Bllof me kuotimin e grave
Faktorët kryesorë politikë në Tiranë, kanë rënë dakord verbalisht për koutimin e detyruar ligjor të grave në parlamentin e ardhshëm. Me sa kuptohet, kodi elektoral, do të detyrojë partitë të propozojnë në listat e tyre, të paktën 30% gra. Deri këtu jemi në rregull. Po a do të reflektohej ky kuotim në realitet, d.m.th. a do të kishim në parlamentin shqiptar, prej 140 deputetësh, të paktën 42 gra?
Hartuesit e këtij projekti, po e fusin veten në një qorrsokak. Për arsye se një kuotim i detyruar, brendasistemit elektoral, proporcional rajonal, që ka zgjedhur Shqipëria, do të rezultonte një bllof. Një nga shumë arsyet e servirura nga iniciatorët për ndryshimin e sistemit elektoral, ka qenë edhe mundësia e rritjes së përfaqësimit të grave në parlament. Normalisht kjo mundësi, krahasuar me sistemin e mëparshëm, vjen e rritet vetvetiu, por kur flasim për kuotim të detyruar ligjor, puna qëndron ndryshe. Ligji mund të imponojë kuotimin, por nuk garanton rezultatin, me pak fjalë ligji nuk garanton efektin dhe, si i tillë, mund të krijojë probleme ekuivoke, deri në absurd.
Ta shpjegojmë teknikisht. Çfarë ndodh në sistemin tonë?
Së pari, keminjë sistem proporcional rajonal, që do të aplikohet në 12 rajone, të ndara sipas qarqeve. Secili rajon duhet konsideruar një Shqipëri e vogël, që nuk ka asnjë lidhje me “11 shqipëritë” e tjera elektorale. Përjashtuar Qarkun e Tiranës, që sipas të gjitha gjasave, pritet të ketë rreth 30 deputetë, në asnjërin prej qarqeve të tjera, kuotimi i imponuar në lista nuk ka garanci që do të reflektohet në parlament. D.m.th. nuk ka asnjë garanci që do të kemi përfaqësim prej 30 % gra (madje as 20%). Për të qenë sa më të saktë në arsyetim, po i grupojmë rajonet elektorale bazuar në afërsinë e numrit të deputetëve që pritet të kenë në parlamentin e ardhshëm. Pas Tiranës, dy qarqet që do të kenë më shumë vende në parlament janë, Fieri dhe Elbasani, afërsisht nga 15. Sipas të gjitha gjasave, ndarja e vendeve në parlament,e majtë - e djathë, ose anasjelltas, do të jetë 8 me 7 (ose 9-6). Këto vende pritet të fitohen të paktën mes tri subjekteve kryesore politike: PS-së, LSI-së dhe PD-së. Duke llogaritur se, në çdo treshe, në listat e këtyre partive, do të kishim një grua, në numrat 3 dhe 6, i bie që në këto qarqe, në rastin më ideal, të kishim 11 burra dhe 4 gra, ose 25 % gra. Në rast se 2-3 parti të vogla do të arrinin të merrnin deputet, në këto qarqe, d.m.th. asnjëra prej partive të mëdha nuk do të merrte më shumë se 5 deputetë (një gjë e mundshme kjo në kontekstin e sotëm shqiptar), atëherë raportet e përfaqësimit burra-gra do të zvogëloheshin deri në 13 me 2, që do të përkthehej në rreth 13 % gra. Në rastin më probabël, pa marrë parasysh asnjë faktor tjetër, shifra e përfaqësimit të grave në këto qarqe, do të ishte më pak se 20 %.
Sipas kësaj logjike arsyetimi, në qarqet me 12-13 deputetë (Vlorë, Korçë, Shkodër dhe Durrës) kjoshifër, në rastin më ideal do të ulej praktikisht në 20% ndërsa në rastin më probabël ajo do të ishte rreth 15 %. Po sipas këtij arsyetimi, në rastin e prefekturave me 6-9 deputetë (Dibër, Lezhë, Berat), përqindja probabël e fitores së numrave të detyruar 3 dhe 6 në listat e partive, do të ulej akoma më tepër. Në qarqet me 4-6 deputetë (Kukës dhe Gjirokastër), për arsye të specifikave, përqindja probabël e grave do të ishte 0. Gjithnjë flasim për detyrim ligjor, pasi partitë, po të duan, i vendosin gratë në vendet e para.
Në rastin e Tiranës, probabiliteti i përfaqësimit të grave në parlament, do të varej nga numri i partive të vogla që do të arrinit të merrnin nga 1 deputet. Bazuar në realitetin politik, përveç partive të mëdha, shansin për të fituar ndonjë deputet, në rajonin e Tiranës, e kanë, të shumtën, 4-5 subjekte (referuar Këshillit Bashkiak të Tiranës me 55 vende, përveç tri partive të mëdha, kemi edhe 10 parti të vogla, gjysma e të cilave janë përfaqësuar aty falë shifrës pas presjes dhjetore, pa arritur të plotësojnë kuotën për një këshilltar të plotë). Rezultatet e pritshme të tri partive të mëdha, pak a shumë, pritet t’i reflektojnë kuotat e grave në parlament, në rastin më ideal në masën 30%, ndërsa probabilisht mbi 25%.
Nëse do të bënim njëfarë mesatarizimi, duke marrë për bazë vetëm sistemin elektoral, të futur tashmë në kushtetutë, nga të gjitha këto që shpjeguam, do të na rezultonte që, përfaqësmimi faktik i grave në parlament, në rang kombëtar, do të ishte diku në shifrat 15 -16 %, shumë më i vogël se ai i kuotuari me ligj.
Së dyti, me sa po flitet, ekziston mundësia të futet në Kodin Elektoral një element tjetër që do të ndikonte në uljen e përqindjes së grave në parlament, pavarësisht nga impomimi në lista. Ky element ka të bëjë me llogaritjen e vendeve brenda koalicioneve të përbëra, për të cilat është rënë dakord. Nëse brenda këtyre koalicioneve, do të lejohet që deputeti i fundit të merret nga partia, që ka presjen dhjetore më të madhe, pra nëse me folklorizëm do të shmanget formula D’Hont që do të përdoret për ndarjen e vendeve mes koalicioneve (d.m.th. do përdoreshin dy standarde), atëhere do të rritej artificialisht numri i deputetëve të fituar nga partitë e vogla dhe për pasojë, probabiliteti i përfaqësimit të grave në parlament, do të ulej akoma më tepër.
Kuotimi i grave, do të kishte efekt në një sistem proporcional kombëtar me një prag, në rastin e Shqipërisë, të paktën 2.5% (çdo prag tjetër më i lartë do të rriste mundësinë e reflektimit të kuotimit të grave, në mandate parlamentare), ku në çdo treshe të rreshtuar në listat e partive, njëra praj kandidaturave do të ishte grua. Partia që do ta kapërcente pragun 2.5 %, do të kishte të paktën 3 deputetë në parlament, njërin prej të cilëve grua. Kjo llogaritur sipas metodës Sainte-Laguë. Kësisoj, kuotimi i grave do të ishte i zbatueshëm, pothuajse plotësisht. Në kontekstin politik shqiptar, ku kemi tri parti relativisht të mëdha, në shifrat prej të paktën 10%, dhe 3-4 parti të tjera që pretendojnë të shumtën kalimin e pragut, d.m.th. 2.5-3 % (që do të reflektohej në 3-4 deputetë secila), efekti do të ishte igarantuar. Që do të thotë se, partitë, ose do të mbeteshin në klasë, pra nuk do ta kapërcenin pragun, ose do të përfaqësoheshin me afro 30% gra. Do të kishim një sistem të ngjashëm me atë të aplikuar në Kosovë, proporcional kombëtar, preferencial, me prag 5%, i cili detyron një parlament me të paktën 30% gra.
Teorikisht me sistemin proporcional rajonal ligji mund të mos imponojë asnjë grua në parlament edhe pse do t’i impononte në lista. Ky është problemi. Dhe, ose duhet ndryshuar sistemi (e pamundur kjo sepse sapo është miratuar), ose duhet hequr dorë nga kuotimi. Tjetër gjë është gatishmëria e vetë partive për të përfshirë sa më shumë gra në lista dhe realisht në parlament. Normalisht, në standardet, në të cilat ndodhet sot politika shqiptare, kam parasysh këtu iniciativat e disa partive për t’i dhënë prioritet përfaqësmit të grave, shifra prej të paktën 15-20% e këtij përfaqësimi, që për momentin do të ishte optimale, mund të vinte thjeshtë si iniciativë e vetë partive, pa qenë të detyruar të miratojmë një ligj të pazbatueshëm në realitet, d.m.th. një ligj mashtrues, që në lista imponon futje grash, ndërsa në parlament përfundojnë burra!
Ligji ynë elektoral nuk është i përshtatshëm për kuotimin e grave. Gratë janë të lira t’i nënshtrohen konkurimit, ashtu siç partitë janë të lira të rrisin kuotimin e grave, qoftë edhe për qëllime elektorale. Deri këtu ligji ka favore. Për kuotimin ose jo të grave, mund të flitet gjatë, është temë tjetër kjo. Ajo që mund të themi tani është se, qëkurse Shqipëria adaptoi proporcionalin rajonal, e ka lënë përfaqësmin e grave në dorë të partive (më parë ky përfaqësim ishte direkt në dorë të zgjedhësve). Në përfundim, mund të themi se sistemi i ri elektoral në Shqipëri, përbën një shans më tepër për përfaqësimin real të grave në parlament, por jo shans për kuotim ligjor të tyre.