Plagosi në Babrru, vihet në pranga autori
TIRANË – Plagosi dy net më parë në Babrru, arrestohet 33-vjeçari. Policia e kryeqytetit njofton se ka arrestuar autorin e një plagosjeje me armë të ndodhur dy net më parë në Babrru, zonë periferike e kryeqytetit. Sipas burimeve zyrtare nga Policia mësohet se në orët e vona të mbrëmjes, specialistët për hetimin e krimeve në Drejtorinë e Policisë kryen arrestimin në flagrancë të shtetasit Dritan Hysen Kozi, 33 vjeç, banues në Babrru. Policia sqaroi se arrestimi i këtij personi u krye pasi rreth orës 13:00, në Babrru, pranë një karburanti në këtë zonë, pas një konflikti për motive të dobëta, ka plagosur me dashje me armë zjarri në këmbë shtetasin A. I., banues në Babrru, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Dosja penale e hetimeve paraprake të policisë mësohet se ka kaluar në Prokurori për akuzën e “vrasjes me dashje” mbetur në tentativë dhe “armëmbajtjes pa leje”.
Kushtet e rënda ekonomike, 18-vjeçarja tenton vetëhelmimin
DURRËS – Tenton t’i japë fund jetës duke u vetëhelmuar për shkak të kushteve të rënda ekonomike, shtrohet me urgjencë në spital 18-vjeçarja. Ngjarja e rëndë ka ndodhur dy ditë më parë në qytetin bregdetar, ku 18-vjeçarja me inicialet S. K. është dërguar me urgjencë në Spitalin e Durrësit si pasojë e një helmimi të rëndë. “Nga veprimet e para hetimore të kryera rezultoi se shtetasja në fjalë ka qenë te shtëpia e prindërve të saj në kohën kur është gjetur prej familjareve e helmuar. Pas ndihmës mjekësore të dhënë në Spitalin e Durrësit e dëmtuara është dërguar në Spitalin Ushtarak Tiranë, ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore”, - bën të ditur policia. Sipas hetimeve të para mendohet se kemi të bëjmë me një vetëhelmim të shkaktuar si pasojë e kushteve të vështira ekonomike.
I ngacmoi të dashurën, shqiptari i ngul thikën italianit
ITALI – I ngacmon të dashurën, shqiptari plagos me thikë italianin. Sipas Policisë italiane, bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur në provincën e Mecerates. Sipas hetimeve të autoriteteve italiane, i plagosuri Vincenzo Alberti dyshohet se ka ngacmuar fillimisht një vajzë, e cila ndodhej në shoqërinë e shtetasit shqiptar. Pas këtij veprimi të shtetasit italian, emigranti shqiptar e ka qëlluar me thikë shtetasin vendës në konflikt e sipër. Policia nuk ka bërë me dije emrin e autorit të ngjarjes, i cili është shpallur në kërkim. Ndërkohë, i plagosuri me thikë është dërguar në spital ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Arrestohet në kufi i dënuari për “vjedhje”
GJIROKASTËR – Arrestohet në kufi i dënuari me 1 vit e 6 muaj burg për “vjedhje”. Policia e Gjirokastrës njofton se ditën e djeshme rreth orës 03:00, shërbimet e policisë në pikën e kalimi kufitar Kakavijë kanë bërë të mundur ndalimin e shtetasit
Hekuran Mullahu, 24 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në fshatin Bradashesh, Elbasan. “Në Kakavijë, më datën 12.03.2010, rreth 03:30, në sportelin e përpunimit të shtetasve në hyrje për në Republikën e Shqipërisë është paraqitur shtetasi Hekuran Muharem Mullahu, i cili nga verifikimet e bëra në sistemin TIMS figuronte shtetas i shpallur në kërkim”, – bën të ditur Policia e Gjirokastrës. Ky shtetas është shpallur në kërkim nga Drejtoria e Policisë Elbasan, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan e ka dënuar me 1 vit e 6 muaj burg për veprën penale të “vjedhjes në bashkëpunim”.
“Luftë” në Lushnjë, një i plagosur, dy në kërkim
LUSHNJË – Sherri mes disa të rinjve ka degjeneruar deri në përleshje më armë. Qyteti i Lushnjës është tronditur mbrëmjen e djeshme nga krismat e armëve. Sipas burimeve nga policia, një grup të rinjsh u grindën mes tyre në qendër të qytetit duke përdorur më pas dhunën fizike dhe në fund edhe armët e zjarrit. Policia thotë se pas përleshjes fizike, shtetasi i dyshuar Genci Shurdhi ka qëlluar me armë zjarri tip pistoletë në drejtim të shtetasit Ristan Shurdhi duke i shkaktuar plagosje të rëndë në këmbë. Forcat e rendit shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa autorët e krimit ishin larguar. Genci Shurdhi dhe Mishel Veliu janë shpallur në kërkim nga policia me akuzën e plagosjes dhe armëmbajtjes pa leje, ndërsa policia ka dërguar në spital të plagosurin Ristan Shurdhi për ndihmën e parë mjekësore. Shkak i konfliktit të ndodhur mes dy palëve në orët e vona të natës, ka qenë një zënkë për arsye banale.
Del nga shinat treni, nuk ka të lënduar
LEZHË - Del nga shinat treni i linjës Tiranë – Shkodër, por fatmirësisht nuk ka viktima. Ngjarja e rëndë ka ndodhur 3 kilometra në dalje të qytetit të Lezhës. Mësohet se shkak për daljen e trenit nga shinat është bërë kalbëzimi i traversave të hekurudhës. Ngjarja ndodhi rreth orës 15:45, ndërsa mësohet se nuk ka asnjë të lënduar nga dalja e tij. Në momentin e daljes nga shinat në tren ka pasur 3 vagonë me pasagjerë, të cilët kanë qenë në panik, pasi treni ka vazhduar të ecë edhe për 50 metra të tjerë në tokë, pastaj ka ndaluar.
Shpërthen bombola e gazit, shpëtojnë banorët
KORÇË – Shpërthen bombola e gazit, u rrezikohet jeta 4 anëtarëve të një familje. Ngjarja në fjalë ka ndodhur mesditën e djeshme në një ndërtesë dykatëshe në Lagjen Nr. 16 të qytetit. Familjarët ishin duke u ngrohur me sobë gazi teksa bombola ka shpërthyer duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre. Të alarmuar ata kanë dalë jashtë ndërtesës duke u shpëtuar flakëve të zjarrit. Menjëherë kanë mbërritur në vendngjarje forcat zjarrfikëse, të cilat bënë të mundur shuarjen e zjarrit, por pa mundur të shmangin djegien e njërës prej dhomave. Fatmirësisht çdo gjë ka përfunduar vetëm me dëme materiale, pa të lënduar.
13 Mars 2010