E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blerja e helikopterëve nga Eurocopter, miratohet projektligji

Autori i Lajmit: Redaksia

Komisioni Parlamentar i Sigurisë Kombëtare miratoi dje me shumicë votash blerjen e pesë helikopterëve nga Eurocopter për llogari të qeverisë shqiptare. Blerja e këtyre helikopterëve do të kushtojë plot 78 milionë euro. Në relacionin e kontratës, qeveria argumenton se me rritjen e buxhetit për ushtrinë deri në 2 për qind të PBB-së, ekzistojnë fondet që të blihet kjo infrastrukturë ushtarake, e cila do të jetë bashkëkohore. Me këta 5 helikopterë, Shqipëria, ndoshta, do të ketë për herë një parë një flotë ajrore kompetitive. Blerja e këtyre helikopterëve ka kaluar në një proces të gjatë diskutimi dhe analize për një periudhë 2-vjeçare. Projekti i bërë publik edhe nga kryeministri Sali Berisha para pak kohësh, u mbështet nga deputetët dhe specialistët e Ministrisë së Mbrojtjes me argumentin se ai përbën një detyrim të Aleancës së Atlantikut ku Shqipëria aderon me të drejta të plota. “Blerja është bërë për forcat paqeruajtëse dhe parashikohet si një detyrim i NATO-s. Por helikopterët, duhen edhe për emergjenca civile”, - ka pohuar lidhur me një fakt të tillë ministri i Mbrojtjes, Arben Imami. Në këtë mënyrë, ai ka dalë në mbrojtje të blerjes së helikopterëve nga pala shqiptare prej firmës Eurokopter, fakt ky që është kundërshtuar nga opozita, duke e cilësuar si një blerje të shtrenjtë për buxhetin e shtetit. Imami sqaroi gjithashtu se marrëveshja është e qartë dhe transparente dhe kushdo mund të informohet për të. Kryeministri Berisha para pak kohësh, i pyetur nga gazetarët, ka bërë me dije se është e vërtetë që është bërë një tender për blerjen e helikopterëve. “Tenderi është kryer në përputhje më të gjitha rregullat dhe ligjet e Shqipërisë dhe këtë tender e ka fituar një konsorcium franko-gjerman, ndër më të mëdhenjtë në Evropë dhe në botë që ndërton Air Bus, Eurocopter”,- ka deklaruar Berisha në fjalën e tij. Në garë për blerjen e këtyre helikopterëve ishin dhe italianët e Agusta (grupi Finmeçanica) dhe amerikanët e Sikorsky, filial i grupit United Technologies.

Ky lajm është publikuar: 03/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›