E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama: Politika e Ilir Metës, pa të ardhme

Tragjedia e Gërdecit, përgjegjësi morale e Berishës. Prokuroria, përgjegjëse për zbardhjen e saj

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka konfirmuar edhe një herë se forca që ai drejton nuk do të bëhet kurrë pjesë e një skenari për rrëzimin e kryeministrit Sali Berisha me protesta të dhunshme. Duke folur në emisionin “Top Story”, shefi i selisë rozë ka komentuar zhvillimet e fundit politike dhe rrugën që do të ndjekë opozita për të ardhur në pushtet, ku dhe ka vënë theksin tek politika ndryshe që kërkon të praktikojë PS edhe në raport me qeverinë dhe institucionet e vendit. Në këtë mënyrë, ai është shprehur kategorik në qëndrimin e vet, se socialistët do të mbështesin vetëm rrugën e rrëzimit të Berishës me votë dhe jo me forcë, duke e konsideruar nga ana tjetër jo të pranueshme dhe pjesë të politikës së vjetër qëndrimin që ka mbajtur LSI për këtë çështje. “Nëse Gërdeci do të kishte ndodhur me Berishën në opozitë, atëherë Berisha do të kishte marrë të gjitha mjetet për të shkaktuar dhunë ashtu siç ka bërë me parë. Por unë jam i bindur se shumica dërrmuese, përveç një pakice të skajshme, kurrsesi nuk do ta miratonin skenarin e një opozite që turret në rrugë për të kërkuar rrëzimin e qeverisë. Modeli ynë për të rrëzuar Berishën, është modeli i marrjes përsipër të barrës për të trajtuar dhe zgjidhur çështjet që kanë të bëjnë me qytetarët dhe të ardhmen e vendit”,- është shprehur Rama. Ndërkohë, duke u ndalur tek protesta e fundit e opozitës, ai ka shprehur edhe një herë keqardhjen që LSI kërkoi ta shfrytëzojë atë për përfitime politike, ku pavarësisht se qytetarët ishin ftuar të protestonin për dy çështje madhore siç është siguria dhe drejtësia, ajo nxori flamujt e saj politikë. “Nuk ishte momenti që partitë politikë të përfitonin politikisht, për të marrë vota për veten e tyre. Ishte momenti për të treguar se të gjithë bashkë bashkohemi në një pikë, që në këtë vend, qeveria duhet të garantojë sigurinë e vetes dhe garantimin e drejtësisë. Në këtë kontekst, ishte e papërshtatshme që një manifestim i organizuar nga të tjetër të dhunohej duke bezdisur qytetarët pjesëmarrës në të”, - tha më tej kryesocialisti. Pavarësisht dallimeve që kanë karakterizuar kohët e fundit qëndrimet e tij me ato të aleatit Ilir Meta, kreu i PS-së edhe një herë është treguar i kujdesshëm në vlerësimet e veta për të. Kështu, ai edhe një herë e konsideruar Metën një mik të tijin që ka rrëshqitur në batakun e politikës së vjetër dhe pa ide. “Ilir Meta nuk është kundërshtari dhe nuk mund të bëhet kundërshtari im. Ai është miku im dhe mua më vjen keq që ai po rrëshqet në një batak ku nuk duhet të kishte rënë dhe ku është zëdhënës i një politike të mllefit, i akuzës dhe shpifjeve. Kjo më jep trishtim që shoh një mik, një partner, një njeri që ka qenë dhe Kryeministër i vendit të katandiset në një zëdhënës i një politike pa të ardhme“, - tha Rama. Ndërkohë, pyetjes nëse do të linte ose jo postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës për atë të kryeministrit pas zgjedhjeve të 2009, shefi i opozitës i është përgjigjur: “Do të jenë shqiptarët ata që do ta vendosin një gjë të tillë me votën e tyre”. Rama nuk i është shmangur as komenteve për tragjedinë e Gërdecit, të cilën e ka konsideruar si përgjegjësi direkte morale të kryeministrit Berisha, ndërsa është shprehur se mbetet përgjegjësi e prokurorisë e zbardhjes së plotë të saj. “Tragjedia e Gërdecit është përgjegjësia morale e Berishës, ndërsa drejtësia duhet të nxjerrë përgjegjësit. Gërdeci është nga njëra anë një përgjegjësi historike e organeve të drejtësisë dhe nga ana tjetër është një tragjedi ku ushqehen hienat e politikës”, - tha Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›