E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokimi i TIMS, Prençi: S’mund të japim 90 mijë euro

 

TIRANE – Bllokimi i sistemit TIMS që përmban të dhënat e pasaportave të shtetasve shqiptarë dhe listën e personave në kërkim, ka ndodhur për shkak të një pagese prej 90 mijë euro të kërkuar nga pala italiane që ofron shërbimin. Prej gati dy javësh, policia shqiptare është detyruar të mbajë në regjistrat e vjetër të dhënat e hyrje-daljeve në kufi, ndërsa lista informatike e personave të kërkuar nuk është e disponueshme. Shkak është bërë ndërprerja e shërbimit në rrjetin që përmban informacionet bazë kriminale. Problemet kryesore janë shfaqur në kufi, ku policia kufitare ka më pak mundësi tashmë të ndalojë hyrjen apo daljen jashtë vendit të personave që mund të jenë shpallur në kërkim. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ahmet Prençi, tha dje se shërbimi është bllokuar nga kompania italiane “Dish Network”, e cila ofron sinjalin satelitor, i cili më pas shpërndahet në kompjuterët e të gjitha zyrave të policisë shqiptare. Sipas kreut të policisë, anomalia, e cila po bën dhjetë ditë që ka ndodhur, vjen nga fakti se pala italiane po kërkon të parapaguhet për gjithë vitin 2009, ndërsa një gjë e tillë ndalohet nga ligjet shqiptare. Këto të fundit, sipas Prençit, lejojnë parapagesën vetëm për 10 për qind të shumës, ndërsa derdhja paraprake e 90 mijë eurove është e ndaluar nga ligjet e vendit. Ligjet shqiptare lejojnë vetëm 10 për qind të shumës në formën e parapagimit dhe përcaktojnë se pjesa tjetër duhet të paguhet sipas kontratës së nënshkruar mes palëve. Megjithatë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi tha dje për “Top-Channel”, se një grup specialistësh po shikojnë të gjitha variantet e mundshme për të gjetur një zgjidhje sa më të shpejtë. “Nuk mund të bëjmë një parapagim për të gjithë vitin për ta patur shërbimin. Kompania italiane kërkon parapagim dhe një pagesë e tillë është e jashtëligjshme dhe ne po bëjmë ç’është e mundur që të gjejmë një zgjidhje”, është shprehur Prençi. Rrjeti i Menaxhimit Total të Informacionit, TIMS, shfrytëzohet nga Policia, Prokuroria dhe Doganat shqiptare prej vitit 2006, ndërsa deri pak kohë më parë detyrimet ndaj palës italiane i shlyente projekti me partnerët amerikanë të ICITAP.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›