E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Shqipëri- Serbi, çelet një epokë e re bashkëpunimi



Eneida Jaçaj

Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, e ka vlerësuar si të suksesshme vizitën e tij dy ditore në Serbi, vizitë e cila, sipas tij, “do të rrisë më shumë bashkëpunimin mes dy vendeve”. Këto komente numëri një i diplomacisë shqiptare i bëri gjatë një konferece shtypi të zhvilluar në ambientet e ambasadës shqiptare në beograd në të cilën merrnin pjesë mjaft gazetarë serbë dhe shqiptarë. “Unë jam shumë i kënaqur për këtë vizitë, sepse mendoj që kemi pasur bisedime konstruktive, në mënyrë të veçantë me presidentin Tadiç, por edhe me kolegë të tjerë. Pavarësisht se gjatë kësaj vizite u nënshkruan vetëm dy marrëveshje, besoj se është hapur rruga për të nënshkruar edhe shumë marrëveshje të tjera shumë shpejt. Shtatë marrëveshje konkrete janë paraqitur nga pala shqiptare. Çdo marrëveshje e paraqitur nga pala serbe do të ishte shumë e mirëpritur nga ne”, ka nënvizuar Meta. Sipas tij, Shqipëria e shikon Serbinë si një partnere shumë të rëndësishme, jo vetëm në planin e bashkëpunimit dypalësh, por sidomos për bashkëpunimin rajonal, në funksion të stabilitetit dhe paqes në rajonin tonë, sepse kjo është e vetmja mënyrë që të shpejtojmë integrimin evropian të Shqipërisë, Serbisë, dhe vendeve të tjera të rajonit. Meta shprehu bindjen se marrëdhëniet bilateriale do të përparojnë dhe se bashkëpunimi mes dy vendeve në kuadrin rajonal do të përparojë. “Ne ndajmë në mënyrë serioze pikëpamje të ndryshme për çështjen e Kosovës, por njëkohësisht ne kemi vendosur që pavarësisht nga këto diferenca thelbësore, të mos e frenojmë dhe ngadalësojmë bashkëpunimin dy palësh, duke besuar që në këtë mënyrë ndihmojmë dhe përmirësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndëretnike në Kosovë dhe kudo në gjithë rajonin tonë. Pavarësisht nga dallimet thelbësore që kemi për Statusin e Kosovës biem dakord që e ardhmja e saj është në BE dhe kjo është çështje që duhet adresuar në mënyrë konstruktive dhe evropiane. Për Shipërinë dhe qeverinë shqiptare është e nevojshme të çlirojmë sa më shumë energji pozitive dhe të përqëndrohemi drejt se ardhmes”, ka theksuar Meta.
Qëllimi i vizitës
Ministri i Jashtëm ka detajuar me këtë rast edhe qëllimin e vizitës së tij në Serbi. Sipas Metës, Shqipëria dëshiron të bëhet anëtare në Bashkimin Evropian, ashtu sikurse të njëjtën gjë kërkon edhe Serbia. Ai ka nënvizuar se kjo mund të arrihet vetëm në sajë të konsolidimit, fuqizimit të bashkëpunimit dhe marrëdhënieve midis dy shteteve të rajonit. “Arsyeja e vizitës është shumë e qartë. Unë jam në Beograd sepse ne duam të jemi sa më shpejt në Bruksel, jo si të ftuar, por si anëtar të barabartë të BE. Sikurse ju e dini edhe Serbia kërkon të njëjtën gjë. Kjo natyrisht kërkon në radhë të parë një bashkëpunim të ngushtë rajonal dhe ky bashkëpunim është një utopi pa përmirësimin e vazhdueshëm të marrëdhnënieve Shqipëri- Serbi dhe me gjerë, të shqiptarëve dhe serbëve, dhe akoma më gjerë të shqiptarëve dhe sllavëve në Ballkan. Unë jam i bindur që pavarësisht se marrëdhëniet mund të kishin qenë më dinamike. Besoj se kjo vizitë dhe vizita të tjera të nivelit të lartë midis dy vendeve do të sjellin një progres të shpejtë dhe të padiskutueshëm”, ka argumentuar Meta. I pyetur nga gazetarët, Meta pranoi se përpara se të vizitonte Serbinë kishte pasur një bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi. “Natyrisht që unë kam pasur një bisedë telefonike, thjesht duke bërë të njohur qëllimet e kësaj vizite. Natyrisht që lidershipi atje i mirëkupton këto qëllime, sepse absolutisht që Shqipëria dhe Serbia kanë një rol të pazëvendësueshëm për një pajtim të sinqertë të qëndrueshëm dhe të përhershëm midis shqiptarëve dhe serbëve”, nënvizoi Meta.
Marrëdhëniet
Shefi i diplomacisë shqiptare u pyet nga gazetarët edhe për mundësitë e forcimit të marrdhënieve midis Shqipërisë dhe Serbisë, për të cilat ai tha se: Marrëdhëniet ekonomike tregëtare midis Shqipërisë dhe Serbisë nuk janë aty ku ne do të donim, megjithatë janë disa herë më të mira se kur unë vizitova Beogradin shtatë vjet më parë. Sipas tij, Shqipëria ka marrëdhenie të shkëlqyera me të gjithë vendet e tjera të rajonit dhe bilanci i shkëmbimeve ekonomike apo tregëtare është shumë më i ulët se ai me Serbinë sot. “Unë besoj se kjo flet për mundësitë ende të paeksploruara dhe të pashfrytëzuara midis dy vendeve. Kjo është arsyeja që Shqipëria ka paraqitur dhe insiston për shumë marrëveshje, të cilat janë konkrete, siç janë ato për transportin apo për heqjen e vizave midis dy vendeve, të cilat do t’i jepnin një hov të ri marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare”, sqaroi Meta. I pyetur nga gazetarët, se si do i komentonte qëndrimet e skeptikëve për këtë epokë të re bashkëpunimi midis dy vendeve, Meta u shpreh se: ka ende skeptikë në Ballkan, por ne nuk kemi ndërmend të udhëhiqemi nga skeptikët, pesimistët apo nga ata që kanë mbetur peng të së kaluarës, qofshin shqiptarë apo serbë.

13 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›