Dhoma e Avokatisë fiton betejën ligjore me Ministrinë e Drejtësisë
Laureta Rryçi
Dhoma Kombëtare e Avokatisë fiton betejën ligjore me Ministrinë e Drejtësisë. Gjykata Kushtetuese ka vendosur dje pro kërkesës së avokatëve për të ndryshuar ligjin e ri të miratuar vetëm kohë më parë nga qeveria “Berisha”. Sipas vendimit të Kushtetueses, Ministria e Drejtësisë ka marrë më shumë kompetenca sesa i takojnë në një nga nenet e ligjit të ri për profesionin e avokatisë. Dhoma Kombëtare e Avokatisë e pati kundërshtuar ligjin që në momentet kur ai ishte projektligj, mirëpo pretendimet e tyre nuk u morën parasysh. Më pas, Dhoma Kombëtare e Avokatisë vendosi të ankohet në Gjykatën Kushtetuese dhe dje arriti të rimerrte sërish kompetencat që kishte më parë.
Pretendimet
Dhoma Kombëtare e Avokatisë kërkoi shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të pikës 4 të nenit 48 të Ligjit Nr.9109, datë 17.07.2003 “Për profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë”, ndryshuar me Ligjin Nr.10047, datë 24.12.2008. Në datën 17.07.2003, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar Ligjin Nr.9109, “Për profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë”, i cili parashikon, në nenin 1 të tij se: “Avokatia në Republikën e Shqipërisë është profesion i lirë, i pavarur, i vetërregulluar dhe i vetëdrejtuar”. Në datën 24.12.2008, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar Ligjin Nr.10047, “Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin Nr.9109, datë 17.7.2003 ‘Për profesionin e avokatit në Republikën e Shqipëris뒔, me të cilin, midis të tjerave, në nenin 48 të Ligjit Nr. 9109 u shtua pika 4 me këtë përmbajtje: “Ministri i Drejtësisë dhe Këshilli Drejtues i Dhomës Kombëtare të Avokatisë përcaktojnë me vendim të përbashkët shpenzimet për regjistrimin e kandidatëve për avokatë, organizimin e provimit dhe shpalljen e rezultateve të tij, të cilat duhet të jenë të barabarta me koston që duhet të përballohet në këtë rast, si dhe tarifën e marrjes së licencës për avokatët”. Pikërisht ky nen u kërkua që të shfuqizohej nga ana e Gjykatës Kushtetuese.
Kompetencat
Sipas Ligjit Nr. 9109, Dhoma Kombëtare e Avokatisë është person juridik që ushtron veprimtarinë në mënyrë të pavarur nga shteti. Dhoma përgjigjet për rregullimin dhe kontrollin e ushtrimit të profesionit të avokatit në Republikën e Shqipërisë. Në nenin 1 të Statutit të saj parashikohet se Dhoma është bashkim i anëtarëve aktivë dhe joaktivë të dhomave të avokatisë. Ligji për avokatinë ka parashikuar një kontribut që duhet paguar si detyrim i anëtarësisë në dhomë, i cili, ndryshe nga sa pretendon kërkuesi, nuk barazohet me tarifën për licencimin, megjithatë, ligji nuk përmend një tarifë sa i përket dhënies së licencës për të ushtruar profesionin e avokatit. Kjo do të thotë se një juristi të diplomuar lejohet t’i jepet licenca e ushtrimit të profesionit të avokatit pas regjistrimit në regjistrin e Dhomës, pavarësisht nga detyrimi për pagimin e tarifës së regjistrimit. Në këto kushte Gjykata Kushtetuese vlerëson se pagesa e tarifës së regjistrimit nuk mund të trajtohet si një kërkesë shtesë për t`u bërë avokat që buron nga kushtet e përcaktuara nga ligji. Gjykata Kushtetuese vëren se Ligji Nr. 9109 nuk parashikon tarifën e marrjes së licencës për avokatët dhe as organin që e përcakton atë ndërkohë që Statuti i Dhomës, miratuar në vitin 2005 nga Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës së Avokatisë, në nenin 54 të tij parashikon, se Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës Kombëtarë të Avokatisë përcakton shumën që duhet të paguajë avokati me rastin e marrjes së licencës që i jep atij titullin si të tillë. Duket se me Statutin e saj Dhoma ka tejkaluar kompetencat e dhëna nga Ligji Nr. 9109 dhe ky tejkalim është reflektuar në miratimin e dispozitave që përcaktojnë pagesën e një tarife shtesë, të cilën i interesuari duhet ta përmbushë përpara marrjes së licencës për ushtrimin e aktivitetit.
Ligji “Për profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë”
Si ishte
Neni 48
1. Ministria e Drejtësisë kujdeset që veprimtaria e avokatisë të ushtrohet normalisht dhe në përputhje me ligjin.
2. Rregullat e hollësishme për ushtrimin e profesionit të avokatit, në përputhje me këtë ligj, caktohen në Statutin dhe në Kodin e Etikës së Avokatit, të miratuara nga Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës Kombëtare të Avokatisë.
3. Ministri i Drejtësisë dhe Këshilli Drejtues i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, pasi marrin mendimin e Ministrisë së Financave, caktojnë tarifat e shpërblimit të avokatëve për dhënien e ndihmës juridike.
Është bërë
Në nenin 48, pas pikës 3 shtohet pika 4 me këtë përmbajtje:
4. Ministri i Drejtësisë dhe Këshilli Drejtues i Dhomës Kombëtare të Avokatisë përcaktojnë me vendim të përbashkët shpenzimet për regjistrimin e kandidatëve për avokatë, organizimin e provimit dhe shpalljen e rezultateve të tij, të cilat duhet të jenë të barabarta me koston që duhet të përballohet në këtë rast, si dhe tarifën e marrjes së licencës për avokatët.
Krimet e Rënda rrëzojnë kërkesën e Aldo Bares
Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi dje rrëzimin e kërkesës së Aldo Bares për përjashtimin e gjyqtares Fatmira Hajdari nga gjykimi i dosjes ndaj tij. Vendimi u mor dje në një seancë të posaçme dhe, për rrjedhojë, procesi do të vijojë seancën që vjen me të njëjtin kolegj penal. Kjo kërkesë nga ana e Bares u bë nga avokati i tij menjëherë pasi mësoi se Gjykata rrëzoi kërkesën për gjykim të shkurtuar. Kreu i bandës së Lushnjës akuzohet për krijimin e organizatës kriminale, për më tepër se 20 vrasje, për rrëmbim personi, shkatërrim prone, dhunim varresh, kryerje veprash penale në bashkëpunim nga organizata kriminale. Aldo Bare akuzohet gjithashtu për drejtimin e njërit prej rrjeteve më të fuqishme të trafikut ndërkombëtar të drogës në drejtim të Europës Perëndimore, për të cilat bashkëpunohet me partnerët tanë perëndimorë.
13 Mars 2010