E Diel, 1 Nëntor 2026

Denoncimi i vajzës 26-vjeçare: Policët më ngacmuan seksualisht në komisariat

 

GJIROKASTER/ PIRO NASE

Një 26-vjeçare denoncon publikisht se është dhunuar fizikisht dhe seksualisht nga policët rrugorë të Gjirokastrës. Marjola Bonnet (Karagjozi) e martuar në Francë, ku jeton prej shumë vitesh ka treguar me detaje çfarë i ndodhi gjatë shoqërimit në komisariat rreth 2 javë më parë.  Ajo akuzon shefin e rrugores dhe dy policët për ngjarjen, për të cilën ndonëse e ka denoncuar në prokurori thotë se ka pasur presion për ta tërhequr kallëzimin.
Si ka ndodhur ngjarja që ju po denonconi vetëm sot publikisht?
Qarkulloja me automjetin tim që e kisha sjellë nga Franca, sepse aty jetoj dhe kam ardhur në Gjirokastër tek prindërit e mi për të kaluar disa ditë pushim. Në orën 20:00 të datës 23 shkurt me automjetin tim tip BMW me targa F6384VG 33, kam dalë në një prej rrugëve kryesore të qytetit. Në këtë moment më ndalon një polic rrugor emrin e të cilit e mora vesh më pas. Ai më bëri shenjë të ndaloja dhe menjëherë ka drejtuar sharje verbale në adresën time. Në kohën kur unë i dhashë dokumentet ai lajmëroi grupin e gatshëm, i cili mbërriti menjëherë sikur unë të isha person i rrezikshëm. E tmerruar nga ky reagim ka ngelur edhe shoqja ime Elda.
Më vonë çfarë ka ndodhur?
Ka ardhur grupi i gatshëm dhe pasi na kanë ofenduar dhe ushtruar presion, u detyruam të shkonim në Komisariatin e Policisë për të dhënë shpjegimet e nevojshme me automjetin tim, brenda të cilit hyri dhe njëri prej policëve rrugorë. Ndërkohë që shoqen time e ndukën nga flokët pa asnjë lloj motivi. Pasi kemi mbërritur në komisariat, të parin që ndesha ishte shefi i qarkullimit rrugor, Blerim Laçi, emrin e të cilit e mësova më vonë së bashku me Bardhi Binerin, policin që më ndaloi dhe kolegun e tij, Altin Çela. Blerim Laçi në kontaktin e parë më qëlloi në kokë me radiomarrësen, duke e shoqëruar me fjalë të ndyra. Pas kësaj unë kam shkuar në ambientet e brendshme të policisë se prisja të firmosja gjobën prej 50 mijë lekësh. Në këtë moment polici Bardhi Bineri, më futi duart tek pjesët intime duke më provokuar seksualisht, ndërkohë që polici tjetër Altin Çela më tërhoqi çantën që mbaja në krahë duke rrëmbyer të 500 eurot që kisha aty. Pas kësaj ngjarjeje që zgjati jo më tepër se dy orë vetëm për një gjobë që e lanë mbi 23 mijë lekë, jam larguar nga komisariati pa makinën time sepse u mor nga policia.
Kur e keni bërë kallëzimin penal dhe ndaj kujt?
Ka qenë data 25 shkurt dita kur unë kam bërë kallëzimin penal, dy ditë fill pas kësaj ngjarjeje. Kallëzimin e kam depozituar në organin e akuzës në ngarkim të Blerim Laçit për dhunë fizike dhe fyerje publike, ndaj dy policëve Bardhi Bineri për ngacmim seksual dhe fyerje si dhe Altin Çelës për grabitje të lekëve nga çanta. Në datën 26 shkurt del automjeti pasi shlyeva detyrimin që kisha, masë kjo e shoqëruar edhe me bllokimin e patentës. Disa ditë më vonë më thërret prokurori në telefon për të dëshmuar se çfarë kishte ndodhur. Kur jam paraqitur kam dhënë deklaratën me shkrim dhe duke më mbushur mendjen që të tërhiqja kallëzimin që kisha depozituar, pra ishte një farë lloj presioni. 
Çfarë presioni?
Ai më thoshte se nuk është mirë që e bën kallëzimin penal, është akuzë shumë e rëndë ndaj policëve dhe nëse është e rremë do të penalizohesh, si dhe të tjera. Kjo më ka skandalizuar dhe kam ngelur e habitur se si një oficer i policisë gjyqësore merr veprime të tilla, sepse në fund të fundit detyra e tij është të marrë në pyetje dhe jo të ushtrojë presion psikologjik. Madje ai ka arritur të shprehet se isha në kohë të mendohesha të tërhiqja kallëzimin penal ndërkohë që të vazhdoja procedurat civile për bllokimin e automjetit.
Cili ka qenë momenti i dytë që u ndeshët me policët?
Duke qenë se më ishte bllokuar patenta, automjetin e drejtonte një njeriu im. Ka qenë dita e djeshme, (e martë) kur policia më ka marrë sërish nga ora 17:00 e deri në 23:00 të darkës. Nëse do të isha duke drejtuar makinën, atëherë pretendimi i tyre do të ishte i bazuar, por unë jam çuar në polici pse isha pasagjere në makinë. E gjithë kjo ka ardhur pas denoncimit në prokurori të policëve dhe kjo ishte një shenjë hakmarrje dhe presioni.
Në polici ju ngacmuan sërish seksualisht personat e akuzuar nga juve?
Ndryshe nga radha e kaluar, dje ata kanë qenë shumë korrektë, por të rreptë në qëndrim. Nuk më kanë lejuar që të kontaktoja me avokatin tim në momentin që më bënin pyetje. Kjo ishte e palejueshme dhe e pafalshme. Po mbushnin dokumentacionin për të më ndjekur penalisht. Ma merr mendja se kjo ishte një kundërpërgjigje për kallëzimin penal, që u bëra atyre dhe prezenca ime aty ishte për të më bërë presion për të më arrestuar. U detyrova që dola sot të them publikisht atë çfarë ndodhi.

“Pretendimet për dhunë, të sajuara nga vajza”

Pretendimet e 26-vjeçares Marjola Bonnet (Karagjozi) i ka quajtur të sajuara, policia e qarkut të Gjirokastrës. Zëdhënësi Gentijan Mullai është shprehur se automjeti është bllokuar së bashku me drejtuesen më datën 23 shkurt për arsye shpejtësie në qendrat e banuara. Sipas policisë drejtuesja e automjetit nuk ka pranuar të paraqesë dokumentet punonjësve të Policisë së Qarkullimit Rrugor duke i ofenduar. “Ndodhur në këto kushte policët e qarkullimit kanë kërkuar ndihmën e grupit të gatshëm, të cilët kanë bërë konform ligjit shoqërimin për në Komisariat të shtetases dhe të automjetit”, është shprehur Mullai. Edhe në Komisariat, sipas burimeve zyrtare, kjo shtetase ka vazhduar të kundërshtojë kërkesën e punonjësve të qarkullimit për të paraqitur dokumentet e automjetit, duke pretenduar se dokumentet nuk i kam me vete por në banesë. Punonjësit e Qarkullimit kanë bërë procesverbalin e konstatimit në bazë të nenit 178, (drejtuesi lëviz pa dokumentacion përkatës me vete) dhe të nenit 190 (detyrimet kundrejt funksionarëve, oficerëve dhe policëve). Mbasi kanë përfunduar këto veprime shtetasja është lënë e lirë, duke mos shprehur asnjë lloj pretendimi dhe ankese. Ndërkohë dje, 26-vjeçarja është kapur duke drejtuar automjetin ku në bazë të nenit 214 pika 5, ku theksohet se: Cilido që gjatë periudhës së pezullimit të leje drejtimit qarkullon në mënyrë abuzive, dënohet me arrest deri në 30 ditë dhe me gjobë nga 10 mijë deri në 40 mijë lekë. Për këtë shkelje ndaj shtetases së lartpërmendur ka filluar procedimi penal. Sqarojmë se pretendimet e shtetases Mariola Bonnet (Karagjozi), nuk janë aspak të vërteta, pasi në të dyja rastet e shoqërimit të kësaj shtetaseje në ambientet e Komisariatit të Policisë janë bërë konform ligjit dhe rregullores së Policisë së Shtetit dhe në asnjë rast nuk i është cenuar dinjiteti moral ashtu sikurse pretendon ajo”, përfundon zëdhënësi i Policisë së Gjirokastrës, Gentijan Mullai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›