Bllokimi i legalizimeve, Berisha urdhëron kontrollin për ALUIZN-in
TIRANË- Konsumimi i gjysmës së dytë të mandatit të dytë qeverisës rezulton me pakënaqësi të mëdha për një nga premtimet kryesore të demokratëve, që në zgjedhjet e 2005-ës; atë të legalizimit të zonave informale. Deklarata e kryeministrit Berisha se fushata për zgjedhjet e 2013-ës ka nisur që tani, në fakt nuk ka mbetur vetëm në letër, por po shoqërohet me lëvizje konkrete. Vetëm pak orë para se të udhëtonte për në Nju-Jork, për të marrë pjesë në punimet e vjeshtës të OKB-së, Berisha ka firmosur për herë të parë një urdhër të posaçëm për kontrollin e Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale. Nuk bëhet fjalë për një kontroll rutinë, por për një hetim të hollësishëm të gjithë procesit të legalizimeve. Urdhri i firmosur nga Kryeministri duket se shigjeton drejtpërdrejt punën e kreut të ALUIZNI-t, Shaban Memia, për të cilin kreu i ekzekutivit mund të kishte menduar paraprakisht edhe ndonjë lëvizje në një pozicion tjetër. Por nuk ka ndodhur kështu. Berisha ka vendosur një kontroll të hollësishëm, ku grupi i punës i ngritur për këtë çështje do të jetë i detyruar që të hartojë një raport dhe të dalë me disa rekomandime për këtë agjenci. Vendimi për fatin e drejtimit të kësaj agjencie do të varet pikërisht nga përmbajtja e kontrollit, që nuk do të zgjasë pak, por plot 45 ditë. Prej kohësh, Kryeministri ka shprehur në rrugë jo zyrtare pakënaqësi ndaj këtij institucioni, si pasojë e shqetësimeve të përcjella atij nga përfaqësues të elektoratit të djathtë, që janë pjesë e këtij procesi. Në kushtet kur ende nuk ka një bilanc konkret për këtë proces, dhe që nga shumë analistë po konsiderohet edhe i dështuar, kreu i ekzekutivit ka vendosur të lëvizë, dhe jo më me mbledhje dhe takime informate, siç ndodh rëndom në punën e tij të përditshme, por me lëshime urdhrash, që në fund mund të shoqërohet edhe me shkarkime.
Urdhri
Në urdhrin numër 82 të datës 19 shtator, kryeministri Sali Berisha ka firmosur ngritjen e një grupi pune prej 8 vetash, i kryesuar nga këshilltari i tij për Çështje të Territorit dhe Pronave, Flamur Kuçi. Në këtë grup pune bëjnë pjesë edhe katër anëtarë të Drejtorisë së Antikorrupsionit, që funksionon po në Kryeministri, si dhe tre anëtarë nga Ministria e Punëve Publike dhe Transporteve. Urdhri është ngritur mbi një plan pune të veçantë të miratuar po nga kreu i ekzekutivit. Sipas urdhrit, kreu i ekzekutivit ka kërkuar që krahas këtij grupi pune të ftohen që të marrin pjesë për kontroll edhe ekspertë të jashtëm. “Kontrolli do të ushtrohet brenda 45 ditëve dhe në fund grupi i punës duhet të paraqesë pranë Kryeministrit raportin me rekomandimet përkatëse”, - thuhet në urdhrin e firmosur nga Kryeministri.
Mungesa e premtimit
Në muajin dhjetor të vitit 2005, gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend, kryeministri Berisha do të deklaronte si arritje të punës së tij tremujore si Kryeministër miratimin e ligjit të ri për legalizimet e zonave informale, duke theksuar se kjo nuk do të bëhej bazuar në parimin e ndëshkimit financiar, por mbi pagesa simbolike për të fituar të drejtën e pronësisë nga zotërit e ndërtimeve pa leje. Edhe pse premtoi se procesi i legalizimeve fillimisht do të mbyllej brenda dy viteve dhe më pas brenda mandatit të parë qeverisës, ende ky proces në mandatin e dytë qeverisës nuk vjen me një bilanc dhe rezultate konkrete. Andaj përplasja mes qeverisë dhe këtij institucioni apo me saktë Berishës dhe drejtuesit të saj Shaban Memia, duket se nuk do të jetë e largët.