E Diel, 1 Nëntor 2026

Dule refuzon Ramën



Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, nuk i ka dalë në një takim të parashikuar kreut të PS-së, Edi Rama. Në firmosjen e marrëveshjes së koalicionit të majtë, dje pasdite nuk ishte i pranishëm Dule, megjithëse partia e tij e kishte emrin në krye të aktmarrëveshjes së firmosur. Por PS vazhdon të jetë në pritje të kësaj partie, e cila është në qeverisje me PD-në prej 4 vjetësh. Duke e cilësuar të pambyllur negocimin me të, dje nuk janë hedhur firmat në draftin e marrëveshjes së koalicionit, duke e shtyrë për sot, në pritje të një kthese të PBDNJ-së. Por pavarësisht shtyrjes së herëpashershme për këtë shkak, Edi Rama më në fund ka deklaruar atë që ai e ka cilësuar koalicioni i politikës së re me dy politikanë të vjetër, Skënder Gjinushi dhe Paskal Milo dhe me të riun, Erion Veliaj. Siç bëjnë të diturA burimet nga PS, ka pasur një gjysmë fjale të dhënë nga PBDNJ, ndaj dhe emri i saj figuron në hartimin e marrëveshjen e firmosur. Ndërkaq, ky është koalicioni i dytë i zyrtarizuar në të majtën shqiptare, pas atij të drejtuar nga Ilir Meta. “Bashkimi për ndryshim” e ka quajtur PS këtë aleancë paraelektorale, duke trumbetuar për një politikë përtej së majtës e së djathtës, megjithëse në koalicionin e tij ka vetëm parti tërësisht të majta. E vetmja prurje e re ishte G99, e nisur si një lëvizje social-politike dhe e kthyer së fundmi në parti.

Kanë zgjedhur Akademinë e Arteve për të bërë zyrtarizimin e aleancës që dihej prej kohësh. Rama ka pasur në krah kreun e PSD-së, Skënder Gjinushi, atë të PDS-së, Paskal Milo, si dhe kreun e G99-s, Erion Veliaj. Në deklaratën e tyre ka vetëm fraza elektorale të përdorura rëndom në takimet e kreut të PS-së, por asnjë detaj mi ç’baza do të funksionojë kjo marrëveshje. Në nisje të saj, pas emrave të partive thuhet se “ramë dakord të bashkëpunojmë për interesat e vendit në një koalicion ndryshimi, me një vizion të përbashkët politik e programor, që ka në themel realizimin e ndryshimeve të menjëhershme e rrënjësore për të përshpejtuar integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, detyrimet e NATO-s, mirëqenien e njerëzve etj.”. Ndërsa Rama tha se “bashkimi ynë i ri nuk ka lindur për t’iu përgjigjur baltës me baltë dhe mllefit me mllef, por për t’i hapur krahët të gjithë atyre që e duan Shqipërinë si Evropa”.

PBDNJ, kryesi maratonë, vendimi shtyhet për sot

Nuk ka përjetuar ndonjë dilemë më të madhe politike se kjo e sivjetshmja Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, që ka qenë një parti e privilegjuar nga aleancat me partitë në pushtet. Kryesia e saj e mbledhur dje në darkë ka qenë një vazhdim i kryesisë së mbajtur në fund të javës që shkoi, por ka përfunduar njësoj si ajo, duke mos marrë dot një vendim për aleancën parazgjedhore. Megjithëse kjo parti gjendet vazhdimisht nën presionin e Partisë Socialist, për të bërë aleancë me të, në kryesi ekzistojnë dy rryma të kundërta, të cilat nuk bien në ujdi për vendimin përfundimtar. Kështu, as mbledhja e djeshme nuk ka arritur të bashkojë këto dy rryma, duke e shtyrë për sot një mbledhje tjetër kryesie apo ndonjë forum tjetër të lartë partie si Asambleja, që do të marrë vendimin përfundimtar. Idenë për të lëvizur majtas, pra me PS-në, e mbështesin ish-ministra që kanë shërbyer në qeveritë socialiste para 2005, ndërkohë që një pjesë tjetër e kryesisë, ndër ta dhe zyrtarët aktualë në qeverisje me PD-në, janë për vazhdimin e koalicionit me PD-në. Ndërkohë PS ka deklaruar se vazhdojnë negociatat me këtë parti, në pritje të vendimit të saj politik.

Meta prezanton “Planin për veprim”

Lëvizja Socialiste për Integrim nuk e ka lënë thjesht si një slogan fushate “Planin për veprim”, por do të nisë një fushatë politike në të gjitha rrethet, për të nxjerrë në pah prioritetet e programit të saj. Dje lideri i LSI-së, Ilir Meta, ka prezantuar “Planin për veprim” dhe gjithashtu zëdhënësin e programit elektoral, Edmond Haxhinasto dhe zëdhënësin e LSI-së, z. Ralf Gjoni. Meta tha se “në themel të këtij “Plani për veprim” qëndron pikërisht punësimi si shtylla kryesore dhe objektivi kryesor mbi të cilin do të ndërtohet mirëqenia e qytetarëve shqiptarë dhe në radhë të parë e atyre që janë pa punë”. Më tej, ai shtoi se “programi ynë është thellësisht social, sepse Shqipëria ka nevojë për një harmoni sociale për të pasur një paqe sociale dhe një stabilitet social dhe politik afatgjatë, por padyshim që programi dhe plani ynë nuk është i mbështetur vetëm mbi një politikë shpenzimesh, por në radhë të parë është i mbështetur në një politikë të qartë të rritjes të qëndrueshme ekonomike dhe sidomos për nxitjen e rritjes së prodhimit vendas, çka është shumë e rëndësishme për të pasur një ekonomi të qëndrueshme, gjë e cila përkthehet në rritjen e qëndrueshme ekonomike për çdo qytetar të vendit tonë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›