Legalizimet, vetëm 28% e qytetarëve gati për hipotekë
Gjashtë vjet prej nisjes së procesit të legalizimit nga rreth 230 mijë aplikime për legalizim, vetëm 65 mijë prej tyre kanë marrë lejen e legalizimit, thonë burime brenda Agjencisë së Legalizimit dhe Urbanizimit të Zonave informale. Pra, janë vetëm 28% e personave që kanë aplikuar, të cilët kanë marrë dritën e gjelbër për ta legalizuar pronën e tyre që presupozon se janë mbi 160 mijë qytetarë që nuk e dinë ende nëse prona e tyre do të jetë e tyre nga ana ligjore. Në fakt, të njëjtat burime pranë ALUIZN-it shprehen se procesi i legalizimit nuk ka përfunduar ende, pasi pas përfundimit të azhornimit të dosjeve dhe marrjes së faturave financiare, pronarët nuk e kanë bërë ende pagesën. Nga ana tjetër, pjesa e mbetur janë aplikimet që nuk janë përmbushur deri tani, përsa i përket azhornimit të dosjeve, si edhe ato që nuk mund të legalizohen për shkak të kufizimeve ligjore. Deri në fund të vitit 2011, qëndron ligjërisht në fuqi mundësia për të paguar pjesërisht legalizimin me Bono Privatizimi. Por nga vëzhgimet e gazetës MAPO, qytetarët, të cilët janë në proces legalizimi kanë marrë faturën financiare, shprehen se nuk janë lejuar të paguhen me bono privatizimi. Ky është një nga problemet serioze që citojnë qytetarët. Ata shprehen se nuk po përfitojnë nga ulja prej 20%, në rast se paguajnë gjithë shumën e sipërfaqes së legalizuar njëherësh sipas ligjit. Në të njëjtën kohë, ata nuk lejohen, po sipas ligjit, të paguajnë 70% të shumës me bono privatizimi. “Deri tani sipas të dhënave të ALUIZN-it, nga procesi i legalizimeve janë arkëtuar 7 miliardë lekë, nga të cilat 4.3 miliardë lekë i janë kaluar Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, ndërsa diferenca i është transferuar organeve të pushtetit vendor.
Tabela
230 mijë aplikime për legalizim
65 mijë prej tyre kanë marrë lejen e legalizimit
28% e personave që kanë aplikuar kanë marrë lejen e legalizimit
160 mijë qytetarë ende pa përgjigje
Bonot e privatizimit, gati një shtyrje tjetër e afatit
Pavarësisht se ligji aktual dikton që bonot e privatizimit që mund të përdoren për efekte legalizimi janë të vlefshme deri në dhjetor 2011, qeveria mendon ta shtyjë edhe një herë afatin, pasi procesi i legalizimit bashkë me pagesën e faturave financiare nuk ka përfunduar ende dhe ka gjasa që të tejkalojë afatet e parashikuara. Dy vjet më parë u vendos që bonot e privatizimit të përfshiheshin në procesin e legalizimeve në rreth 80 për qind të çmimit të legalizimit, sipas modaliteteve të përcaktuara në ligj. Mirëpo, qeveria la të pandryshuar afatin e përdorimit të bonove, si një nxitje për agjencitë e legalizimeve që të përfundonin shpejt procesin. Por kjo nuk mjaftoi. Burimet nga Drejtoria e Legalizimeve të Tiranës shpjegojnë se procesi nuk po ecën shpejt, për shkak se interesimi i qytetarëve për të bërë pagesat nuk ka qenë në nivelet e pritshme. Kjo e bën të sigurt faktin që bonot e privatizimit do të përdoren edhe përtej afatit të tyre ligjor, që përkon me fundin e vitit. Nga ana tjetër, pjesëmarrja e bonove në procesin e legalizimit deri më tani ka qenë shumë e vakët.