E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këta papagaj gërdallash politike

TË RINJTË DHE POLITIKA

Instinkti i mbijetesës, i nxit shpesh “aktorëte vjetër” në çdo fushë publike, të jenë cinikë dhe refuzues ndaj hyrjeve të reja. Në fakt, çdo prurje e re, në mënyrë logjike, priret të ndërtojë një karrierë më të sukseshme dhe më integrale, sesa ata që, tashmë, janë të pozicionuar qartë në fushën e lojës, por edhe që mbartin detyrimisht mbi vete, ngarkesat e eksperiencës së tyre publike.

Ndaj, politikanët e vjetër, shpeshherë, gjejnë mënyra kreative për të dënuar të rinjtë e politikës, në përpjekje për t’i ndaluar ata të faktorizohen në substancë dhe në ide. Një ndër këto mënyra është një tip lufte brenda llojit,- (ku me lloj nënkuptojmë jo ngjyrën e spektrit, por pikërisht kategorinë e rinisë në politikë) - duke i vënë mëtuesit e rinj politikë të copëtojnë njëri-tjetrin me fjalë dhe akuza soj-soj, me rrena dhe shpifje absurde.

Në plan afatshkurtër, gërdallat e politikës mund t’ia dalin të baltosin sfiduesit e tyre të rinj në krahun tjetër të spektrit, por në plan afatgjatë, ata pësojnë edhe vetë një goditje fatale në imazhin që i japin vetes në publik, duke humbur nga pak çdo ditë, respektin dhe konsideratën e këtij të fundit.

Të rinjtë në politikë shihen si shpresa dhe vizioni i qindra mijë shqiptarëve të brezit të fundit që kërkojnë ndryshim. Është dëshpëruese që pikërisht disa nga këta të rinj që mbartin këtë shpresë kaq jetike, të bëhen altoparlantë mashtrues dhe papagaj qesharakë të politikës së vjetër. Edhe më dëshpëruese bëhet situata kur përfaqësuesit e kësaj të fundit, e kanë të lehtë t’i vënë të rinjtë të merren me njëri-tjetrin, e ndërkohë vazhdojnë të pashqetësuar të konsolidojnë pozitat e tyre në një pushtet të shndërruar në qëllim në vetvete.

Shohim sot zëdhënës kokëulur, teksa shqyejnë sytë dhe mërmërisin fjalë deklaratash të cituara “nga shefat” që nuk do të donin t’i shqiptonin kurrë; ngatërrohen me “argumentat” e shefave të tyre dhe fillojnë lëshojnë vrer kundër të ngjashmëve, atyre që idealisht do të duhej t’i përkrahnin, ose me të cilët do të duhet të përballnin idetë dhe kundërshtitë programore dhe ideologjike.

Nga yje të shpresës për ndryshim politik, shndërrohen kësisoj në papagaj me ngjyra të shplara dhe pupla të rëna. Shndërrohen në tela përcjellës dhe zhurmues pa identitet që hutojnë publikun dhe befasojnë bashkëmoshatarët me metamorfozën e tyre të shëmtuar.

Edukimi dhe eksperienca e tyre zbehen. E vetmja gjë që mbetet është një fytyrë e zbrazët dhe një zë bosh që përsërit ad-nausea fyerjet, shpifjet dhe sharjet e dikujt tjetër. Dhe spektakli i shëmtisë nuk mbaron këtu. Pas deklaratave para kamerave, këta papagaj të moshës së internetit, nxitojnë të shfajësohen në telefona, forume on-line e website, se ishin të detyruar të vepronin në mënyrë të tillë, sepse përndryshe… Sepse përndryshe, gërdallat do t’i kafshonin.

Këta janë bërë kundërshembulli i angazhimit të të rinjve në politikë, pengesa e të gjithë atyre që dëshirojnë të futen në jetën publike. Ju mungon vetëm një gardh lëkure rreth gojës, të cilin e tërheq ose e liron shefi sipas rastit: “Jo, sot vetëm leh! Nesër do ta kafshojmë. Urtë, urtë …!”

Ndaj, pakkush nga të rinjtë shqiptarë, sot guxon të përballet me jetën publike. Sepse “shtigjet” janë të ruajtura nga vigjilentë, që detyrojnë aspirantët e rinj, ose të heqin dorë nga ëndrra politike, ose të bëhën qen kufiri pensionistë. E ç’ëndërr kanë papagajtë e së sotmes?Për fat të keq u ka ngelur vetëm ëndrra që një ditë të bëhen të famshëm, aq sa… Fahri Balliu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›