Zbulohet një punishte e jashtëligjshme sallami
Zbulohet dhe bllokohet një punishte e paligjshme sallami në qytetin e Elbasanit. Dy persona janë arrestuar, ndërsa janë sekuestruar 2 kuintalë mish i grirë dhe 300 litra pije alkoolike me etiketa false. Burime zyrtare nga Policia e Elbasanit bëjnë të ditur se arrestimet u bënë dje në mëngjes, në kuadër të operacionit të koduar “Parizieri i Fundit”. Në pranga kanë përfunduar 36-vjeçari Bledar Shehu, lindur në Cërrik dhe banues në lagjen “29 Nëntori” të Elbasanit, si dhe 50-vjeçari Shëndet Boci, lindur në Përmet dhe banues në lagjen “Skënderbej” të Elbasanit. Ata kishin ngritur prej dy vjetësh në banesën e 50-vjeçarit Boci një linjë prodhimi sallami, për të cilën nuk disponohej asnjë lloj dokumentacioni. Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një sasi mishi të llojeve të ndryshme, që përdorej si lëndë e parë për prodhimin e sallamit. Po kështu, u bllokua një sasi sallami e qoftesh të gatshme për t’u shitur. Në banesën e Bocit u gjetën gjithashtu 300 litra pije të ndryshme alkoolike, të prodhuara në mënyrë artizanale, si dhe disa produkte të tjera ushqimore të pacertifikuara që ishin gati për t’u hedhur në treg.
#