçme për të vizituar deputetët shqiptarë që ndodhen në grevë urie. Delegacioni, i kryesuar nga deputeti liberal belg, Denis Dukarme, si dhe nga Klod Monike, presidenti i Qendrës Strategjike Evropiane për Inteligjencën dhe Sigurinë, në mesditë kanë qenë para ambienteve të Kuvendit të Shqipërisë, në sallën kryesore të të cilit ndodhen deputetët shqiptarë në grevë urie. Por, ndërsa ata kanë tentuar të hyjnë në ambientet e Kuvendit, ushtarët e Gardës i kanë ndaluar ata, duke mos i lejuar të hyjnë në sallën ku ndodhen deputetët. Ata kanë kërkuar sqarime përreth 30 minuta nga punonjësit e Gardës, por sërish nuk janë lejuar të hyjnë, ndonëse kërkesa për futjen e tyre në parlament ishte bërë që në mëngjes në mënyrë zyrtare. Të irrituar dhe të çuditur për këtë censurë dhe mungesë demokracie, siç deklaruan vetë, ata janë larguar. Më pas, deputeti belg, Dukarme, ka dhënë një prononcim për mediat, ku ka theksuar se "në Evropë, media ka folur shumë për këtë ngjarje që ka ndodhur në Shqipëri, në lidhje me grevën e urisë së parlamentarëve, prandaj dhe unë kam bërë këtë udhëtim të gjatë për të takuar kolegët e mi parlamentarë, për të diskutuar rreth këtij problemi të komplikuar tashmë. Nuk është thelbi i problemit që unë të përfshihem në çështje të brendshme të Shqipërisë. Është thjesht një interesim i ligjshëm i një parlamentari evropian, që ka ardhur në Tiranë, për të diskutuar këtë çështje me ta dhe për të kontribuar në zgjidhjen e situatës. E gjeta si detyrim moral që të vij dhe të pyes, pse parlamentarët shqiptarë kanë hyrë në grevë. Greva e urisë e parlamentarëve shqiptarë është diçka e pazakontë dhe krijon vërtet shqetësim te ne". Ndërkaq, duke komentuar thelbin e çështjes që i detyroi deputetët të hyjnë në grevë urie, parlamentari belg theksoi se, "ndoshta nuk do të ndodhte asnjëherë në Evropën Perëndimore, sepse, nëse ne do të përballeshim me një precedent të tillë, do të ishte zgjidhur nga konsensusi i përbashkët mes palëve, nga negociatat mes partive politike, që fatkeqësisht duket se ky nuk është rasti për Shqipërinë. Edhe kjo çështje duhet të ishte zgjidhur me gjithëpërfshirje, që deputetët të mos kishin nevojë të hynin në grevë urie. Nuk kam ndonjë këshillë konkrete për Shqipërinë dhe kolegët shqiptarë. Por, gjithsesi, ky është një test për demokracinë në Shqipëri. Unë nuk kam ardhur me qëllimin për të mbështetur përfaqësuesit e njërës parti apo tjetrës në këtë proces, por për t‘u informuar dhe për të futur këtë çështje në axhendën e Parlamentit Evropian. Unë jam liberal, i qendrës së djathtë. Parlamentarët që janë në grevë urie janë të një spektri të gjerë, LSI, PDK dhe partive të tjera. Jo gjithsecili ka të njëjtën ndjeshmëri politike. Jam këtu për të kuptuar dhe mbrojtur demokracinë. Evropa është e interesuar të dijë se çfarë po ndodh në Shqipëri, sepse një ditë, ose një tjetër, Shqipëria do të futet në Bashkimin Evropian. Është e rëndësishme për ne që të kuptojmë çdo gjë që po ndodh në Shqipëri dhe në ç‘fazë është tranzicioni drejt BE apo drejt Evropës".