Projekti, ja si do ti deklarojnë shqiptarët të ardhurat dhe shpenzimet në fundvit
Ervin KOÇI
Të gjithë qytetarët do të jenë të detyruar që njëherë në vit të plotësojnë deklaratën e të ardhurave personale, me të cilat do të deklarojnë të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet që bëjnë. Sipas një projekt-ideje të hedhur sëfundmi nga Kryeministri Berisha, por të propozuar më parë nga një grup ekspertësh në Ministrinë e Financave, me qëllim shmangien e evazionit fiskal dhe futjen e kulturës së përdorimit të kasave fiskale, çdo individ mbi moshën 18 vjeç duhet të bëjë deklarimin e të ardhurave personale dhe të shpenzimeve në çdo fundviti. Ky është një shembull që aplikohet sot në të gjitha vendet e BE-së, si dhe nga fqinjët tanë dhe ka për qëllim shmangien e evazionit fiskal në maksimum nga ekonomia. Sipas këtij projekti që aktualisht është vetëm në fazë diskutimi, shtetasit duhet të bëjnë për dy arsye deklarimin e të ardhurave dhe shpenzimeve. E para, sepse në bazë të këtij deklarimi do të paguhen dhe taksat mbi të ardhurat personale. E dyta, sepse një pjesë e shpenzimeve do të rimbursohet pasi qytetari është paguesi fundor i TVSH-së për çdo mall dhe shërbim. Por për këtë sipas skenarit të Tatimeve, çdo individ mbi moshën 18 vjeç duhet të ruajë çdo faturë të çdo shërbimi dhe mali të marrë. Pasi këto të konfirmohen duke kontrolluar të gjitha faturat, do të përcaktohet nëse administrata tatimore do të rimbursojë qytetarët kur kanë paguar më shumë taksa apo edhe e kundërta, pra që duhet të derdhin sërish para në arkat e shtetit.
Projekti
Projekti i propozuar vetëm dy ditë më parë në mbledhjen e qeverisë ka nisur të diskutohet nga grupi i punës i ngritur posaçërisht. Specialistë të Tatimeve të cilët po punojnë mbi këtë projekt, kanë zbardhur për gazetën “Albania” edhe detajet e para se si do të funksionojë kjo skemë. “Çdo qytetar shqiptar mbi moshën 18 vjeç do të jetë i detyruar të deklarojë të ardhurat e tij personale vjetore, shpenzimet bazë dhe konform këtyre t’i nënshtrohet rregullave fiskale”,- thanë specialistët. Sipas tyre, “ligji i ri do të klasifikojë në mënyrë të detajuar mënyrën që nga të ardhurat dhe nga ana tjetër një klasifikim të shpenzimeve, të cilat natyrisht janë ligjvënësit që i klasifikojnë si të zdritshme apo të pazbritshme”. Përmes faturave të mbledhura gjatë vitit, do të mund të përfitojë disbursim deri në një farë mase, por që qeveria nuk e ka përcaktuar ende. Zbatimi i këtij projekti është një kërkesë e Bashkimit Evropian e parashikuar në Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.
Formulari i deklarimit
Për deklarimin e të ardhurave vjetore është programuar një formular të cilin çdo individ që paraqitet pranë zyrave të taksave duhet ta plotësojë sipas udhëzimeve të përcaktuara nga ligji. Specialistët sqarojnë në lidhje me këtë se, nëse një individ ka paguar më tepër nga sa i takon te “kolona e shpenzimeve të zbritshme” në formular, atëherë ai do të disbursohet, pra do t’i kthehen pas lekët. “Shpenzime të zbritshme” mund të konsiderohen ndër të tjera, totali i pagesave për kontributet, qiraja për banesat, apo interesat për kreditë. Aktualisht, për individët që i marrin pagat në bankë, u mbahet direkt tatimi 10 për qind, e në këtë pikë, llogaritja e detyrimit shtesë në fund të vitit nuk do të jetë e vështirë për organet tatimore, në rast se qytetari paraqet faturat e “shpenzimeve të zbritshme” që ka kryer gjatë vitit. Kjo skemë duket disi e komplikuar, por që ekspertët e Financave janë të bindur se do të zbatohet me sukses. Kurse nga tatimet jepet shpjegimi i një takse 10 për qind që duhet të paguajnë individët për diferencën mes të ardhurave dhe shpenzimeve të realizuara gjatë një viti. Në përputhje me kërkesat e prera të praktikës europiane dhe Komisionit Europian, deklarata personale e të ardhurave do të vendoset për të gjithë qytetarët mbi moshën 18 vjeç. Reformat në sistemin fiskal kanë të bëjnë me vendosjen e deklaratës personale të të ardhurave, krijimin e Avokatit të Tatimpaguesve dhe Këshillit Konsultativ Tatimor.
Modelet
Në radhën e modeleve të ndryshme për të joshur qytetarët që të kërkojnë kuponin tatimor për çdo blerje ose shërbim nga subjektet private, është dhe projekti i pajisjes së çdo shtetasi shqiptar mbi moshën 18 vjeç me kod fiskal (NIPT). Bazuar në shembujt e disa vendeve të zhvilluara, Ministria e Financave në bazë të këtij projekti synon që ti rimbursojë çdo shtetasi shqiptar që do të pajiset me NIPT një pjesë të TVSH-së në fund të çdo viti kalendarik. Mes shumë modeleve që pritet të eksperimentohen në vitin 2010, një nga format që mund të vihet në zbatim dhe që parashikohet se mund të ketë sukses mund të jetë pikërisht edhe rimbursimi i TVSH-së për çdo shërbim apo mall, për cilin do qytetar që ruan deri në fund të çdo viti kuponat fiskal dhe i dorëzon ato në administratën tatimore.
BOX/////////////////////
Si do të realizohet projekti
Edhe pse mund të duket si tepër i vështirë, projekti në fjalë po studiohet dhe po përpunohet nga ekspertë të Ministrisë së Financave, të cilët parashikojnë që ta vënë në zbatim atë deri në fund të vitit 2010. Sipas kësaj skeme, qytetari do të jetë matësi më i mirë dhe mekanizmi më i saktë për të vënë në përdorim nga subjektet kasat fiskale. Ekspertët e Financave kanë thënë për gazetën “Albania” se, “si me që qytetarët janë stacioni fundor që paguan TVSH-në është e drejtë që atyre tu rimbursohet një pjesë e saj çdo fund viti kalendarik, por me kusht që ata çdo blerje për çdo shërbim apo mal që marrin ta dokumentojnë me anë të kuponit fiskal”. Sipas ekspertëve, “në këtë fazë do të hyjë në lojë instalimi i kodit NIPT që si për çdo subjekt privat që licencohet nga Tatimet, mund të jepet dhe për çdo qytetar mbi moshën 18 vjeç dhe të instalohet në një njësi qendrore kompjuterike. Me anë të një karte dixhitale çdo fund muaji qytetari mund të deklarojë pagesat e bëra për çdo blerje ose shërbim dhe në këtë mënyrë tatimet llogarisin dhe shumën e shpenzimeve të tij duke nxirë edhe vlerën e TVSH-së. Kësaj vlere ata në fund të çdo viti kalendarik duhet ti bëjnë një zbritje të asaj vlere që duhet ti rimbursohet qytetarëve”. Ekspertët e Financave, janë të mendimit se aplikimi i kësaj skeme do të ishte më frytdhënës pasi jo vetëm që do të detyronte qytetarët që për çdo mall ose shërbim të kërkonin kuponin tatimor, por do të ndihmonte si informacion edhe për një sërë procesesh të tjera që mbulohen nga të tjera ligje fiskale.
Shpenzimet që mund të zbriten sipas projektit
1. Pagesat për kontribut të sigurimeve shoqërore
2. Pagesat për kontribut të sigurimeve shëndetsore
3. Pagesat për qiranë për banesat
4. Pagesat për interesat për kreditë
5. Pagesat për blerje mallrash me TVSH
6. Pagesat për blerje mallrash dhe shërbimesh me Akcizë
Reformat në sistemin fiskal synojnë:
1. Vendosjen e Deklaratës Personale të të Ardhurave
2. Krijimi i Avokatit të Tatimpaguesve
3. Krijimi i Këshillit Konsultativ Tatimor
13 Mars 2010