Plagosen katër veta në aksident
Një aksident i rëndë automobilistik ka ndodhur në superstradën Lezhë - Fushë-Krujë. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e djeshëm dhe katër persona mësohet të jenë plagosur rëndë. Burime nga policia lokale bënë të ditur se aksidenti ndodhi në afërsi të fshatit Derven të Krujës. Një automjet i tipit "Mercedes Benz" me targa të Tiranës ka humbur drejtimin, duke përfunduar jashtë rruge. Të plagosurit janë dërguar në Spitalin Ushtarak në kryeqytet, ndërsa nga hetimet paraprake dyshohet se shkak i aksidentit mund të jetë bërë një defekt në mjet, që e ka bërë drejtuesin të humbasë kontrollin në drejtim. Sipas burimeve, dy prej të plagosurve janë në gjendje kritike për jetën. Ata janë drejtuesi i automjetit dhe një grua. Burimet nuk e bënë të ditur identitetin e personave të dëmtuar në këtë aksident, ndërsa vazhdojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e aksidentit që pësoi mjeti me targa TR 5032 M. Ndërkaq, natën e vonë të së dielës, një 19-vjeçar është vënë në pranga në Durrës nën akuzën e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor me pasoja për jetën. I riu Edmond Ballgjini, 19 vjeç nga Durrësi, ka qenë duke udhëtuar me një automjet tip "Audi" me targa DD3382B, kur ka aksidentuar rëndë një këmbësore 60-vjeçare në Shkozet. E dëmtuara ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e Durrësit, ndërsa autori në qelitë e paraburgimit.