E Diel, 1 Nëntor 2026

Ruçi i merr kompetencat e sekretarit organizativ Blendi Klosi

 

Kryetari i Asamblesë Kombëtare socialiste, Gramoz Ruçi, është duke u marrë direkt me përgatitjet për kongresin e jashtëzakonshëm të PS-së, që do të mbahet në 29 gusht. Burime pranë selisë rozë pohuan dje se ai është duke përgatitur të gjitha materialet me të cilat do të punojë kongresi. Madje, mësohet se ai po merret dhe me përgatitjet për procesin zgjedhor në PS, i cili përmes parimit “një anëtar, një votë” do të zgjedhë kryetarin e ri të kësaj partie, proces i cili pritet të zhvillohet brenda muajit shtator. Këto janë kompetenca që i mbulon sekretari organizativ në PS, Blendi Klosi, i cili këto ditë nuk është dukur fare në selinë rozë. Është përvoja që Ruçi ka në PS tradicionalisht si numri dy në këtë parti, që lehtëson punën për organizimin e një kongresi të jashtëzakonshëm, ku ai i 29 gushtit ka të bëjë dhe me zgjedhjen e kryetarit të ri të PS-së. Edhe pse nuk ka kompetencë në firmosjen e shkresave organizative që i dërgohen degëve të rretheve, pasi ai është aktualisht vetëm drejtues i mbledhjes së Asamblesë Kombëtare dhe ndjekjen e vendimeve të saj, Ruçi po ndjek nga afër të dhënat që vijnë nga verifikimi i numrit të anëtarësisë socialiste, që do të marrë pjesë në votimin për kryetarin, por dhe të komisionerëve socialistë që do të administrojnë procesin e votimit. Madje, ditët e fundit në selinë rozë janë paraqitur sipas një grafiku dhe krerët e PS-së së bashkive dhe komunave kryesore dhe delegatët e kongresit, të cilët kanë përcjellë dokumentacionin e kërkuar nga kryetari i Komisionit Zgjedhor në PS, Genc Gjonçaj, rreth listës së anëtarësisë dhe emrat e komisionerëve.          

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›