E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fatkeqësisht, LSI po grushton ulët interesat e së majtës

Duket qartë së fundmi se LSI ka vendosur të braktisë njëherë e mirë çdo lloj pretendimi se është një forcë që udhëhiqet nga parime e vlera, e të luajë me çdo instrument që zotëron, sado të ulëta apo të pamoralshme qofshin ato, për të ruajtur e garantuar interesat e një apo dy individëve.

Çfarë emri mund t’u vësh tek e fundit ngjarjeve që po ndodhin? Tentativa idiote për të sabotuar protestën e opozitës, sulmet e shëmtuara e të vazhdueshme ndaj partive opozitare, akuzat nominale për ata që nuk i shkojnë pas fillit ambicieve absurde kryeministrore të kryetarit të saj, etj., për mendimin tim, para së gjithash, janë përpjekje të ulëta për të dëmtuar opozitën.

Mund të ulërasësh gjithë ditën se vetëm ata duan të heqin Sali Berishën, e plot broçkulla të tjera si këto. Por në terren gjithë sa ka bërë LSI këto kohë kanë qenë veprime që kanë ndihmuar pikërisht Berishën e askënd tjetër.

Madje, po përdoren metodat e Berishës në atë që ky di ta bëjë më mirë. Baltosjen e gjithkujt e të gjithçkaje pa asnjë vetëkufizim e pa asnjë normë etike. Ashtu siç ka vepruar historikisht PD e Berishës, duket se tanimë edhe LSI po përpiqet të mbledhë rreth vetes ca rrugaçë e njerëz pa integritet e moral; njerëz që kanë si të vetmen vlerë aftësinë për t'i thënë lepe peqe çdo urdhri për të bërë zullume.

I vetmi problem me këtë strategji është se ajo jo vetëm nuk do ta nxjerrë LSI fituese, por ka të ngjarë ta detyrojë kryetarin e LSI që, siç tha në emisionin Opinion, të rishikojë pozitat e tija brenda partisë. Ku i dihet, ndoshta bëhet edhe Meta "kryetar i radhës", gjë që do të ishte padyshim një zhvillim pozitiv për demokracinë në partitë shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›