FMN: “Shqipëria dhe disa vende të Ballkanit mund të rilidhin sërish marrëveshje”
Shqipëria mund të jetë mes atyre vendeve të Ballkanit që do të kërkojnë sërish ndihmën e Fondit Monetar Ndërkombëtar, me gjithë shenjat e fundit për një tejkalim të krizës botërore financiare. Paralajmërimi ka ardhur nga një zyrtar i lartë i FMN-së për Europën, i cili thekson se shmangia e institucionit prestigjioz financiar nga ana e qeverisë shqiptare, duke preferuar marrjen e kredive tregtare në një kohë krize, mund të rezultojë e dëmshme. Sipas tij, “kjo mund të ketë ardhur për shkak se Shqipëria ishte në kohë zgjedhjesh dhe qeveria kërkonte të tregonte se me reformat e kryera në fushën ekonomike, nuk kishte më nevojë për asistencën e FMN-së”. Por sipas përfaqësuesit të FMN-së për Europën, Mark Alen, “një hua e dhënë nga institucioni me seli në Washington është shumë më e sigurtë, sesa kreditë tregtare, interesi i të cilave është në varësi të kushteve financiare globale. Qeveria Berisha nuk e rinovoi këtë vit marrëveshjen e saj me FMN-në, fakt që solli edhe përplasje dhe kritika nga ana e opozitës, në prag të zgjedhjeve të qershorit. Madje, kryeministri Berisha deklaroi në atë kohë në media se çdo paketë ndihme nga FMN-ja do të sillte trazira sociale”. Por sipas Alen, aktualisht qeveria shqiptare nuk mund ti kërkojë ndihmë Fondit, pasi mes dy palëve nuk ka marrëveshje. “Nëse qeveria do të kishte një program me FMN-së ajo do të kishte përfituar fonde në formën e kredive të buta. Megjithatë një mision i posaçëm i FMN-së do të vijë në Tiranë në shkurt të vitit 2010 në bazë të artikullit 4, çka do të thotë që do të kryjnë një monitorim të situatës makroekonomike në vend. Ky raport do të miratohet në bordin e drejtuesve të FMN-së në Washington”,- thotë Alen.
Qëndrimi i qeverisë
Ministri i Financave, Ridvan Bode, në konferencën e fundit për shtyp mohoi se do të kërkojnë ndihmën e FMN-së për të përballuar efektet e krizës globale në ekonominë shqiptare. Por kjo mbetet për tu parë, në varësi të treguesve që do të paraqesë viti 2010. Por më shumë vende të Ballkanit mundet t‘i drejtohen Fondit për kredi, pavarësisht se kohët e fundit është vënë re një lehtësim i krizës financiare botërore. Lidhur me këtë çështje, përfaqësuesi i FMN-së për Europën, Mark Alen, ka deklaruar në Vjenë për agjencinë e lajmeve "Reuters" se: "ne parashohim marrëveshje të reja në Ballkan, por gjithsesi ky nuk është një parashikim". Sipas Allen, zyrtari më i lartë i FMN-së për Europën Qendrore dhe Lindore, kjo varet veçanërisht nga rrethanat ndërkombëtare. Qeveria shqiptare ka përsëritur shumë herë se vendi tani për tani nuk ka nevojë për ndihmën e FMN-së, ndërsa ekspertë të opozitës thonë se refuzimi i FMN-së është një mënyrë e përdorur nga qeveria për të vijuar rrugën e deficitit të lartë për arsye elektorale. Ministri i Financave, Ridvan Bode, ftoi FMN-në të asistojë qeverinë në fushën e statistikave disa ditë më parë, ndërsa falënderoi Zotin për faktin që Shqipëria nuk ka pasur deri më sot nevojë për FMN-në. Qeveria vendosi të mbajë të papublikuara konkluzionet e diskutimeve me Fondin Monetar për stabilitetin makroekonomik të vendit, diskutime që u kryen muajin e kaluar.
Vendet e Ballkanit
Nga shtatë vendet e Ballkanit Perëndimor, Serbia dhe Bosnja kanë hyrë sakaq në marrëdhënie me Fondin, ndërsa Shqipëria e Maqedonia u janë drejtuar tregjeve ndërkombëtare për kredi tregtare. "Nuk është se kemi dalë tërësisht nga pylli i krizës. Është e mundur që kushtet ndërkombëtare të jenë më pak të përshtatshme se sa parashikimet tona dhe kjo gjë mund të ushtrojë presion të mëtejshëm në këto vende", tha Allen. Bosnja dhe Serbia kanë hyrë në programe ndihmash në këmbim të reformave me FMN-në, ndërsa Maqedonia emetoi eurobonde me interes stratosferik prej 9 për qind, ndërsa Shqipëria mori kredi tregtare me interes euribor plus 9.65 për qind. Që të dyja këto vende zhvilluan zgjedhje këtë vit dhe qeveritë parapëlqyen të mos e përçojnë imazhin e krizës tek elektorati, duke e mbajtur larg FMN-në. "Ne po diskutojmë me shumë vende, veçanërisht në Ballkan", tha Allen, ndërsa gjendej në Forumin Ekonomik të Vjenës. "Deri tani, këto vende duket sikur ia kanë dalë pa ndihmën e Fondit, por Fondi është gjithmonë gati për të ndërhyrë. Nuk kemi ndonjë problem me faktin që këto vende po përpiqen ta kalojnë krizën pa ndihmën e FMN-së, por ne jemi një lloj rrjeti sigurie. Huamarrja te fondi ka kuptim, për shkak se jep më shumë besim te politikat ekonomike të vendeve",- tha ai.
BB jep ndihma për përballimin e situatës pandemike në vend
Banka Botërore po ndihmon më tej Shqipërinë në përgatitjen për situate pandemike nga gripi i derrit me financimin përmes “Projektit të Gripit të Shpendëve”, blerjen e Tamiflusë, vaksinave të gripit tradicional dhe përpjekjeve për të forcuar kapacitetet e tjera parandaluese dhe trajtuese. Për më tepër, BB-ja po shqyrton një kërkesë të qeverisë së Shqipërisë për të alokuar fonde të tjera shtesë nën “Projektin e Modernizimit të Sistemit Shëndetësor në Shqipëri” për të mbështetur përgatitjen për situata pandemie.
Në kuadrin e kësaj nisme, dje u inaugurua një laborator i ri i virologjisë, financuar nga BB-ja në mjediset e Institutit të Shëndetit Publik. Ai do të ndihmojë në diagnostikimin molekular për identifikimin e viruseve të pandemisë së gripit të derrit A/H1N1 dhe gripit të shpendëve A/H5N1. Teknologjia e re (në kohë reale PCR) do të shkurtojë kohën e diagnostikimit në më pak se një ditë, duke ndihmuar sistemin shëndetësor për të përballuar më mirë pandemitë. Ky investim përfshin punimet e ndërtimit, pajisje dhe trajnime në një total prej 750.000 dollarësh. Laboratori është tashmë pjesë e rrjetit Evropian të vrojtimit për monitorimin e sëmundjeve të gripit dhe mbështetet nga OBSH në Evropë. “Laboratori i ri i virologjisë,- tha Ibrahim Haçkaj, drejtues i Projektit, do të rrisë kapacitetin diagnostikues në Shqipëri për gripin dhe sëmundje të tjera të ngjashme. Ky investim është rezultat i një bashkëpunimi të mirë mes Ministrisë së Shëndetësisë, Institutit të Shëndetit Publik dhe Sekretariatit të Task Forcës të Projektit të Gripit të Shpendëve në Ministrinë e Bujqësisë”.
Borxhet e BE-së, deri në vitin 2014 huaja publike shkon në 100 për qind të PBB-së
Komisioni Europian paralajmëroi dje vendet anëtare se borxhi publik i bashkimit ekonomik dhe monetar mund të fluturojë në 100 për qind të borxhit të brendshëm bruto, pra sa i gjithë prodhimi i një viti, në rast se qeveritë përkatëse nuk angazhohen për të rivendosur disiplinën fiskale. Mesazhi i ashpër jepet përmes një analize të komisionit, ku nënvijëzohet përkeqësimi i shpejtë i gjendjes së financave publike në BE, shkaktuar nga masat urgjente të ndërmarra në 12 muajt e fundit për të shpëtuar nga falimenti sektorin financiar dhe për të luftuar recesionin. Ministrat e Financave të 16 vendeve anëtare të eurozonës do të diskutojnë raportin e Komisionit në një takim informal, ndërsa të 27 vendet anëtare do ta diskutojnë formalisht më vonë. Deri në vitin 2007, borxhi publik i eurozonës ishte vetëm 66 për qind e PBB-së. Por, edhe në këtë nivel, ishte shumë më lart se sa objektivi prej 60 për qind që themeluesit e euros kanë marrë përsipër të respektojnë si limit maksimal. Në parashikimin e fundit ekonomik të publikuar nga komisioni, thuhet se borxhi publik do të rritet në 84 për qind të PBB-së vitin e ardhshëm dhe në 88.2 për qind më 2011-n. Por një parashikim edhe më i errët u krye. Dokumenti thotë se duke u bazuar tek ecuria e këtij treguesi në periudhën para krizës, parashikimi është që në vitin 2014, borxhi publik do të fluturojë në 100 për qind të PBB-së. Për më tepër, pavarësisht shqetësimit në rritje për borxhet publike, udhëheqësit e qeverive të BE-së ranë dakord javën e kaluar që të mos nxitojnë të disiplinojnë shpenzimet për të mos dëmtuar rigjallërimin ekonomik.
11 Nentor 2009