E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blindi lë në rrugë Adriatik Colin, prishet në dalje të Gjykatës



TIRANË – Autoblindi lë në rrugë Adriatik Colin. Dëshmitari kryesor në procesin në ngarkim të bandës së Durrësit transportohet çdo herë me autoblind nga ambienti ku qëndron drejt Gjykatës së Krimeve të Rënda. E njëjta gjë ndodhi dhe dy ditë më parë, ku Coli është sjellë në Gjykatë rreth orës 09:00, atëherë kur filloi dhe seanca. Pas gati 6 orësh në Gjykatë, forcat e Briskut janë përgatitur për largimin e Adriatik Colit nga Gjykata. Por duket se kjo gjë nuk ka funksionuar siç duhet. Në momentin kur autoblindi me Adriatik Colin brenda duhet të dilte nga Gjykata, mjeti nuk i është bindur urdhrave të drejtuesit dhe nuk është nisur. Në fillim nga garazhi i Gjykatës kanë dalë dy fuoristrada me forca speciale, të cilat pas 10 metrash rrugë kanë ndaluar dhe janë rikthyer sërish në garazhin e Gjykatës. Pas disa minutash, që andej kanë dalë tre fuoristrada, ndërsa blindi ka mbetur në garazhin e Gjykatës duke mos u ndezur. Mësohet se Adriatik Coli është transportuar brenda fuoristradave duke u mbuluar nga forca të shumta policie. Sipas të dhënave të sigurta mësohet se autoblindi ka pasur defekt dhe për këtë arsye nuk ka mundur të niset, duke detyruar kështu forcat speciale që të gjejnë një rrugëzgjidhje sa më të shpejtë për të larguar Adriatik Colin nga ambientet e Gjykatës. Kjo gjë tregon qartë mangësinë ose amortizimin e mjeteve motorike të Policisë, e cila detyrohet që njërin prej personave më të mbrojtur në Shqipëri ta transportojë në kushte jo fort të sigurta. Por me e keqja do të ishte sikur blindi të dilte nga Gjykata dhe të mbetej në mes të Bulevardit, duke krijuar në këtë mënyrë një situatë kaotike dhe jo të sigurt për jetën e bashkëpunëtorit të Drejtësisë.

Topi dekreton shtyrjen e qëndrimit të kompanisë shqiptare në ÇAD

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekretoi dje shpalljen dhe dhënien e pëlqimit për hyrjen në fuqi menjëherë të ligjit "Për shtyrjen e afatit të qëndrimit të kompanisë së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në misionin 'MINURCAT' të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Republikën e Çadit dhe në Republikën e Afrikës Qendrore". Ky dekret, i publikuar dje në faqen zyrtare të Presidencës, vjen pas miratimit një ditë më parë në Kuvend të ligjit në fjalë ku kërkohet shtyrja deri më 30 qershor e qëndrimit të kompanisë shqiptare në Çad, ndërkohë që misioni i saj përfundonte më 15 mars. Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, duke mbrojtur ligjin dy ditë më parë në Parlament, tha se situata e pasigurt në kryeqytetin e Çadit, N'Xhamena, ka nxitur strukturat e OKB-së që të kërkojnë një shtyrje të misionit paqeruajtës të kompanisë shqiptare, e cila vepron në këtë vend që nga viti 2008. Kompania shqiptare, e përbërë nga 63 paqeruajtës, kontribuon në Republikën e Çadit në operacione sigurie, patrullimi, ruajtjes së personaliteteve, objekteve etj.

13 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›