Bllokimi i tre ligjeve PPE do te shqyrtojne situaten ne vend
Partia Popullore Europiane do të shqyrtojë në mënyrë të veçantë situatën e krijuar nga bllokimi që po i bëhet miratimit të tre ligjeve në Kuvend.
Një fakt i tillë u bë i ditur nga Kryeministri, Sali Berisha i cili mori pjesë në Samitin e zgjeruar të PPE-ve.
Sipas kreut të qeverisë, sot ishte një seancë e zgjatur, në të cilën pati vend si për çështjet qëndrore, për të cilat mblidhet sot Samiti i Bashkimit Europian, ashtu dhe për problemet e vendeve të veçanta.
“Siç dihet Shqipëria, Komisioni Europian ka bërë një raport pozitiv, pork a përcaktuar votimin e tri ligjeve si një detyrim në mënyrë që ti bëjë rekomandimin përfundimtar Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian. Këto tre ligje janë mbajtur dhe mbahen peng nga kryetari i opozitës, i cili beson se duke bllokuar statusin për shqiptarët dëmton qeverinë dhe bën një kalkulim shumë shumë të gabuar. E vërteta është se shqiptarët kanë të gjithë fuqinë, potencialin për të shembu çdo mur. Siç rrëzuan murin e bashkisë, sic rrëzuan “Murin e Berlinit” dhe e festuan, tani do të rrëzojnë edhe murin bllokimit të zotit Rama”, vuri në dukje Berisha.
Duke bërë me dije se diskutimi i tij në PPE përfshiu dhe një realitet të tillë, kreu i mazhorancës qeverisëse sqaroi se “mora sigurinë se partia popullore europiane do të shqyrtojë në mënyrë të vecantë këtë situatë të krijuar nga ky bllokim absurd i një njeriu për interesa të karriges së tij të pushtetit. Natyrisht, në ekzpozenë time bëra një paraqitje më të gjerë të zhvillimeve në Shqipëri”.
Njëkohësisht, Kryeministri në takimet që zhvilloi me kolëgët e tij i njohu ata me të gjitha zhvillimet dhe me situatën në rajon.
“Situata në rajon me gjithë përparimin e njohur sërish vuan nga albanofobia, një faktor ky i dëmshëm për bashkëpunimin dhe klimën bashkëpunuese në rajon. Albanofobia është një qëndrim që i ka rrënjët në padrejtësitë më të mëdha të bëra ndaj shqiptarëve dhe më pas përpjekja për ti legjitimuar këto padrejtësi në forma nga më të ndryshmet. Edhe një herë theksoj se PD mbetet tërtësisht e vendosur në projektin e saj: të bashkohemi me njëri - tjetrin, të bashkohemi me europën. Kjo është përgjigja më e shkëlqyer që merr albanofobia në rajonin tonë”, deklaroi Berisha.