E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokimi i rrugëve, reagon Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve



Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve kërkon nga qeveria marrjen e masave për zhbllokimin e rrugëve në vend. Burime nga kjo zyrë deklaruan se e konsiderojnë si të pa precedent bllokimin e rrugëve gjatë ditëve të fundit në jug të vendit kërkoi të ndëshkohen të gjithë personat që ndërmarrin një veprim të tillë. Bllokimi i rrugëve nacionale ka bllokuar për disa orë qarkullimin e automjeteve, për pasojë është vonuar kalimi i shumë personave, veçanërisht turistëve. Bllokimi i rrugëve nga ana e qytetarëve që kanë gjetur këtë mënyrë për të protestuar për hallet që i shqetësojnë po ndikon në turizëm. Pak ditë më parë për të protestuar kundër vrasjes së një të riu në qytetin e Himarës qytetarët e saj bllokuan rrugën nacionale duke shkaktuar kështu radhë të gjata dhe mbingarkimin e trafikut. Po ashtu dy ditë më parë banorët e zonës së Saukut në Tiranë bllokuan rrugën nacionale Tiranë – Elbasan duke protestuar për mungesën e ujit. Ky fenomen që na shoqëron pothuajse çdo ditë bëhet edhe më shqetësues kur problemin e vuajnë shumë qytetarë të tjerë dhe shpesh pushuesit. Pikërisht pas protestave të ditëve të fundit të qytetarëve, të cilët po bllokojnë rrugët në vende të ndryshme të Shqipërisë si shenjë proteste kundër një fenomeni apo një tjetër reagon Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve.

Reagimi

Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve tregon se një tjetër faktor kryesor që shqetëson turistët gjatë qëndrimit të tyre këtu është ndotja e bregdetit nga ujërat e zeza dhe mbetjet urbane. Problemet e turizmit në Shqipëri janë të shumta. Kryesish lidhen me ndotjen e mjedisit pranë zonave turistike, ndotja e ujit të detit, mungesa e infrastrukturës, e ujit të pijshëm, mungesa e dritave etj. ZMQ iu bën thirrje të gjitha instancave përkatëse të marrin masa të menjëhershme duke vënë gjoba dhe duke ndaluar ndotjen e mëtejshme të zonave bregdetare. Sipas tyre plehrat po mbysin zonën bregdetare dhe po bëhen shkak i sëmundjeve infektive në vend. Gjithashtu ZMQ ngre shqetësimin se plehrat po krijojnë një imazh të keq pqr turizmin në vend duke çuar në reduktimin e turistëve vitin që vjen. Një tjetër problem ku u ndal ZMQ-ja ishte mungesa e dritave dhe e ujit në zonat turistike. Për këtë fakt ky institucion apeloi duke theksuar se këto faktorë janë jetike për zhvillimin e turizmit në vend dhe për t’iu ardhur në ndihmë turistëve që po pushojnë në bregdetin tonë sipas tyre këto fenomene ndëshkuese duhet të reduktohen të paktën gjatë qëndrimit të turistëve.

Statistika
Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve e vlerësoi si të lartë nivelin e kriminalitetit në vendin tonë. Sipas saj disa nga shkaqet që rrisin numrin e vrasjeve janë problemet ekonomike dhe ato sociale. Hakmarrja është gjithashtu një tjetër faktor që ndikon në numrin e madh të vrasjeve në vend. Numri i krimeve dhe aksidenteve me pasojë vdekjen është rritur ndjeshëm edhe me ardhjen e emigrantëve këto dy muajt e fundit në Shqipëri. Sipas statistikave numri i vdekjeve është rritet çdo vit gjatë sezonit veror.

QSUT, prezantohet faza e parë e masterplanit për përqendrimin e të gjitha shërbimeve

Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka prezantuar dje në prani të ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili, drejtorit të QSUT-së Ilir Dashi dhe shefave të Pavijoneve mbylljen e fazës së parë të masterplanit për QSUT-në, si dhe nisjen e fazës së dytë. Sipas drejtorit të QSUT-së, Ilir Dashi, në fazën e dytë të masterplanit e gjithë vëmendja do të përqendrohet në të gjitha shërbimet. I pranishëm në këtë prezantim, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili tha se duhet të merren masa për shërbime ambulatore dhe diagnostikime të shpejta në mënyrë që të ulet ditë qëndrimi i pacientëve në spitale. Sipas Vasilit kjo gjë duhet bërë edhe për të ulur kostot fictive për qëndrimet e zgjatura dhe të panevojshme të pacientëve. Në këtë prezantim u bë e ditur që së shpejti përfundon dhe spitali i madh i urgjencave, në të cilin po ndërtohen 7 salla për ndërhyrjet kirurgjikale. Ky spital plotëson të gjithë parametrat e të qënit një spital bashkëkohor dhe do të krijohet Departamenti i Urgjencave si specialitet më vete. Projekti i masterplanit parashikon: përqendrimin e shërbimeve spitalore në një variant vertikal duke shmangur fragmentarizmin e sotëm, duke sjelle ndryshim konceptual në strukturën dhe funksionin e spitalit. Në këtë mënyrë mund të realizohet zgjidhja përfundimtare e problemeve të Urgjencave, duke përfshirë edhe traumatologjinë, e shoqëruar dhe me krijimin e Departamentit të Urgjencave si specialitet më vete. Përqendrimin e imazherisë të laboratorëve dhe krijimin e një arsenali pajisjesh ndër më modernet në rajon. Modernizim dhe koncentrim të sallave të operacioneve nëpërmjet krijimit të një blloku operator me 7 salla dhe infrastrukture mjaft të sofistikuar si edhe indeks shfrytëzimi dhe funksioni në nivelet evropiane. Një bllok sterilizimi të cilësisë e kapaciteteve evropiane si dhe rikonceptim të funksioneve ambulatore duke krijuar të gjitha kushtet për rritjen e numrit të pacientëve ambulatore, për mirëfunksionim të sistemit të referimit, të sistemit të konsultave, të listës së pritjes me qëllim që të synohet ulja e ditë qëndrimit në spital dhe ulja e numrit të shtretërve. “Ajo që ne duam të synojmë është ulja e ditë qëndrimit të pacientit në spital. Dihet që kemi shifra të larta, ndaj edhe kërkoj nga ju që me hapjen e spitalit të ri të synohet edhe më shumë kjo, duke shkuar drejt shërbimit ambulator për ato raste urgjente të cilët nuk kanë nevojë të qëndrojnë gjatë. Sistemi ynë shëndetësor nuk mund të përballet me kosto fiktive të qëndrimeve të zgjatura e të panevojshme”, tha Vasili. Ndërkohë që drejtori i QSUT-së, Ilir Dashi e quajti këtë masterplan si projektin më ambicioz që do të çojë në zhvillimin dhe transformimin historik të mjekësisë shqiptare. “Ky Master-Plan modernizon drejt standardeve evropiane QSUT-në e cila është qendra më e rëndësishme e shërbimeve shëndetësore në Shqipëri duke qenë projekti më ambicioz i transformimit infrastrukturor të saj, me rëndësi historike në zhvillimet e mjekësisë Shqiptare. Është transformim jo vetëm infrastrukturor, por edhe konceptual që do të prekë jo vetëm QSUT-në por do të ketë një ndikim të rëndësishëm në gjithë sistemin tonë shëndetësor”, tha Dashi. Sipas tij, masterplani parashikon përqendrimin e të gjitha shërbimeve që do të kryhen në Qendrën Universitare më të madhe në vend.

Ikën i nxehti afrikan, temperaturat ulen deri në 30 gradë celcius

Bien ndjeshëm temperaturat në të gjithë vendin. Sipas sinoptikanëve e njëjta situatë do të vazhdojë gjatë gjithë kësaj jave ndërkohë pritet që javës që vjen i nxehti të rikthehet përsëri. Ditët e fundit vendi ynë u përfshi nga temperaturat deri në 40 gradë celcius, duke filluar nga bregdeti, por edhe ne zonat e ulta. Duke filluar që nga dita e martë temperaturat pësuan një ulje të menjëhershme me rreth 5-6 gradë celsius dhe parashikohet që në fundjavë ato të ulen deri në 30 gradë celsius. Porsa u përket reshjeve, ato do të mungojnë gjatë gjithë muajit gusht. Në zonat e ulta dhe në bregdet parashikohet të mbizotërojë mot i kthjellët ndërsa vranësira të lehta do të ketë vetëm në zonat malore të vendit. Muaji korrik dhe gusht i këtij viti u karakterizuan nga 4 episode të të nxehtit afrikan, ndërkohë që verën e vitit 2009 ishin tre episode gjithsej.

18 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›