E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rekord në Tiranë, votimi deri në mesnatë

SHKRUAN: Habjon Hasani 09-05-2011 14:17

Zgjedhjet e djeshme kanë shënuar një rekord, sa i përket orarit të votimit, që në një qendër në Tiranë ka kapur mesnatën. Precedenti i pazakontë ndodhi në qendrën e votimit 1992, të vendosur në shkollën “Avni Rustemi” në Tiranë, ku votimi ka zgjatur deri në orën 24.00. Pas mbarimit të orarit zyrtar të votimit, dje në orën 19:00, një radhë e gjatë prej 150-200 votuesish kanë qenë duke pritur jashtë shkollës. Duke parë këtë fluks qytetarësh në pritje të votimit, kryetarja e kësaj qendre, përfaqësuese e Partisë Socialiste ka kërkuar mbylljen e qendrës, por është kundërshtuar nga komisionerët demokratë. Kjo mosmarrëveshje është shoqëruar për një kohë relativisht të gjatë me debate mes palëve, të cilat nuk binin dakord mbi atë që duhej të bëhej në vijim: të mbyllej votimi dhe të liheshin pa votuar 200 qytetarë apo të vazhdonte votimi. Procesi është bllokuar për gati dy orë, ndërsa votuesit që shpresonin të votonin kanë qëndruar aty pa lëvizur, derisa u vendos që procesi të zgjaste derisa të votonte personi i fundit. Kjo situatë ka shqetësuar deputetët e Partisë Socialiste, Paulin Sterkaj e Ledi Shamku, ndërkohë që pranë kësaj qendre ka mbërritur edhe vëllai i kreut të PS-së, Olsi Rama. Procesi i votimit deri në mesnatë në shkollën “Avni Rustemi” është monitoruar me kujdes edhe nga një numër i konsiderueshëm vëzhguesish të huaj.

***

Radhët e gjata, thuajse në të gjitha qendrat e votimit në Tiranë kanë qenë kryefjala e ditës së djeshme në Tiranë, komentuar kjo falë procesit disi të vështirë për shkak të 4 fletëve të votimit. Që në orët e para të mëngjesit, qytetarë të shumtë janë dyndur në qendrat e sapohapura, situatë kjo që është vënë re deri në 1 orë pas mbylljes së orarit zyrtar të votimit. Qytetarët dje kanë pritur deri edhe në 2 orë për të votuar në disa qendra, ndërsa vonesat 20-minutëshe kanë qenë krejt normale. Rreth orës 09:00 të paradites së djeshme është shënuar dhe incidenti i parë, me stafin e televizionit Top Channel. Në rrugën e “Elbasanit”, në afërsi të Qytetit Studenti në Tiranë, është goditur grupi i xhirimit, i drejtuar nga gazetari Marin Mema dhe është marrë një kamera digitale. Shërbimet e Komisariatit të Policisë nr.1 Tiranë, pas një pune të shpejtë hetimore, bënë të mundur gjetjen e kamerës në rrugicat pranë pallateve në rrugën “Pjetër Budi” në Tiranë dhe identifikimin dhe shoqërimin autorëve të dyshuar të vjedhjes së kamerës. Autorët dyshohet të jenë 14-vjeçari me iniciale D.B., si dhe shtetasi Agim Kocilla, 38 vjeç, banues në Tiranë, të cilët u morën në pyetje në Komisariatin e Policisë nr.1 në Tiranë. Në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, po punohet për të zbardhur rrethanat dhe motivet e kësaj ngjarjeje.

***

Kombinati ishte një tjetër zonë e nxehtë e zgjedhjeve lokale në Tiranë, ku rreth orës 11:30 në Kombinat, në afërsi të shkollës “Myslym Keta” janë konfliktuar me njëri-tjetrin tre shtetas. Menjëherë pas marrjes së këtij njoftimi, shërbimet e parandalimit të krimit të Komisariatit të Policisë nr.6 Tiranë, bënë të mundur shoqërimin e shtetasve të përfshirë në këtë konflikt. Sipas policisë, motivi i grindjes së shtetasve Vladimir Hysi, 53 vjeç, kryeplak për Njësinë nr.6 Tiranë; Gildian Koraqi, 51 vjeç dhe Bujar Karaj, 32 vjeç, ka qenë për mbajtjen e radhës për të votuar zgjedhjet vendore 2011. Në oborrin e shkollës autorët e dyshuar, Gildian Koraqi dhe Bujar Karaj, kanë debatuar dhe më pas kanë goditur dhe dhunuar shtetasin Vladimir Hysi. Aktualisht, Gildian Koraqi dhe Bujar Karaj janë shoqëruar dhe po merren në pyetje, ndërkohë që do të procedohen për veprën penale të “Dëmtime të tjera me dashje”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›