Kritika Amerikës për krizën në tregjet financiare
Ministri gjerman i Financave, Per Shtainbruk, bëri përgjegjëse qeverinë amerikane për krizën në tregjet financiare.
Zoti Shtainbruk tha se administrata amerikane në mënyrë të papërgjegjshme kishte kundërshtuar thirrjet e Evropës për rregulla më të rrepta në funksionimin e institucioneve financiare.
Ai tha se bota nuk do të jetë më si më parë, sepse Amerika do ta humbë rolin e saj si superfuqi financiare.
Më herët, presidenti francez, Nikolas Sarkozi, tha se kriza në sistemin e kredive kishte nxjerrë në pah krizën e një sistemi që e kishte tradhtuar shpirtin e kapitalizmit.
Ai bëri thirrje për rishikimin e plotë të sistemit financiar botëror.
Dallime për paketën financiare Bisedimet në Uashington për paketën qindra miliardë dollarëshe të presidentit Bush kanë nxjerrë në pah disa mosmarrëveshje. Disa kongresistë republikanë kërkojnë që në vend të kësaj pakete me të cilën qeveria synon t'i shpëtojë institucionet financiare duke u blerë ato që njihen si borxhe të këqija, qeveria të miratojë një skemë alternative sigurimi.
Pas disa orë bisedimesh me presidentin Bush, udhëheqësit politikë thanë se nevojitej akoma më shumë punë. Bisedimet pritet të rifillojnë sot. BBC