E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia shpërndan 17 bursa për studentët

Bashkia e Kamzës ka shpërndarë 17 bursa për studentët e vitit të parë që studiojnë në universitet të ndryshme të vendit. Në këtë qytet nga 150 aplikime që janë bërë, të drejtën për bursë e kanë patur vetëm 33 studentë. Krahasuar me vitet e kaluara, numri i bursave ka qenë më i madh, ndërsa Bashkia ka bërë seleksionimin e tyre në mënyrë të duhur, duke shkuar bursa vërtet te ata nxënës që e meritojnë. Përzgjedhja është realizuar duke marrë parasysh problemet social-ekonomike të nxënësve, por edhe duke stimuluar ata nxënës të cilët kanë mbaruar gjimnazin me rezultate të larta. Në Bashkinë Kamëz përgjatë këtyre katër viteve është punuar në arsim, kulturë, sport etj., ku është bërë i mundur ndërtimi i 10 shkollave 9-vjeçare, 3 shkollave të mesme, 1 shkollë e profilizuar dhe 8 kopshte. Gjithashtu, së shpejti do të inaugurohet edhe Qendra Kulturore, e cila është e konkurrueshme jo vetëm në vend, por edhe në rajon. Këtë vit është krijuar edhe Drejtoria Arsimore e Kamzës, e cila do të japë një impuls të ri në zhvillimin e arsimit në këtë zonë. Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, para pak ditësh, gjatë prezantimit të drejtorit të Zyrës Arsimore në Kamëz premtoi më shumë investime për arsimin në këtë zonë. Nga 634 maturantë që kanë mbaruar shkollën e mesme publike në Kamëz, 432 kanë fituar të drejtën e studimit në universitete publike.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›