Dy fytyrat e mender TV-politikës
Përshëndetje “Shekulli”! Mendova që të sjell për diskutim në rubrikën tonë të lexuesve një pjesë nga një analizë e shtypit të sotëm, ku mendoj së pasqyrohet mirë, televiziono-mania e politikanëve këtu tek ne, që në fakt është pikërisht simbolika e paaftësisë, mediokritetit dhe mënyrës sipërfaqësore të bërjes së gjërave.
“…Bejlurçinat e sotme partiake shqiptare, pa përjashtim, janë të marrosur e të dalldisur pas ekraneve të televizioneve më shumë së sa fotomodelet, apo shoëgirl-et. Nuk ka natë apo ditë, rast e pa rast, që të mos na hyjnë përdhunshëm në shtëpi, në kafene, në biseda, në sy e në veshë duke u shfaqur herë me zë e herë me ojna, që të na bindin se janë ata më të mirët e më të aftët për të na drejtuar, përndryshe, për të na hequr për hunde!
Tërë qenia e mosqenia e tyre, madje edhe kuptimi i jetës, nëse janë apo nuk janë të suksesshëm, nëse ndjehen ose jo të rëndësishëm (që do të thotë: të pushtetshëm), nëse do të mbeten ose jo në politikë e më pas edhe në histori, me sa duket nuk varet nga veprimet e tyre nëpër zyra, d.m.th., nga punët e dobishme publike, po nga daljet e përnatshme në publik, nga llafellogjet që hedhin nëpër tribuna e nëpër kronika me mëthetëthashë, nga dendësia e nxjerrjes së surratit nëpër TëVëra e gazeta.
Suksesi i tyre matet me të qenit të pranishëm nëpër gërrmërret e debateve televizive të sherrnajta ku “armiqtë” e partisë (të kryetarit) përherë do të poshtërohen, ndërsa ata vetë do të lartësohen e do të vetëpërjetësohen. Ata pra kanë dy fytyra krejt të ndryshme, një për televizionet dhe një për jetën e përditshme. Me fytyrën e parë, ata janë të ndershmit dhe më të devotshmit, me fytyrën e dytë, vjedhin, abuzojnë, bëhen arrogantë dhe të prepotentë…”.