E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi i PD-së, nis hartimi i listës me emrat e rinj të Këshillit Kombëtar



Eljona Ballhysa
Me caktimin e datës së zhvillimit të Kuvendit Kombëtar, selia blu ka nisur përgatitjet për organizimin e këtij forumi të lartë vendimmarrës. Duke u bazuar në Statutin e PD-së, një nga kompetencat e Kuvendit Kombëtar është zgjedhja e anëtarëve të rinj të Këshillit Kombëtar. Burimet bëjnë të ditur se ashtu sikurse parashikohet në Statut, që tani lidershipi i PD-së ka filluar të hedhë të letër emrat e rinj të anëtarëve të Këshillit Kombëtar, që do t’i paraqiten për votim Kuvendit Kombëtar. Një anëtar i Këshillit Kombëtar ka të drejtë të zgjidhet anëtar i Kryesisë Qendrore, por dhe të garojë për një post në Sekretariatin e partisë. Pra zgjedhja në Këshillin Kombëtar u hap anëtarëve të PD-së një dritare për të vazhduar më tej karrierën politike brenda partisë.
Këshilli
Në bazë të Statutit të PD-së, Këshilli Kombëtar drejton veprimtarinë e Partisë në periudhën midis dy kuvendeve. Këshilli Kombëtar përbëhet nga kryetari, sekretari i Përgjithshëm, nënkryetarët, sekretarët funksionalë, ish-Presidentët e Republikës, ish-kryeministrat, ish-kryeparlamentarët dhe ish-kryetarët e PD-së, kryetarët e këshillave të qarqeve dhe kryetarët e bashkive të kategorisë së parë, kryetarët e degëve, kryetarët e organizatave partnere si dhe nga anëtarët që duhet të votohen. Por, rëndësia e Këshillit Kombëtar është se ai zgjedh dhe shkarkon nëpërmjet votimit anëtarët e Kryesisë Qendrore si dhe drejtuesit e lartë të partisë, siç janë nënkryetarët, sekretari i Përgjithshëm dhe sekretarët e tjerë të partisë. Ndërkaq, burimet bëjnë të ditur se kryetari i PD-së do të jetë mëse i vëmendshëm që të vendosë në listën e anëtarëve të Këshillit Kombëtar mbështetësit e tij. Pritet që kryetari të zëvendësojë dhe vendet e lëna bosh në këtë forum pas largimit të deputetëve historikë të PD-së, siç janë Besnik Mustafaj, Preç Zogaj, Aleksandër Biberaj, Spartak Ngjela e të tjerë.
Kuvendi
Miratimi i anëtarëve të rinj të Këshillit Kombëtar do të zhvillohet në mbledhjen e Kuvendit të PD-së, që do të mblidhet më 12 dhjetor. Kuvendi, në bazë të Statutit, mblidhet një herë në katër vjet dhe parashikohej të mbahej në fund të muajit prill, por zhvillimi i tij u shty për shkak të zgjedhjeve parlamentare. Demokratët në këtë Kuvend do të rimandatojnë kryetarin e Partisë, Sali Berishën, duke e zgjedhur sërish në krye të PD-së edhe për katër vite të tjera. Në Kuvendin Kombëtar do të votohet për programin politik të PD-së me të cilin do të qeverisë vendin për katër vitet në vazhdim, si dhe do të zgjidhen anëtarët e Këshillit Kombëtar. Ajo që ka filluar të lëvizë është përpjekja e figurave të PD-së për të marrë një post në Sekretariatin e kësaj partie apo në Kryesinë Qendrore, që është organi më i lartë vendimmarrës i PD-së. Prej kohësh është folur në strukturat e Partisë Demokratike për një reformë të kupolës drejtuese të partisë, çka përfshin zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Kryesisë Qendrore, si dhe zgjedhjen e individëve të rinj në postet e sekretarëve. Por ashtu, siç bëhet e ditur edhe nga drejtues të lartë të PD-së, siç është Astrit Patozi, Kuvendi nuk pritet të sjellë ndryshime rrënjësore në lidershipin e partisë. Pra pritet që figurat kryesore të PD-së të vazhdojnë të mbajnë postet e tyre, përveç largimit të disa prej anëtarëve aktualë të Kryesisë dhe afrimit të individëve të rinj, duke pasqyruar edhe përbërjen e re të Grupit Parlamentar të PD-së.

Olldashi në Komisionin e Veprimtarisë: “Do të zgjerojmë Portin e Shëngjinit”

Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, ka deklaruar në Komisionin Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese se Shëngjini do të shndërrohet në një port gjeneral për t’i dhënë akses qeverisë kosovare, kjo veçanërisht përsa u përket eksporteve dhe kryesisht çimentos, industria e së cilës është e përqendruar në këtë zonë. “Ka një interes të qartë të qeverisë së Kosovës për të pasur akses në Portin e Shëngjinit, sikurse ka një garanci të dhënë nga qeveria shqiptare që do të bëjë të mundur këtë akses. Nga ana tjetër, përreth Portit të Shëngjinit kemi të përqendruar një industri të madhe të prodhimit të çimentos dhe sasia e prodhuar do të duhet të eksportohet. Kjo gjë do të ndodhë përmes dy drejtimeve, Portit të Shëngjinit dhe linjës hekurudhore me Malin e Zi”, - është shprehur Olldashi. Ministri ka bërë të ditur gjithashtu se brenda këtij muaji do të negociohet me kompaninë që ka marrë me koncesion aeroportin “Nënë Tereza”, me qëllim heqjen e ekskluzivitetit të fluturimeve dhe vënien në punë kështu të aeroportit të Kukësit. Po kështu, Olldashi deklaroi se qeveria po punon edhe për ndërtimin e aeroportit të Sarandës.

Pollo: “Sfida e Mijëvjeçarit, Shqipëria, hapa përpara në luftën kundër korrupsionit”

Ministri i Shtetit, Genc Pollo, gjatë një deklarate për shtyp të mbajtur dje, vlerësoi hapat përpara të Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit të vëna në dukje nga Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit në SHBA. “Është një lajm shumë i mirë për të gjithë shqiptarët ai i shpallur dje nga Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit në SHBA, se Shqipëria ka hedhur hapa cilësorë e të rëndësishëm përpara në luftën kundër korrupsionit. Sipas vlerësimit të kësaj organizate ndihme, të themeluar në vitin 2004 nga presidenti Bush dhe Kongresi i SHBA-ve, tashmë Shqipëria, përsa i përket luftës kundër korrupsionit, është ngritur mbi vijën mesore të përcaktuar nga Korporata, si treguesi thelbësor i një vendi”, - është shprehur Pollo. Ai tha se ky vlerësim e afron Shqipërinë në një program më të lartë ndihmës që parashikon Korporata. “Kjo do të thotë se ne i afrohemi programit ‘Kompakt’, që është forma më e lartë e ndihmës që parashikon Korporata dhe unë besoj se së shpejti do të kemi lajme të mira në këtë drejtim. Është rasti për të falënderuar përzemërsisht qeverinë e SHBA-ve dhe taksapaguesit amerikanë, Korporatën dhe USAID-in, për ndihmën e deritanishme përmes së cilës janë realizuar QKR, QKL, Prokurimi Elektronik, përdorimi elektronik i dokumenteve tatimore, si dhe do të realizohen Gjykatat Administrative, deklarimi dhe pagesa elektronike e tatimeve, Agjencia e Planifikimit të Territorit, që zgjidh problemin e lejeve të ndërtimit etj. Projekte këto që reduktojnë korrupsionin, pakësojnë varfërinë dhe nxisin zhvillimin social dhe ekonomik”, - është shprehur Pollo.

11 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›