E Diel, 1 Nëntor 2026

Vdekja e Trebickës, debate në grupin hetimor

Ekspertët e grupit hetimor që po merren me dosjen "Trebicka" kanë kërkuar të shkojnë edhe njëherë dje në vendin e ngjarjes. Burime të sigurta pranë grupit hetimor kanë bërë të ditur se kërkesa për të riparë edhe një herë vendin e ngjarjes ka ardhur pas konkluzionit dhe raportit të detajuar të ekspertit amerikan për të verifikuar edhe një herë skemën e versionit mbi dinamikën e aksidentit dhe se si ka ndodhur ky i fundit. Por kjo kërkesë është rrëzuar nga kreu i Prokurorisë së Korçës, i cili drejton këto hetime. Pavarësisht nga konkluzioni i ekspertit të Virxhinias, Kevin Teter, një mendim ka qenë për të parë skemën e sugjeruar prej tij edhe një herë, në raport me vendin ku ka ndodhur ngjarja. Edhe pse është administruar në cilësinë e provës akti final i ekspertimit autoteknik të ekspertit amerikan me versionin e tij zyrtar dhe përfundimtar mbi shkaqet e rrethanat në të cilat makina e Trebickës ka pësuar një aksident, që duket se ka ardhur për faj të drejtuesit, i cili ka devijuar duke u kthyer në rrugën në të djathtë dhe jo për shkak të kushteve teknike të mjetit, apo rrugës dhe terrenit, është hedhur një mendim nga ana e një eksperti për të riparë edhe një herë vendin e ngjarjes.

Por, ndërsa pritej që grupi hetimor të nisej edhe një herë në drejtim të Lekasit, kjo është anuluar nga prokurori, me justifikimin se në dosje tashmë ekzistojnë pothuajse të gjitha elementet e plota të provës që ka organi i prokurorisë së duar, për të dhënë edhe një konkluzion të fundit mbi këtë çështje. Burime pranë Prokurorisë së Korçës, që ka administruar dosjen dhe provat me aktet e shumta të ekspertimit e procesverbalet, si dhe ka drejtuar deri më tani hetimet për vdekjen e Kosta Trebickës, kanë deklaruar se ajo që mbetet tashmë është vetëm vendimi përfundimtar që do t‘i japë çështjes ky organ. "Për sa kohë që dosja është pothuajse e plotësuar me të gjitha elementet e provës dhe ekspertët si ata vendas dhe ai i huaj, kanë qenë në të njëjtin mendim për sa i përket ekspertimit autoteknik dhe faktit se mjeti ka pësuar një aksident, pas sqarimit të rrethanave e shkaqeve që kanë çuar në këtë ngjarje, si dhe konfirmimit për të disatën herë të versioneve edhe me provat filmike e fotografike nga vendi i ngjarjes, ku jemi rikthyer disa herë, madje edhe me prezencën e ekspertit të huaj, u vendos që një rikthim në vendin e ngjarjes është i panevojshëm. Prokuroria e ka pothuajse të plotësuar dosjen dhe pritet vetëm vendimi përfundimtar", tha një zyrtar i prokurorisë së rrethit.

Një vendim i tillë përfundimtar, sipas prokurorit të kësaj çështjeje, Përparim Vukaj, nuk është dhënë ende, edhe pse ai konfirmon se dosja është drejt mbylljes dhe pothuajse e plotësuar me të gjitha provat e dëshmitë. Ndërkohë, sipas burimeve nga grupi hetimor, procedura për marrjen e një vendimi nuk pritet të zgjasë edhe shumë kohë. Zyrtarisht mësohet se pritet që vendimi të merret brenda kësaj jave, ndërkohë që prokuroria është duke i shtuar dosjes edhe disa elemente të tjera, siç janë edhe tabulatet telefonike dhe zbardhja e plotë e bisedave telefonike të regjistruara në telefonin e viktimës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›