Nis prishja e ndërtimeve pa leje në zonën muzeale
Gjirokastër Ditën e enjte në qytetin e Gjirokastrës ka nisur një aksion për prishjen e ndërtimeve pa leje në zonën muzeale. Inspektoriati ndërtimor i bashkisë ka prishur një objekt të ndërtuar pa leje në zonën historike. Sipas burimeve në këtë inspektorat, ky është fillimi i punës për prishjen e ndërtimeve pa leje që figurojnë aktualisht në zonën muzeale të Gjirokastrës. Prej vitit 1990 në zonën muzeale janë identifikuar rreth 300 ndërtime pa leje. Pjesa më e madhe e tyre janë shtesa betoni në godinat e gurta, garazhe apo edhe banesa të reja masive. Problematika e ndërtimeve pa leje në qytetin e Gjirokastrës ka qenë në qendër të vëmendjes jo vetëm të specialistëve vendës të trashëgimisë kulturore, por edhe të atyre të huaj, duke përfshirë edhe UNESCO-n.