E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokim kërpit industrial, përdoret si përzierës droge

Duhet të mbillet apo jo kërpi i Shkrelit? Kjo ishte çështja kyçe e takimit mes përfaqësuesve të policisë e institucioneve vendore në Shkodër.

SHKODER/ RITVAN DIBRA

Sipas policisë, vetëm kjo bimë po e klasifikon qarkun në vendet me kultivim të lartë të narkotikëve.
Çështja e përsëritur prej vitesh në këtë rajon, kryesisht pas reagimit ndërkombëtar për kërpin industrial në zonën e Shkrelit është vënë në qendër të takimit, zhvilluar në prefekturën e Shkodrës mes anëtarëve të shtabit rajonal të luftës kundër bimëve narkotike. Qarku i Shkodrës, sipas shefit të sektorit të koordinimit të prefekturave në Ministrinë e Brendshme, Melazim Sadrija, është një ndër tre qarqet më problematikë të vendit lidhur me kultivimin e bimëve narkotike dhe pse ky fenomen ka pësuar ulje nga viti në vit. Ndërsa drejtori i policisë së Shkodrës, Nikolin Bala, ka pohuar se nuk është e vërtetë që ky fenomen në Shkodër ka përmasa aq të mëdha sa thuhet, duke përmendur shifrat se kultivimi i bimëve narkotike në qark ka pësuar ulje nga 15 hektarë të mbjellë vite më parë, tashmë numërohen 3.2 ha, dhe ato të mbjella me kërp industrial, në zonën e Malësisë së Madhe. Pikërisht kërpi, sipas Balës është dhe arsyeja pse Shkodra numërohet në vendet me kultivim të bimëve narkotike. “Po t’i referohemi analizave më të fundit të laboratorit të Ministrisë së Brendshme rezulton që niveli i TCH të jetë më i lartë se 0.1%, shifër kjo që e klasifikon kërpin industrial në kategorinë e drogave dhe e bën kultivimin e saj të paligjshëm. Gjithashtu nga hetimet tona në lidhje me shoqatën e fermerëve të Shkrelit, nuk na rezulton destinacioni i tregtimit të prodhimit si dhe nuk ka kontrata për shitjen e tij”, pohoi kryepolici, duke theksuar se, kërpi industrial përdoret për përzierjen e drogave, ndaj duhet të parandalohet mbjellja e tij. “Ne po presim edhe rezultat e fundit të laboratorit dhe do të ndërhyjmë menjëherë për asgjësimin e të gjithë sasisë së mbjellë me këtë kulturë, pavarësisht se prej kohësh jemi në gjyq me këta kultivues”, u shpreh Bala. Në fund është vendosur që të verifikohet tregu i kërpit industrial deri në përmirësimin e ligjit, ku të kërkohet bllokimi i mbjelljes së tij. Sipas përfaqësuesve në takim, pas banorëve të Shkrelit, “sëmundja” e mbjelljes së kërpit mund të përhapet në të gjithë vendin.

në Strasburg

Britanikët e kërpit do të kërkojnë dëmshpërblim moral në Gjykatën e Strasburgut. Lajmi u bë me dije nga drejtues të shoqatës angleze, “Partneritet për Zhvillim” dhe vetë fermerët e kësaj zone. Presidenti i kësaj shoqate, Martin Pëllumbi (ish-kryetar i Komunës së Shkrelit) ka deklaruar se, çështja do i kalojë gjykatës së njohur ndërkombëtare për të vënë në vend nderin e tyre dhe për të marrë dëmshpërblimin për dëmin moral që iu është shkaktuar. Kjo për faktin se Gjykata e Apelit e Tiranës ka njohur vetëm dëmin material, duke detyruar Policinë e Shtetit t’i dëmshpërblejë me 120 mijë dollarë fermerët e Shkrelit për ngatërrimin e kërpit industrial me hashashin. Por, për dëmin moral të pësuar nga akuzat e padrejta të Policisë së Shtetit do të kërkohet dëmshpërblim prej 90 mijë dollarësh, që u rrëzua prej gjykatës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›