Pranga të dyshuarit për vrasjen e emigrantit
TIRANE – Bie në prangat e policisë autori i vrasjes së ndodhur mbrëmjen e së martës, ku mbeti i vdekur emigranti nga Korça, Shkëlqim Xhelollari. Policia e Tiranës ka arrestuar të dyshuarin Shkëlqim Alliu vetëm pak orë pas ngjarjes së ndodhur tek ish-parku i Autobusëve në kryeqytet, rreth orës 19:30 të mbrëmjes së martë. Lajmi është konfirmuar nga burime zyrtare, të cilat pohuan se gjatë orëve të natës, hetuesit kanë vendosur në pranga 42-vjeçarin Shkëlqim Alliu. Ai dyshohet se është autori i vrasjes me plumba pistolete ndaj 38-vjeçarit nga Korça, Shkëlqim Xhelollari. Ky i fundit mbeti i vdekur 48 orë më parë, pasi u qëllua me armë zjarri nga një distancë e afërt, teksa po dilte nga një pikë bastesh dhe interneti në afërsi të ish-parkut të Autobusëve në Tiranë. Vrasja ka ndodhur brenda pak çasteve, madje sipas policisë, autori i krimit, Shkëlqim Alliu, kishte pritur viktimën duke qëndruar mbi një motor. Pasi objektivi i atentatit ka dalë nga qendra e basteve, i dyshuari për vrasjen ka pritur në trotuar dhe më pas ka shkrehur tri herë armën e zjarrit, duke lënë të vdekur në vend emigrantin nga Korça, baba i një fëmije të vetëm. Viktima, i cili banonte fare pranë vendit të vrasjes, në rrugën “Babë Rexha”, mësohet se kishte vetëm pak kohë që ishte kthyer nga Greqia, ku qëndronte me dokumente të rregullta. Sipas hetimeve të policisë, shkak për vrasjen kanë qenë mosmarrëveshjet mes viktimës dhe autorit pas zënkave të vazhdueshme që kanë pasur fëmijët e tyre. Shkëlqim Alliu, autor i krimit dhe viktima Shkëlqim Xhelollari, mësohet se kanë pasur një mosmarrëveshje të fortë gjashtë muaj më parë. Në këtë kohë fëmijët e tyre kanë pasur një zënkë mes tyre, e cila siç duket është transmetuar tek më të rriturit, të cilët nuk kanë arritur të gjejnë një marrëveshje. Sherri është acaruar më tej pas një konfrontimi fizik mes 42-vjeçarit Alliu dhe emigrantit nga Korça. Policia tha se nga provat e grumbulluara rezulton se viktima e atentatit nuk ka pasur konflikte apo mosmarrëveshje të tjera. Menjëherë pas vrasjes, hetuesit morën në pyetje familjarët e viktimës, të cilët pohuan se 38-vjeçari ka pasur një konflikt me Shkëlqim Alliun rreth gjashtë muaj më parë. Policia mbërriti në banesën e të dyshuarit, por ai nuk është gjetur aty. Shmangia e 42-vjeçarit u bë shkak për dyshime nga policia, e cila e shpalli atë në kërkim dhe arriti ta arrestojë, ndërsa qëndronte fshehur në një banesë në kryeqytet. Policia tha se ka bllokuar në banesën e të dyshuarit për “vrasje me paramendim” dhe “armëmbajtje pa leje”, një automatik model 56 dhe 20 fishekë. tr.so
Burg 15-vjeçarit, vrau vëllain
TIRANE – Gjykata e Tiranës caktoi dje masën e sigurimit “arrest me burg” për 15-vjeçarin Granit M., i cili vrau me thikë vëllain e tij pas një sherri të ndodhur mbrëmjen e së dielës. Prokuroria kërkoi izolimin e të miturit, duke pohuar se krimi i kryer prej tij paraqet rrezikshmëri të theksuar shoqërore. Vrasja ndodhi në zonën e Laknasit në Tiranë mbrëmjen e së dielës, pasi Granit M., vetëm 15 vjeç, pati një mosmarrëveshje me vëllain e tij Alfredin, të cilit i kërkoi të ndanin mes tyre një shumë prej 500 lekë të reja, të cilën babai ia kishte dhënë viktimës. I akuzuari për vrasjen tha dje se i nevojiteshin disa para, të cilat ia kishte kërkuar nënës, por asaj nuk i ishin gjendur. I mituri ka kërkuar ndihmë nga vëllai dhe pasi ai nuk e ka ndihmuar, ka ndodhur edhe krimi që i mori jetën 23-vjeçarit, që u qëllua tri herë me thikë.