Bllofi i policisë, floriri i sekuestruar mpaket me 91 kg
TIRANË- Një operacion “i fryrë”, si në sasinë e floririt të sekuestruar, po aq edhe në dokumentimin e veprës penale. Kështu e ka konsideruar prokuroria operacionin policor të dy ditëve më parë, pasi ka peshuar për gjithë natën floririn dhe ka konstatuar se pesha është 109 kilogramë dhe jo 200. “ Floriri i gjetur në shtëpinë e vëllezërve Astrit dhe Genci Lamçe është peshuar megjithë ambalazhet, kutitë apo sirtarët ku mbahej nga policia, duke e shtuar me 91 kg peshën e mallit të sekuestruar”,-bëjnë me dije për “Shekullin” burime nga grupi hetimor.Me kërkesë të të arrestuarve dhe prokurorit të çështjes, Ardian Braho, është kryer edhe llogaritja e hyrje-daljeve të floririt në Shqipëri, duke u bazuar në faturat që organi i akuzës dhe familjarët disponojnë. Edhe gjatë këtij verifikimi, nuk ka munguar “bllofi” i policisë, pasi ka rezultuar se vetëm 30 % e floririt nuk disponon faturë.
“Floriri i sekuestruar tre ditë më parë ka një peshë prej 109 kg. Nga verifikimet e faturave që janë sekuestruar nga prokuroria në banesën e vëllezërve Lamçe dhe atyre faturave të siguruara nga familjarët për prokurorinë ka rezultuar se vetëm rreth 33 kg e floririt që është sekuestruar, nuk është zhdoganuar, duke u futur kontrabandë në Shqipëri”,-thuhet nga prokuroria. Sipas këtyre burimeve, mësohet se prokuroria ka siguruar dy fatura, njëra e blerjes dhe tjetra e zhdoganimit, të cilat mbajnë të njëjtin numër serie, por sasi të ndryshme të deklaruara. Gjithashtu, ka pasur rezerva edhe në lidhje me lingotat e floririt, që sipas policisë mendohet se janë të vjedhura nga thesari i shtetit në vitin 1997. Pas verifikimeve të kryera, organi i akuzës shprehet se në thesarin e shtetit nuk ka pasur lingota, por vetëm monedha floriri të vulosura. “Këto dy lingotat e sekuestruara mendojmë dhe dyshojmë se janë të Bankës Kombëtare të Shqipërisë dhe jo të vjedhura në vitin 1997 në thesarin e shtetit. Në ditët në vazhdim do të kërkojmë nga institucioni i Bankës Kombëtare Shqiptare të kryejë verifikimin e të gjitha procesverbaleve dhe raporteve që pasqyrojnë numrin e lingotave që ndodhen në arkën e shtetit”,-thanë burimet nga akuza.
Sipas prokurorisë, i gjithë malli i sekuestruar vinte nga Italia, duke përdorur linjat ajrore nga Rinasi apo rrugën detare nga porti i Durrësit. Nga veprimet paraprake, organi i akuzëska ngritur dyshimet se dy vëllezërit Astrit e Genci Lamçe kanë konsumuar elementë të veprave penale të “evazionit fiskal” dhe “kontrabandës me mallra të tjerë” në bashkëpunim me njëri-tjetrin. Për të vërtetuar këto dyshime, organi i akuzës konfirmon se ekzistojnë një sërë provash materiale, si filmime, fotografi dhe procesverbale të mbajtura gjatë vëzhgimit të kryer nga efektivët e policisë së shtetit pranë Drejtorisë së Policisë në Tiranë. Mësohet se gjatë përgjimeve ambientale, dy vëllezërit kanë shprehur dyshimet se denoncimi për arrestimin e tyre është bërë nga konkurrentët e biznesit, që sipas akuzës, janë të shumtë. Tre ditë më parë, me urdhër të njësisë së task-forcës pranë prokurorisë së kryeqyteti, agjentët e policisë kryen arrestimin në flagrancë të dy vëllezërve Astrit e Genc Lamçe, të cilëve gjatë kontrollit të banesës iu sekuestruar 109 kg flori të përpunuar, 210 mijë euro, 1.5 milionë lekë dhe 500 USD.
Astrit dhe Genci Lamçe: Vetëm një pjesë është futur kontrabandë
Vëllezërit e arrestuar, monopol me tregtinë e arit
TIRANË- Dy vëllezërit Astrit dhe Genci Lamçe kanë pranuar para oficerëve të policisë se një pjesë të floririt e kishin kontrabandë, por kanë mohuar se e kishin vjedhur. Burime nga policia thanë se dy vëllezërit Lamçe posedonin licensë dhe ishin të vetmit në vend që shisnin flori me shumicë. Por ata kamuflonin me faturat duke shitur edhe sasi të mëdha floriri kontrabandë. Shumë dyqane argjendarish nga i gjithë vendi shkonin e furnizoheshin në banesën e dy vëllezërve, të cilën e kishin konvertuar në një punishte. Madje edhe në momentin e arrestimit, dy vëllezërit janë kapur në banesë teksa po iu shisnin flori me shumice tre tregtarëve. “Nëse një tregtar blinte 900 gramë flori, në faturë dy vëllezërit shënonin se po shisnin 200 gram, kjo bëhej edhe me dijeninë e klientit. Madje pagesat kryheshin nëpërmjet bankës. Astrit dhe Genci Lamçe kishin në llogari bankare sasi të konsiderueshme parash të cilat aktualisht janë bllokuar”,- thanë për “Shekullin” burimet policore. Ndërkohë që për dy shufrat e floririt që policia deklaroi paraprakisht se ato mund të ishin vjedhur nga thesari i shtetit, dy vëllezërit treguan se kishin shkrirë floririn në formë shufrash. Burimet policore thanë se dy të arrestuarit kishin pasur më parë dyqane argjendarie por nuk kishin pasur fitime të kënaqshme ndaj dhe i kishin mbyllur për t’u marrë vetëm me shitjen me shumicë të floririt, gjë e cila u siguronte më shumë të ardhura. Ndërsa ata po planifikonin hapjen e një dyqani të madh argjendarie pas disa kohësh.