E Diel, 1 Nëntor 2026

Fier, shkollat pa sisteme ngrohjeje rrezikojnë të mbyllen

Edhe gjatë këtij dimri, institucionet arsimore të Rrethit të Fierit do të jenë pa sisteme ngrohjeje. Të përfshira në të ftohtin që po vjen, do të jenë shkollat e sistemit 9-vjeçar dhe të mesëm, ndërsa situatë të rrezikshme paraqesin edhe institucionet arsimore të ciklit parashkollor, sepse ngrohja në çerdhe e kopshte sigurohet me bombola gazi.

Ngrohja me gaz, që është lejuar për disa vite, duket se do të sjellë probleme gjatë këtij viti arsimor, pasi Inspektorati i Higjienës në Drejtorinë e Shëndetit Publik të Fierit ka vendosur të mbyllë të gjitha shkollat, kopshtet e çerdhet që sigurojnë ngrohjen në dimër me anën e gazit.

Inspektorja e Higjienës në Drejtorinë e Shëndetit Publik Fier, Lirika Dano, tregon se ngrohja do të mungojë në institucionet arsimore për këtë dimër. Ajo sqaron se pushteti vendor ende nuk i ka dhënë një zgjidhje përfundimtare problemit të ngrohjes në shkolla.

"Gjithçka mbetet si në vitin e kaluar. Bashkitë dhe komunat nuk kanë asnjë projekt për zgjidhjen e problemit të ngrohjes", thotë inspektorja e Shëndetit Publik. Duke kërcënuar se do të mbyllë të gjitha ato shkolla, kopshte e çerdhe që nuk sigurojnë të ngrohtin sipas rregullave të sigurimit teknik, Lirika Dano u bën thirrje drejtuesve të njësive të qeverisjes vendore që në prioritetet e tyre financiare për përmirësimin e kushteve në shkolla, të fusin problemin e ngrohjes, si një nga problemet më të mprehta që lidhet drejtpërsëdrejti me shëndetin e vogëlushëve, me frekuentimin e shkollës dhe shkallën e përparimit të tyre.

"Ne u kemi relatuar me shkrim gjendjen faktike të shkollave të gjitha njësive të qeverisjes vendore, u kemi kërkuar atyre masa konkrete për zgjidhjen e problemit të ngrohjes në sistemin arsimor 9-vjeçar, por deri në këto momente nuk kemi marrë asnjë përgjigje pozitive. Situata mbetet e njëjtë me vitet e kaluara", pohon Dano.

Në Bashkinë e Fierit, Patosit, Roskovecit dhe në disa komuna të Rrethit të Fierit, zyrtarët e departamenteve të arsimit thonë se Ministria e Arsimit dhe Shkencave ka braktisur investimet për ngrohjet në shkolla. "Prej vitesh, MASH-i nuk po lëshon fonde për ndërhyrje në godina, apo dhe në bazë materiale, dhe nuk bëhet fjalë për ngrohje", thonë përgjegjësit e departamenteve të arsimit në komunat e bashkitë e rrethit. E ndërsa i ftohti po afrohet, pritet që edhe frekuentimi i shkollave të jetë sporadik në bazë të temperaturave.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›