E Diel, 1 Nëntor 2026

Gërdeci, prokurorët përgatisin letër-porositë për pesë amerikanët



Laureta Rryçi

Seanca e radhës për procesin e Gërdecit vijoi dje me disa kërkesa të rëndësishme nga palët. Prokurorët i kërkuan trupit gjykues që të nisnin procedurat për përgatitjen e letër-porosive drejt Amerikës për të thirrur si dëshmitarë pesë shtetas amerikanë. Prokurorët sqaruan dje se pavarësish se gjatë hetimeve ata kanë mundur të marrin dëshmitë e Patrik Henrit apo Rod Tejlërit me anë të letër-porosive, sërish është e domosdoshme që ata të vijnë në Shqipëri për t’u thirrur në cilësinë e dëshmitarit në këtë proces. Ndërkohë, një kërkesë tjetër u bë nga avokati i Mihal Delijorgjit, Maks Haxhia. Ky i fundit kërkoi që të bëhet një eksperiment hetimor në mënyrë që të mësohet njëherë e mirë nëse qëndron hipoteza e hedhur nga Prokuroria, se shpërthimi ndodhi për shkak të karrocës së salduar.
Eksperimenti
Avokati Maks Haxhia shpjegoi para Gjykatës se kjo kërkesë është e rëndësishme në këtë moment, pasi kanë kaluar rreth dy vjet nga shpërthimi dhe akoma nuk është e qartë se përse ka ndodhur tragjedia. Pas kësaj kërkese reaguan prokurorët, të cilët kërkuan që Gjykata ta refuzojë eksperimentin. Sipas prokurorëve, avokatët e kanë humbur mundësinë e tyre për të bërë kërkesa të tilla në momentin e parë të procesit kur mund dhe të bëheshin prej tyre kërkesa paraprake. Prokurorët dorëzuan si provën më të re materiale pjesë të një saldatriçeje që u gjetën nga ushtarakët në vendngjarje në janar të këtij viti. Fjalën e fundit në lidhje me këtë kërkesë do ta bëjë trupi gjykues. Kryetari i seancës, Ridvan Hado, u shpreh se Gjykata rezervon të drejtën për t’u shprehur në lidhje me kërkesën gjatë dy javëve në vazhdim.
Letër-porositë
Vetëm disa muaj më parë, autoritetet amerikane sollën në Ministrinë e Drejtësisë në Tiranë një material voluminoz për biznesmenin e armëve, Patrik Henri, një nga personazhet kyçe të ngjarjes së Gërdecit. Materialet e mbërritura nga Shtetet e Bashkuara u kërkuan nga Prokuroria e Përgjithshme në korrik 2008 për të zbardhur rolin që ka pasur në ngjarjen e Gërdecit kreu i kompanisë “SAC”, i cili ka nënshkruar dy kontrata me ndërmarrjen “MEICO” për demontim fishekësh dhe më pas municionesh të rënda, siç ishin predhat. Menjëherë pasi filloi hetimet për ngjarjen e Gërdecit, duke bllokuar dokumentet në Ministrinë e Mbrojtjes, Shtabin e Përgjithshëm dhe ndërmarrjen “MEICO”, Prokuroria gjeti emrin e amerikanit Patrik Henri në dy kontratat e nënshkruara. Menjëherë organi i akuzës u interesua për sqarimin e rolit të administratorit të kompanisë “SAC”, që kishte nënshkruar duke marrë përsipër demontimin e fishekëve në Gërdec. Duke qenë se vendqëndrimi i biznesmenit Patrik Henri ishte në SHBA, Prokuroria shqiptare iu drejtua me letër-porosi Prokurorisë amerikane, ndërsa dokumentacioni u dërgua me anë të Ministrisë së Drejtësisë në korrik 2008. Pasi kanë marrë kërkesën e Prokurorisë shqiptare, hetuesit amerikanë kanë thirrur biznesmenit Patrik Henri, i cili ka dëshmuar për hetuesit përtej Atlantikut duke iu përgjigjur pyetjeve të hartuara në Tiranë. Në prani të disa avokatëve të tij, biznesmeni që drejton “Southern Ammounition Company” ka rrëfyer se ka nënshkruar dy kontrata me ndërmarrjen “MEICO”. Kontrata e parë, sipas tij, është nënshkruar në qershor 2007 për demontim fishekësh dhe sipas dëshmisë së biznesmenit, ai kishte sjellë në Gërdec të gjitha pajisjet dhe specialistët e nevojshëm që çmontimi i fishekëve të kryhej pa asnjë rrezik. Henri u ka dorëzuar hetuesve edhe dokumentet që tregojnë për hyrjen në Shqipëri në emër të tij të dy makinerive që janë përdorur në Gërdec për demontimin e fishekëve, si dhe të dhënat e udhëtimit të gjashtë specialistëve amerikanë që ai kishte sjellë për mbikëqyrjen e procesit. Kontrata e dytë e nënshkruar në dhjetor 2007, sipas kreut të SAC-it, ka qenë formale dhe ai pranon se dy ditë më vonë, për shkak se nuk kishte licencë dhe interes për demontim predhash, të drejtat i kanë kaluar me një shtesë kontrate, kompanisë “Albademil” në pronësi të Mihal Delijorgjit.

Hidhen dyshime për transport fishekësh nëpërmjet Rinasit

Dëshmitari: “Në fabrikën e Gërdecit kam parë Luan Hoxhën”

Në seancën e djeshme dëshmoi Begator Mane, administrator i shoqërisë private që ka ruajtur fabrikën e Gërdecit gjatë fazës së parë të demontimit. Dëshmitari rrëfeu se në fabrikë ka parë të vijë një ushtarak, emri i të cilit ishte Luan Hoxha. “Si aktivitet kryesor kishim ruajtjen e objekteve në fabrikë, për të cilat kisha kontaktuar me Delijorgjin. Di që makineritë janë sjellë nga amerikanët dhe në kohën e montimit të tyre në fabrikë erdhi edhe një ushtarak, emri i të cilit ishte Luan Hoxha”, - deklaroi administratori Mane. Dëshmitari njohu në sallën e gjyqit Dritan Minxollin si administratorin e fabrikës dhe Sokol Ngjeçin si përfaqësues të MEICO-s. Më tej Mane tregoi se pavarësish se nuk duhej, në ambientet e brendshme të fabrikës futeshin edhe fëmijë apo banorë të tjerë të Gërdecit që nuk ishin të punësuar. Mane tregoi se i kishte kërkuar Minxollit që ta bënte firma e tij shoqërimin e kamionëve me barut, por ky i fundit i kishte thënë se ky proces do të realizohej nga Policia Ushtarake. Këto thënie binin në kundërshtim me thëniet e mëparshme të Minxollit ku pati shpjeguar se me këtë proces ishte marrë amerikani Patrik Henri Sipas Minxollit, ky i fundit kishte paguar kamionë dhe shoqërues që ndiqnin kamionët deri në doganën e Durrësit, ku më pas baruti kalonte në anije. Gjatë procesit dëshmitari Mane ka theksuar se ka parë në Rinas avionë dhe arka fishekësh bosh, që mund të përdoreshin për transport. Po sipas këtij dëshmitari, në fabrikë ka rënë edhe një herë tjetër zjarr në kohën që amerikanët ishin aty për të montuar makineritë, por me ndërhyrjen e tyre zjarri është shuar. Po në këtë seancë është përmendur edhe emri i Rrahman Selmanllarit, shokut të djalit të kryeministrit. Rrahman Selmanllari është shoku i djalit të kryeministrit, i cili u përfol nga media se ishte një nga bashkëpronarët e fabrikës në Gërdec.
Klodian Qefalia, një numërues arkash, u pyet nga Prokuroria se a e njihte Selmanllarin, por ai e mohoi të këtë pasur njohje për të. Qefalia pohoi gjithashtu se punonte gjatë orëve të natës ku, sipas tij, mbusheshin mbi 20 kamionë me fishekë.

Pasojat që solli tragjedia e Gërdecit

27 persona të plagosur rëndë, të përshkruar në aneksin nr. 1, bashkëlidhur.

109 persona të plagosur lehtë nga kjo vepër penale, të përshkruar në aneksin nr. 2, bashkëlidhur.

67 persona me dëmtime të tjera të lehta nga kjo vepër penale, të përshkruar në aneksin nr. 3, bashkëlidhur.

61 persona të tjerë të trajtuar në spitale, për të cilët nuk është mundësuar përcaktimi i shkallës së dëmtimit, të përshkruar në aneksin nr. 4, bashkëlidhur.

5829 personave u është shkaktuar dëm material në vlerë 2 141 343 616 lekë, nga vepra penale e shkatërrimit të pronës me eksploziv, që përfaqësojnë shkatërrime dhe dëmtime banesa, biznese, orendi të tyre, 13 ferma bujqësore dhe blegtorale, të përshkruar në aneksin nr.5, bashkëlidhur. Kjo vlerë dëmi është kompensuar nga shteti dhe interesat e të cilit përfaqësohen nga Avokati i Shtetit.

Shtetit i është shkaktuar dëm material në vlerë 102 500 000 lekë nga vepra penale e shkatërrimit të pronës me eksploziv që përfshin shkatërrimin dhe dëmtimin e objekteve sociale, shkollave, zyrave dhe orendive të tyre, interesat e të cilit përfaqësohen nga Avokati i Shtetit.

Shtetit i është shkaktuar dëm material në vlerë 1 323 600 354 lekë nga veprat penale të shpërdorimit të detyrës, që përfaqësojnë pasuri në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura, interesat e të cilit përfaqësohen nga Avokati i Shtetit.

13 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›