E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Blindohet” Bregu i Lumit pas konfliktit mes komisionerëve

Policët e veshur me antiplumb neutralizojnë konfliktin e lindur në një qendër votimi, pas mbërritjes së Sali Lushës e Dem Dollapit

Tiranë Një incident i klasifikuar si ndër më të rëndit e ndodhur gjatë ditës së djeshme në Tiranë u shënua rreth orës 19:30 në afërsi të “Bregut të Lumit”, në qendrën e votimit 1942/1. Dëshmitarë në vendngjarje pohuan se gjatë ditës së djeshme kjo qendër ka pasur probleme, pasi herë pas here është ndërprerë votimi për shkak të konflikteve mes komisionerëve të dy partive kryesore. Fillimisht konflikti ka nisur mes komisionerëve, ku përfaqësuesit e dy partive janë konfliktuar me grushte mes tyre. Mësohet se menjëherë pas nisjes së konfliktit, ambienti përpara qendrës së votimit është mbushur nga një numër i madh makinash. Sipas dëshmitarëve okularë, mes njerëzve që kanë zbritur nga makinat kanë qenë edhe Sali Lusha apo Dem Dollapi, personazhe të njohur këta për të kaluarën e tyre problematike. Po sipas dëshmitarëve që kanë qenë prezent në momentin e konfliktit, persona ende të panjohur, në konflikt e sipër kanë nxjerr armët, por fatmirësisht nuk kanë arritur të qëllojnë për shkak të ndërhyrjes në kohë të efektivëve të policisë, duke bërë që personat në fjalë të largoheshin me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, forca të shumta blu, të veshura me antiplumb rrethuan vendin e ngjarjes dhe nisën verifikimet për zbardhjen e saj. Edhe pse qendra e votimit ishte e rrethuar nga forca të shumta policie, komisionerët nuk kanë kursyer sharjet dhe ofendimet mes tyre, duke acaruar edhe më tej situatën. Pas disa minutash verifikimi, Policia e Tiranës u largua pjesërisht nga qendra e votimit 1942/1, por aty sërish ajo ka qenë prezente, dhe ka qëndruar deri në momentet e mbylljes së votimit në këtë qendër votimi. Nga ana tjetër, ekspertët hetimorë kanë nisur menjëherë punën për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje dhe identifikimin e personave përgjegjës për krijimin e këtij incidenti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›