E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dështon gjyqi i Zizës, avokati kërkon prova

PESHKOPI - Ka dështuar për të dytën herë gjyqi në ngarkim të Shpëtim Zizës, i akuzuar nga drejtësia shqiptare se masakroi 10-vjeçarin Bekim Çenga.

Ashtu si ditë më parë është dërguar dje paradite nën masa të forta sigurie nga Burgu i Burrelit në Gjykatën e Faktit Dibër, por seanca e paralajmëruar me bujë nuk është zhvilluar. Vetëm pak minuta ka zgjatur seanca, pasi trupi gjykues ka kërkuar nga Prokuroria e rrethit të përgatisë më shumë fakte e prova rreth ngjarjes. Detajet e kundërshtimit të gjykatës nuk bëhen të ditura, por shtyrja për të dytën herë e gjyqit në ngarkim të mostrës Ziza krijon aludime të ndryshme. Burime të rezervuara thonë se, oficerët e Policisë Gjyqësore, të Prokurorisë dhe komisariatit të policisë nuk kanë hetuar sa e si duhet rreth ngjarjes së rëndë. Megjithëse nuk thuhet zyrtarisht, familjarët e viktimës Çenga dhe ato të të akuzuarit për krimin makabër janë shprehur se, “nuk është Shpëtim Ziza autori i vetëm i ngjarjes”. Të dyja palët kanë thënë publikisht se “të tjerë persona fshihen pas ngjarjes kriminale”. Edhe dje familjarë dhe të afërm të familjes janë mbledhur pranë gjykatës dhe kanë pritur zhvillimit e seancës gjyqësore, madje edhe vendimin e drejtësisë. Pas dështimit të seancës së dytë gjyqësore trupi gjykues nuk ka paralajmëruar datën tjetër të zhvillimit të seancës.            e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›