E Diel, 1 Nëntor 2026

Polici shkon të marrë byrekë, i riu arratiset nga paraburgimi

 

Trazhgim Sokolaj

Arratiset nga paraburgimi i policisë së Kavajës, i ndaluari për akuzën e kanosjes për vrasje. Edmond Teferiçi, 29 vjeç, ka përfituar nga mungesa e policit roje duke dalë nga qelia e izolimit dhe më pas me anë të dritareve ka dalë në pjesën e jashtme të komisariatit, duke u zhdukur pa gjurmë. Efektivi i policisë i regjimit të brendshëm, i cili bënte roje në katin e dytë të komisariatit, kishte shkuar të merrte disa byrekë në kohën kur i ndaluari ka dalë nga qelia. Sipas burimeve të Policisë së Shtetit, mësohet se ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme, kur Edmond Teferiçi ka shfrytëzuar mungesën e efektivit të policisë duke u arratisur. Pasi ka vënë re se polici nuk gjendej në korridor, mësohet se i arrestuari ka tërhequr levën që mbante derën e mbyllur, e cila nuk ishte fiksuar me kyç siç parashikon rregullorja e paraburgimit. Pasi ka hapur derën e qelisë, i arratisuri ka dalë në korridor dhe më pas ka vazhduar lëvizjen deri tek dritarja, nga e cila është hedhur me shpejtësi duke përfunduar jashtë godinës. Në këtë kohë, efektivi i policisë që bënte roje në paraburgim është rikthyer në vendin e shërbimit, por ka gjetur vetëm derën e hapur të qelisë, ndërsa i arrestuari kishte ikur. Efektivi i policisë është rikthyer menjëherë në korridor, ai madje ka kontrolluar gjithë objektin, por i arrestuari ishte larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. I gjendur në këto kushte, polici roje ka lajmëruar për ngjarjen, ndërsa menjëherë në komisariatin e Kavajës ka mbërritur një grup me hetues të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm nga Tirana. Policia ndërkohë ka nisur kërkimet për kapjen e të arratisurit. Sipas burimeve nga Ministria e Brendshme, mësohet se hetuesit e SHKB-së kanë sekuestruar dokumentacionin dhe dosjen e të arratisurit për të parë procedurat që janë ndjekur. Ministria e Brendshme tha dje në mbrëmje se do të dërgojë për ndjekje penale efektivin e policisë, që ishte ngarkuar të ruante dhomat e izolimit në komisariatin e Kavajës. Hetuesit nga Tirana mësohet se kanë marrë në pyetje pjesën më të madhe të efektivave të komisariatit të Kavajës. Ky institucion kishte ndaluar të arratisurin mbrëmjen e të martës, pas një sherri që ai ka pasur me persona të tjerë në një lokal të Kavajës. Gjatë këtij konflikti, Edmond Teferiçi kishte kërcënuar me armë kundërshtarët e tij, të cilët i ka kanosur për vrasje. Policia ka ndërhyrë në ngjarje duke arrestuar agresorin, i cili gjithsesi është arratisur dje në mesditë si pasojë e një pakujdesie të rojës së brendshme të paraburgimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›