E Diel, 1 Nëntor 2026

Elbasan, defekti elektrik lë tri lagje pa ujë

Një defekt në transformatorin elektrik ka lënë të paktën tri lagje të Elbasanit pa ujë të pijshëm. Këtë e ka konfirmuar një përfaqësues i kompanisë së ujësjellësit "ELBER -sh.p.k", i pyetur për shkaqet e ndërprerjes së ujit në lagjet "Çlirimi", "Shënkoll" dhe "Krastë" natën e së dielës. Sipas banorëve të këtyre lagjeve, ndërprerja e ujit të pijshëm është bërë nga ora 19:00 deri në 24:00 të së shtunës. "Nuk është se ne si kompani nuk përballojmë dot furnizimin e këtij qyteti me ujë, por djegia e një transformatori që furnizonte njërën nga pompat ka bërë që të ketë ndërprerje të pjesshme dhe jo të plota", ka pohuar njëri prej tre inxhinierëve të kompanisë. Për defektin kanë punuar gjatë natës specialistët e ndërmarrjes elektrike, të cilët kanë bërë të mundur riparimin. Sidoqoftë, Ndërmarrja e Ujësjellësit ka bërë të mundur instalimin paralele të pompës pa energji me analogen e saj, e cila ka ulur presionin e ujit, që nuk është ngjitur në katet e larta të pallateve. Situata e furnizimit me ujë në të gjithë qytetin mësohet të jetë në parametra normalë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›