E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokimi i bulevardit të Elbasanit kthehet në debat politik

Lejimi apo jo i qarkullimit të makinave në bulevardin kryesor të qytetit është kthyer në temë të debateve politike në Elbasan. Ka katër muaj që në bulevardin kryesor të këtij qyteti nuk lejohen të qarkullojnë makinat. Po kaq kohë kanë që përsëriten kërkesat e qytetarëve, të cilët kanë detyruar deputetin e Partisë Demokratike, Aurel Bylykbashi, të prononcohet disa herë për mediat. Bllokimi i gjysmës së aksit të bulevardit "Qemal Stafa" ka krijuar jo pak probleme në qarkullimin e mjeteve, aq më tepër ato të emergjencës, si ambulanca, policia apo dhe mjetet e nevojave të ngutshme familjare. Një vështirësi e tillë vjen edhe për faktin se unaza jugore e qytetit ka fluksin më të lartë të qarkullimit, ndërsa ajo veriore ende nuk ka nisur të rikonstruktohet. Këto ishin arsyet që kreu i PD-së së Elbasanit dhe deputeti i këtij qyteti, Bylykbashi, ka ngritur zërin sa në këshillin bashkiak aq edhe në mediat e shkruara e ato vizive. "Është e pafalshme që kryebashkiaku i Elbasanit mban peng bulevardin për interesa ende të panjohura dhe haraçin e paguan ky komunitet që ka daljen e vetme kryesore në këtë rrugë, ndaj ne do të mbështesim çdo aksion qytetar për hapjen e tij", pohoi dje në mesditë deputeti Bylykbashi, në një konferencë për mediat lokale e qendrore. Ai ka sqaruar se vetë këshilli bashkiak ka marrë një vendim për hapjen e shëtitores kryesore, por që nuk zbatohet nga kreu i bashkisë. "Bulevardi nuk do të hapet edhe për disa muaj të tjerë, pasi punimet në të përfshijnë edhe dy faza", pohoi kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini. Sipas tij, në nëntor fillon faza e dytë e zbatimit të projektit dhe në fund të vitit faza e fundit. "Bulevardi nuk është pronë as e Bylykbashit dhe as e imja, por e qytetarëve elbasanas, ndaj ne duhet të ndërtojmë, edhe pse ka kosto të dyfishta, dhe jo të prishim, siç thuhet në deklaratat e deputetit", shpjegoi kreu i Bashkisë së Elbasanit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›