PS-ja proteston në Korçë, Rama: “Berishën do ta rrëzojmë përpara zgjedhjeve të ardhshme”
Shaban Sulçe
Partia Socialiste ka zhvilluar protestën e saj të radhës në qytetin e Korçës, ku ka kërkuar hapjen e kutive të votimit dhe hetimin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Përpara protestuesve, drejtuesit e PS-së dhe të opozitës kanë lëshuar akuza të ashpra në drejtim të maxhorancës aktuale. Në këtë protestë folën deputetët socialistë të qarkut Korçë, Majko, Dalipi, Ahmetaj, Kodheli dhe Xhaçka, kreu i PLD-së, Spartak Ngjela, kreu i G99-s, Erion Veliaj, ish-anëtari i Kryesisë së LSI-së, Ndre Legisi, kreu i PDS-së, Paskal Milo, si dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama. Gjatë fjalës së tij në këtë protestë, kryesocialisti Edi Rama u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë që të marrin pjesë në protestën e datës 20 nëntor në Tiranë. Duke kujtuar rënien e Murit të Berlinit 20 vjet më parë, Rama bëri një paralelizëm, duke thënë se në këtë protestë do të rrëzohet muri që pengon votën e lirë në Shqipëri.
Rama
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi se në rast se kryeministri Berisha do të fshehë gjurmët e vjedhjes së zgjedhjeve të 28 qershorit, opozita nuk do të kërkojë transparencën e zgjedhjeve të shkuara, por rrëzimin e tij nga pushteti përpara zgjedhjeve të ardhshme. “Sali Berisha kërkon të fusë duart duke fshehur gjurmët, që nesër, kur t’i vijë laku në fyt, të thotë hapni kutitë dhe mashtrimin e madh ta mbulojë me një edhe më të madh. Po ne i themi edhe këtej nga Korça: Në e paç bërë mëkatin e radhës për të fshehur gjurmët e vjedhjes së madhe të 28 qershorit, ne nuk do të kërkojmë më transparencën e zgjedhjeve të shkuara, por rrëzimin tënd përpara zgjedhjeve që vijnë. Ne i përsërisim edhe sot nga ky stacion tjetër i protestës sonë: hapi rrugën pa humbur kohë transparencës, hetimit të zgjedhjeve të shkuara, korrigjimit të gjithçkaje që ndodhi dje, që nesër gjithkush të jetë i lirë dhe i garantuar në votën e tij, sepse vetëm kështu vendi mund të çlirohet nga barra e rëndë, përditë e më e rëndë, e një parlamenti pa legjitimitet dhe i një qeverie pa mandat legjitim. Vetëm kështu qeveria mund të rigjejë kuptimin e humbur dhe opozita mund të rikthehet në Parlament për të ringritur besimin te shteti që rrënohet përditë në sytë e njerëzve, për shkak të një pushteti familjar të qorruar nga ethet e përfitimit të paligjshëm”, - u shpreh Rama.
Protesta
Kryesocialisti Rama u bëri thirrje qytetarëve të Korçës dhe të të gjithë Shqipërisë që të marrin pjesë në protestën e madhe të 20 nëntorit. Ai tha se në këtë protestë shqiptarët do të rrëzojnë murin që i pengon ata që të votojnë lirisht. “Më 9 nëntor Europa festoi 20-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit. Më 20 nëntor ne do të protestojmë për të shembur murin që prej dy dekadash i pengon shqiptarët të votojnë lirisht, të numërojnë ndershmërisht votën e tyre dhe të mirëqeverisen, në lirinë e pacenueshme të konkurrencës së tyre. Më 20 nëntor, në Tiranë, të gjithë bashkë, për të shembur murin e politikës së vjetër 20-vjeçare të premtimeve të pambajtura dhe të zullumeve të papërmbajtura. Më 20 nëntor, në sheshin ‘Skënderbej’ në Tiranë, për të shembur murin që na pengon të shohim lirisht votën tonë duke hapur kutitë e votimit, për të hapur bashkë me to rrugën e zhvillimit të vendit, rrugën e daljes nga kriza ekonomike dhe varfëria e patolerueshme, rrugën e fitores së betejës me papunësinë e madhe dhe me korrupsionin. Më 20 nëntor në sheshin ‘Skënderbej’ në Tiranë për të shembur murin e pushtetit të familjes së Sali Berishës”, - u shpreh Rama.
Milo: “Kriza zgjidhet vetëm me zgjedhje të parakohshme”
Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, tha se hapja e kutive të votimit është një e drejtë legjitime e shqiptarëve. Milo tha se është e pamundur që të bëhet kompromis me një qeveri që kërkon kompromise të dëmshme në kurriz të qytetarëve shqiptarë. Ai tha se zgjidhja e vetme e krizës politike është zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme. “Të bashkohemi të gjithë bashkë më 20 nëntor në Tiranë që të ngremë zërin për lirinë e votës. Nuk ka negociata me një qeveri që mund të kërkojë kompromise të dëmshme në kurriz të qytetarëve shqiptarë. Në radhë të parë ne duhet t’u drejtohemi atyre që vërtet na kanë votuar dhe janë gati të vijnë me ne deri në fund të kësaj beteje të vështirë. Do të shkojmë drejt zgjedhjeve të parakohshme, t’i kërkojmë zgjedhjet e parakohshme. Vetëm përmes tyre do të vijë zgjidhja politike”, - tha Milo.
Legisi: “Meta të mos i lërë për inat të Edi Ramës socialistët në opozitë”
Ish-anëtari i Kryesisë së LSI-së, Ndre Legisi, gjatë fjalës së tij në protestë nuk ka ngurruar që të sulmojë ish-shefin e tij, kreun e LSI-së, Ilir Meta. Legisi tha se Meta duhet të bashkohet me socialistët, dhe jo t’i lërë në opozitë ata për inatin e Edi Ramës. “Ne jemi këtu për t’i thënë Berishës, Metës e kujtdo se Shqipëria nuk mund të integrohet e ndarë, pa socialistët nuk mund të ketë integrim. Meta po mban në pushtet Berishën e 97-s, po mban Berishën e grushtit të shtetit të 98-s. Nga ky shesh i bëj thirrje të heqë dorë nga mëritë e tij për inat të Edi Ramës, po lë socialistët në opozitë. Sa nuk është vonë, Meta i ka të gjitha mundësitë të tërhiqet nga ky njeri i paudhë”, - tha Legisi, i cili kërkoi edhe ai hapjen e kutive të votimit.
Veliaj: “Kryeministrat kanë ndërtuar Murin e Berlinit në Shqipëri”
Kreu i Partisë G99, Erion Veliaj, tha se opozita do të rrëzojë më 20 nëntor “Murin e Berlinit” që kanë ndërtuar në Shqipëri kryeministrat Berisha dhe Meta. “U themi Sali Berishës dhe Ilir Metës se jeni frikacakë, se vidhni ëndrrat e njerëzve. Shumë njerëz na thonë: ‘Pse nuk i rrëzoni institucionet? Pse nuk rriheni me policinë?’. Por ne përfaqësojmë një kulturë tjetër. Ne besojmë te punët e ndershme, jo te punët e pista si Berisha e Meta. Kjo është kultura jonë dhe jemi krenarë për kulturën tonë. Në datën 20 nëntor kemi një test, ata që ndërtuan Murin e Berlinit në Shqipëri janë kryeministra. Data për rrëzimin e murit në Shqipëri është data 20 nëntor. Ne kërkojmë të hapen kutitë, duam transparencë. Në momentin që duam një transparencë për tunelin e Kalimashit, Berisha ngre një mur dhe nuk lejon transparencën. Ne sot u lëmë takim të gjithëve. Këta dy frikacakë, Berisha e Meta, kanë një mur para nesh. Më 20 nëntor nëse të gjithë takohemi atje në shesh, në Tiranë, do ta rrëzojmë këtë mur”, - tha Veliaj.
Dalipi: “Kërkojmë hapjen e kutive për të ndërruar qeverisjen”
Deputeti i PS-së, Alfred Dalipi, gjatë fjalës së mbajtur në protestën e Korçës është shprehur se deputetët e PS-së kërkojnë hapjen e kutive jo vetëm për të ndërruar qeverisjen, por për të lexuar atë që ka dhënë verdikti. “Kërkojmë hapjen e kutive. Ne kërkojmë të hapen kutitë, që shqiptarët të vazhdojnë të ushqejnë ëndrrën e tyre se 28 qershori do të ndryshonte jetën e tyre. Ne kërkojmë që të hapen kutitë për të vazhduar këtë shpresë. Kërkojmë të hapen kutitë jo vetëm për të ndërruar qeverisjen, por për të marrë atë që ka dhënë verdikti, për të numëruar votën tuaj, që shteti t’i kthehet së drejtës, që vendi të mos merret peng nga familja në pushtet, nga familja Berisha dhe të mos merret peng nga bashkimi familjar i Berishës me Ilirin. Ne si deputetë, pa u hapur këto kuti, nuk futemi në një parlament ilegjitim”, - tha Dalipi.
Kodheli: “Krimi elektoral luftohet vetëm me transparencë”
Deputetja e PS-së, Mimi Kodheli, tha se krimi elektoral i 28 qershorit mund të luftohet vetëm duke u bërë transparenca e zgjedhjeve. “Na duhet të vazhdojmë të protestojmë për një të drejtë elementare, të zbardhjes së një të vërtete të madhe të 28 qershorit. Në Tiranë, për të fituar një të drejtë të madhe, atë të hapjes së kutive. Të protestojmë për dhunimin që i bën familja medias, biznesit. Ky krim mund dhe duhet të luftohet vetëm me trasparencë, duke hapur kutitë dhe numëruar votat tona. Për fat të keq liria po bëhet gjithnjë e më e shtrënguar, demokracia në lëngim, prandaj të gjithë së bashku të nisemi drejt Tiranës më 20 nëntor, në një tubim që do të shënojë një epokë të re drejt rrugës së Europës”, - tha Kodheli.
Majko: “Me kuti të mbyllura nuk mund të jesh anëtar i NATO-s”
Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, tha se Shqipëria nuk mund të jetë anëtare e NATO-s nëse mban të mbyllura kutitë e votimit. “Më 20 nëntor të gjithë në Tiranë, bashkë, që të ballafaqohemi me qeverinë më jodemokratike. Kutitë e mbyllura, simbol i aferave të korrupsionit, simbol i keqqeverisjes së Shqipërisë. Në kutitë e mbyllura njerëzit shohin shumë nga problemet e tyre. Ne sot e ftojmë qeverinë e Berishës të bëhet anëtare e NATO-s, se me kuti të mbyllura nuk mund të jetë anëtare e NATO-s. Të bindur ne nuk do të lodhemi për kërkesat tona. Ky nuk është një dimër dosido, ky është dimri i vetmisë së madhe të Sali Berishës”, - tha Majko.
Ngjela: “Vota nuk mund të mbahet peng nga një qeveri që nuk ka fituar zgjedhjet”
Kryetari i Partisë Ligj për Drejtësi, Spartak Ngjela, tha se opozita nuk do të ngurrojë që të kërkojë hapjen e kutive të votimit. “Votën e shqiptarëve nuk mund ta mbajë peng një qeveri që nuk ka fituar zgjedhjet, s’mund të fshehë transparencën. Shikojeni se çfarë tragjedish na ndodhin me një kryeministër të tillë. Ky është fati ynë i keq. Ne jemi mbledhur dhe do të vazhdojmë të mblidhemi, do t’u krijojmë të drejtën shqiptarëve që të jenë dinjitozë. Si mund të qëndrojë një qeveri që ka vrarë 26 njerëz të pafajshëm në një fabrikë?! Duhet të mblidhemi ta shporrim të keqen. Ai kërkon që me vota të vjedhura të konsolidojë një pushtet dhe ta kthejë në dinasti. Ky 20 nëntor do t’i tregojë botës se jemi dinjitozë. Si mund të jetë dinjitoz shteti që ka vjedhur rrugën kryesore të vendit, me një kryeministër që gënjen për gjithçka”, - tha Ngjela.
11 Nentor 2009