Lidhet uji, rihapet shkolla e fëmijëve romë
Pas një periudhe dhjetëditore, është rihapur shkolla fillore "Së Bashku", ku mësojnë nxënësit romë në qytetin e Gjirokastrës. Plotësimi i kushteve më elementare, si sigurimi i ujit të pijshëm dhe pastrimi i ambienteve sanitare, ka shtyrë drejtuesit e kësaj shkolle të thërrasin përsëri në klasat e këtij institucioni vogëlushët e komunitetit rom, të cilët deri më tani kanë gjezdisur duke mbledhur kanoçe rrugëve. Sipas njërit prej mësuesve, Vaso Zijaj, mund të thuhet se, ndonëse ka ende mungesa në kushtet e higjienës, ajo që është më e rëndësishme, uji, është siguruar dhe kushdo mund ta shikojë nga rubinetet. Rreth 60 fëmijë romë në lagjen "Zinxhira" të Gjirokastrës mësojnë në këtë shkollë, e çelur posaçërisht për ta në vitin 2000, me fonde nga fonacioni SOROS. Para dhjetë ditëve, Inspektorati i Higjienës në Gjirokastër ndaloi kategorikisht vijimin e procesit mësimor në të gjashtë klasat e shkollës njëkatëshe për mungesë higjiene dhe uji. Inspektorati ushtroi një kontroll në këtë shkollë pasi u regjistruan disa raste të fëmijëve të prekur nga Hepatiti A, që njihet ndryshe si sëmundja e verdhëzës. Shkolla "Së Bashku" është e dyta në Gjirokastër e mbyllur për mungesë të kushteve higjienike, pas asaj artistike në fillim të këtij viti.