E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokohen 100 kg marijuanë, tre në pranga



GJIROKASTER - Bllokohen 100 kg marijuanë Lazarati e cila kishte destinacion tregun në kryeqytet. Policia e Gjirokastrës arrestoi Agim Avdulajn, 39 vjeç nga Lazarati bashkë me Marenglen dhe Fatjon çomani, 24 dhe 19 vjeç, të dy nga fshati Krahës i Tepelenës. Operacioni për arrestimin e tyre, i koduar “Shëtitësit e natës”, u finalizua në orët e vona të së premtes. Blutë kishin siguruar informacione falë edhe infiltrimit të njërit prej agjentëve të policisë në këtë trafik. Sipas burimeve, Avduli ishte personi që kishte marrë përsipër garantimin e sasisë së mallit nga Lazarati deri në Tiranë. Në pamundësi për ta kryer vetë këtë punë, 39-vjeçari, rekrutoi si transportues Fatjon dhe Marenglen çomanin. Ky i fundit kishte qenë disa kohë më parë në radhët e Gardës së Republikës dhe si i tillë, dukej person mjaft i përshtatshëm për t’i bërë ballë kontrolleve policore në akset nacionale ku do të transportohej marijuana. Sasia prej 100 kg, ka dalë nga Lazarati rreth orës 23:30. Blutë kishin në kontroll të gjitha rrugët që të çojnë në Tepelenë. Pas kësaj policia identifikoi Agim Avdulajn, i cili po qarkullonte me automjetin “Benz” me targa TP 31 30 B, ku po kryente kontrollin e rrugës. Ai komunikonte me dy personat nga Tepelena, të cilët kishin drogën në një tjetër “Benz” me targë italiane AD 806 FL. Policia ndërhyri duke kryer edhe prangosjen e tyre. Mësohet se 19- vjeçari, student i Infermierisë në Gjirokastër është përlotur në momentin e prangosjes. p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›