E Diel, 1 Nëntor 2026

Kampingu i Rinisë në Qeparo, luksi në mes të natyrës



Teksa kalon përgjatë Rivierës, nga Vlora drejt Sarandës, syri të ndal vetvetiu në Qeparo, në pikën e mesit të vijës së Jonit; jo për luksin, as për investimet, por për pasuritë që i ka falur nëna natyrë dhe për faktin se, falë Zotit, ende i ka shpëtuar masakrës urbane të dorës së njeriut. Harmonia, pastërtia dhe veçantia të ndalojnë vetvetiu, krejt ndryshe nga ajo që sheh dhe prek në Vlorë, Orikum apo Himarë. Plantacione me agrume dhe fiq, me plazhe të vogla, qëndrojnë harmonishëm buzë detit, ndërsa në anën tjetër të rrugës, fshatra me shtëpi që të grishin për të kërkuar histori të mistershme.
Vetëm pak metra larg rrugës kombëtare është ndërtuar kampingu i parë veror për rininë në Qeparo, një sprovë e re për një lloj ndryshe të turizmit. Një praktikë e tillë është përdorur edhe në Jalë apo Himarë, por këto ditë kampingu i Qeparoit ka qenë streha më e mirë pas zhurmave dhe tensioneve që mbërthyen Himarën dhe zonat përreth. Gjatë ditëve të fundit, shumë turistë iu larguan rrëmujës dhe përzgjodhën kampin e ngritur në mes të natyrës. Mes tyre kishte shumë të huaj, por edhe shqiptarë, të cilët erdhën bashkë me familjet e tyre.

Bujtësit shqiptarë dhe të huaj
Mes pushuesve që zgjodhën kampingun është edhe Olti Hatillari, anëtar i Forumit të Aleancës Demokratike. “Qeparoi nuk ka ndonjë zhvillim shumë të madh turistik, por është i pashfrytëzuar akoma, ka një lloj qetësie. Deri diku është edhe e virgjër”, - thotë ai. Ndër të veçantat që konstaton Hatillari është fakti se ky kamp është mes ullishtës dhe ka një lloj familjarizimi mes menaxhuesve të kampit, qoftë të huajve apo atyre që janë vendas. Ai thotë se “qetësia që të imponohet këtu të bën që të harrosh stresin, zhurmat dhe pluhurat që ka Tirana. Unë dua të shtroj këtu problemin e investimeve serioze dhe mbështetjen nga shteti për projekte të tilla”, - përfundon i riu që po kalon ditët në kampin e Qeparoit.
Drini Jaku është një tjetër pushues që po kalon pushimet në këtë zonë. Ai thotë se vjet i bëri pushimet në Jug, por zgjedhja e këtij sezoni është shumë e mirë, qoftë për çmimet, por edhe për vendin dhe klimën.
Ndërsa Mirdash Konda ka vendosur që të ndryshojë praktikën e deritanishme të turizmit në hotel apo shtëpi me qira. “Këtu është një gjë krejt ndryshe, një gjë e thjeshtë, në mes të kësaj ullishteje, me një natyrë të qetë dhe të bukur; natyrisht e gërshetuar edhe me kaltërsinë e detit”, - thotë Konda. Ai vlerëson relaksim që të jep. Për të, thjeshtësia është një gjë e bukur.
Të njëjtën ndjesi ka edhe studenti Agim Fana, i cili provon për herë të parë turizmin në kamp. Mes turistëve janë edhe Zholia dhe Natalia, dy studentet e Psikologjisë nga Belgjika, të cilat kanë ardhur me një grup pune vullnetarësh në Shqipëri. “Është shumë bukur këtu në Qeparo. Njerëzit janë shumë miqësorë dhe ka shumë qetësi. Ka shumë njerëz dhe ne jemi shumë të gëzuar që jemi këtu”, - thotë Zholia 21-vjeçare, e cila po eksploron bukuritë natyrore të bregdetit të Jugut. Ndërsa shoqja e saj, Natalia, thotë se ka parë shumë vende që janë shumë të kushtueshme, por këtu është lirë, është një vend i bukur. Natalia nuk e përjashton mundësinë që të vijë herë tjetër enkas në bregdetin shqiptar për të kaluar pushimet verore. Destinacioni i radhës për dy studentet nga Belgjika do të jetë Dhërmiu, por ato thonë se kanë mbresa të rralla për ditët që kaluan në Qeparo, por veçmas vlerësojnë kuzhinën që shijuan në kamping.

Kuzhinierja, turistët dhe makaronat
E veçanta e kampingut të Qeparoit është kuzhina. Të gjithë, por sidomos të huajt, vlerësojnë duart e Silvanës. “Kam ardhur nga Italia për të provuar një eksperiencë të re këtu në Shqipëri”, - thotë kuzhinierja, e cila ka punuar në disa restorante në njohura në Piza, Toskanë apo Marina. Ajo thotë se këtë eksperiencë vjen ka provojë këtu, me synimin për të ndërthurur kuzhinën italiane me atë shqiptare: “Kur klientët më thonë të bëj çfarë të dua, kjo gjë më pëlqen. Akoma më e kënaqur ndihem kur marr vlerësime prej tyre dhe kur ata i shijojnë ushqimet që kam gatuar. Në praktikë, të huajt janë shumë më të thjeshtë në raportet me gatimin. I pranojnë me kënaqësi sugjerimet që na bëjnë”, - thotë Silvi, e cila është gjithmonë e gatshme për t’iu dhënë zgjidhje dilemave të secilit prej personave që qëndrojnë në kamping. Ndër ushqimet që ka gatuar së fundi janë: lazanja, pasta në furrë, alla siçiliana. Së fundi, teksa qeshën, ajo bën një konstatim që ka lidhje edhe me profesionin e saj që ushtron në Itali; shqiptarët konsumojnë shumë pak makarona, por unë dua që ata të kenë një arsye më shumë për t’i pëlqyer dhe për t’i përdorur në tryezën e tyre. Të gjithë ata që provuan spagetin e gatuar nga Silva, i japin të drejtë kuzhinieres së kampit në Qeparo.

Kampingu, në një harmoni në Qeparo
“Këtë kamping e kam bërë duke mos cenuar asgjë nga bukuria dhe harmonia që mbretëron në Qeparo”. Kështu shprehet Spiro Cura, i cili thotë se ndihet i gëzuar për këtë eksperiencë të parë. Misioni im nuk është ndërtimi, thjesht i një kampi, po prezantimi i kësaj perle të Rivierës tek të rinjtë, mbledhja e djemve dhe vajzave, jo vetëm nga Shqipëria, si dhe shkëmbimi i eksperiencave dhe kulturave mes njëri-tjetrit. Dhe këtë ata do ta bëjnë në një vend kaq të qetë dhe në harmoni me natyrën siç është Qeparoi, nën hijen e agrumeve dhe ullinjve.
Natën mbretëron qetësia dhe freskia që vjen nga deti, ndërsa në pikun e vapës, flladi që vjen mes pemëve mposht temperaturat e larta të të nxehtit afrikan. Mëngjesi në ikje nuk është sikur të largohesh nga një hotel me pesë yje. Destinacioni tjetër nuk e gjen natyrën dhe bukurinë e Qeparoit.

Intervista
Spiro Cura: “Pushimet, oferta ime për të rinjtë”

Spiro Cura, menaxheri i kampingut të Rinisë në Qeparo, nuk flet për biznes, por për një kamp–agor, ku të rinjtë flasin, shohin dhe shijojnë mrekullinë e natyrës. Nuk është i zhurmshëm, si diskotekat në qytetet e mbushura plot përgjatë bregdetit. Ai tregon për gazetën për nismën më të fundit dhe ofertën turistike në kampingun e Qeparoit.

Si u ngrit kampi rinor në Qeparo?

Ky është një bashkëpunim mes Ministrisë së Kulturës, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Njësisë Bashkiake Nr. 10, të cilët krijuan mbështetjen e duhur për ta filluar këtë iniciativë në kuadrin e nismave që ka ndërmarrë qeveria për turizmin, kryesisht për turizmin e kampingjeve. Kjo është eksperienca e parë në këtë zonë. Ky është një projekt me kosto minimale për të rinjtë dhe për t’iu ofruar kushtet për argëtimin e nevojshëm. Ai thotë se ka për mision që të shtojë vlerat e komunikimit mes njerëzve, mes të rinjve shqiptarë dhe të huaj. Këtë ka filluar ta realizojë, ndonëse kampi ka vetëm tri javë që është hapur.

Sa është kostoja për të rinjtë që duan të kalojnë pushimet në Qeparo?

Për një natë, kostoja është 1000 lekë të rinj, ku përfshihen edhe dy vakte dhe fjetja në çadrat e ngritura në natyrë. Këtu ofrohet falas edhe shërbimi i transportit në distanca të shkurtra, deri në 4-5 km, për të gjithë të rinjtë që duan të shohin pasuritë e Qeparoit.

Si ka qenë frekuentimi? Çfarë lloj turistësh kanë ardhur? Nga cilat vende?

Kanë ardhur grupe të rinjsh me nga 7-8 veta, të shoqëruar me njëri-tjetrin. Ata shoqërohen më tej edhe me miqtë që gjejnë në kamping, duke i dhënë kampingut një karakter të një pushimi të qetë, sesa të një vendi të rrëmujshëm rinor. Këtu kanë ardhur nga vende të huaja, por edhe nga vendi ynë. Pjesa më e madhe janë të rinj nga Tirana, Lushnja etj.

Çfarë vlerash ofron kampingu, por edhe vetë Qeparoi për turistët që zgjedhin këtë vend?

Gjeografikisht, kampingu gjendet në mes të bregdetit të Jonit. Mund të orientohesh dhe të shkosh në të gjitha drejtimet. Pikat më të afërta historike dhe kulturore janë shumë afër, siç është kalaja e Ali Pashës, në Porto Palermo, siç është Borshi, me të gjitha bukuritë e veta, Butrinti, për të shkuar në Sarandë, në Kalanë e Himarës, apo edhe në fshatin Qeparo lart, ku ndodhen ndërtesa dhe objekte të tjera që janë pjesë e vlerave të trashëgimisë tonë kulturore. Këtu dua të shtoj edhe vlerat e komunikimit mes njerëzve nga vende të ndryshme të botës. Ky kamping e ka pjesë të filozofisë shtimin e eksperiencave dhe kulturave mes të rinjve nga shtetet prej nga vijnë.

18 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›