E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rishfaqet linja e heroinës, sekuestrohen 2 kg në Farkë



TIRANË – Del në skenë linja e dikurshme e trafikimit të heroinës përmes linjës Tiranë-Elbasan-Korçë-Greqi, por kësaj radhe trafikantët janë zbuluar. Superaksioni u organizua në periferi të kryeqytetit, ku janë sekuestruar 2.3 kilogramë heroinë, ndërsa tre persona janë vënë në pranga. Policia e Tiranës bën të ditur se ka finalizuar me sukses një aksion për parandalimin e trafikut të drogës, duke arrestuar tre persona dhe duke u vënë në ndjekje të disa të tjerëve. Burimet policore nuk japin detaje në lidhje me autorët e prangosur, pasi operacioni vazhdon për hetimin dhe gjetjen e personave të tjerë të përfshirë në trafikimin e lëndës narkotike.

Aksioni
Një sasi e konsiderueshme droge është sekuestruar ditën e djeshme në periferi të Tiranës, në zonën e Farkës. Rreth 2.3 kilogramë lëndë narkotike e llojit heroinë është bllokuar nga policia dhe janë vënë në pranga 3 poseduesit e saj. Policia ende nuk bën të ditur identitetin e të arrestuarve, duke u shprehur se operacioni është ende në vazhdim dhe se priten arrestime të tjera.
Operacioni ka nisur në orët e para të ditës së djeshme dhe është finalizuar rreth pasdites, ku forca të shumta policie kanë rrethuar zonën përreth Farkës dhe kanë vënë në pranga poseduesit e sasisë së drogës. Grupi hetimor i ngritur për këtë ngjarje është duke hetuar lidhur me prejardhjen e kësaj sasie droge dhe për destinacionin përfundimtar të saj.

Rruga e drogës
Prej kohësh Shqipëria është kthyer në një vend tranzit për kalimin e drogës, nga Lindja drejt vendeve të tjera të Europës. Kjo gjë është pasqyruar dhe në raportet e shumta të ndërkombëtarëve, të cilët e vënë theksin te ky fenomen. Rruga më e “rrahur” trafikut të heroinës ashtë ajo që kalon nëpërmjet Maqedonisë dhe më pas në Shqipëri dhe Europë. Dyshohet se droga nga Maqedonia kalon nëpërmjet Dibrës dhe më pas mbërrin në kryeqytet. Në Tiranë zgjidhen dy rrugët që më pas droga të shkojë drejt Europës. Në rastin e parë droga kalon në Elbasan, Korçë dhe më pas mbërrin në shtetin grek. Ndërsa rruga e dytë e trafikimit kalon nëpërmjet Durrësit dhe më pas mbërrin në Itali, ku shpërndahet në pjesën tjetër të Europës. Disa ditë më parë, Departamenti Amerikan i Shtetit nxori raportin e përvitshëm për narkotikët, ku Shqipëria konsiderohet një pikë tranzite për trafikimin e drogave të forta nga Afganistani drejt Perëndimit.

Korrupsioni me pasaportat, hetohen dy punonjës

KORÇË – Kërkuan ryshfet për të lëshuar një pasaportë biometrike, ndiqen penalisht dy punonjësit e zyrës së prodhimit të pasaportave. Lajmi në fjalë bëhet i ditur nga ana e Policisë së Korçës, sipas së cilës, ka nisur një hetim ndaj Ernest Katudnit dhe Jurfen Qirit për veprën penale të “korrupsionit pasiv”. Ka qenë kallëzimi i një shtetaseje që ka vënë në punë uniformat blu për zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Sipas policisë, dy ditë më parë është bërë kallëzimi nga shtetasja I. T., e cila gjatë kallëzimit shpjegon se më datë 10.03.2010 ka shkuar për të kryer aplikimin për pasaportë dhe kartë identiteti në zyrën e aplikimit dhe nga punonjësit i është kërkuar një shumë prej 1500 lekësh për të bërë aplikimin. Menjëherë pas marrjes së kallëzimit, policia e qyteti juglindor ka nisur hetimet dhe ka vënë nën akuzë dy punonjësit e kësaj zyre mbi të cilët rëndon akuza e “korrupsionit pasiv”.

13 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›