E Diel, 1 Nëntor 2026

Ersekë, shkëputet shkëmbi, vdes gjimnazistja në ekskursion



ERSEKE - Ekskursioni në malin e Gramozit të një grupi gjimnazistësh nga Erseka, ishte tragjik për një 15-vjeçare. Në tentativë për të kaluar në një pjesë shkëmbore, papritmas masivi është shkëputur duke marrë me vete gjimnazisten Fjorela Note. Goditja e shkëmbit në kraharor i shkaktoi shembje të rëndë adoleshentes, e cila gjeti vdekjen e menjëhershme. Moshatarët e viktimës përjetuan momente paniku nga ngjarja që ndodhi para syve të tyre. Edhe një vajzë tjetër pësoi plagë nga rrëzimi i shkëmbit, por pa i rrezikuar jetën. “Fjorela Note, 15 vjeç nga qyteti i Ersekës, ka vdekur aksidentalisht ndërsa do të kalonte mbi një shkëmb, i cili pa pritur është shkëputur nga vendi duke marrë edhe vajzën përfund. Ngjarja ndodhi pasditen e së premtes në malin e Gramozit, në vendin e quajtur ‘Ujëvara e dytë’”, bëri të ditur policia. Mësohet se grupi prej 50 të rinjsh nga ky qytet, pjesëtarë të kishës Ungjillore dhe fondacionit “Luarasi”, nuk e kishin herën e parë që zhvillonin ekskursione në Gramoz. Të premten ata kanë qenë në kthim për në shtëpi. Sipas dëshmitarëve, 15-vjeçarja, ishte duke kaluar mbi një shkëmb pranë ujëvarës. Në momentin që po kalonte, papritur shkëmbi lëvizi nga vendi dhe u shkëput nga toka. Masivi shkëmbor duke u rrokullisur e mori me vete edhe adoleshenten, nxënëse në vitin e parë në gjimnazin e Ersekës. Vajza është goditur rëndë në pjesën e gjoksit, dëmtim ky që i shkaktoi asaj vdekjen e menjëhershme. Një prej shoqeve të viktimës, e cila u ndodh pas saj pësoi dëmtime të lehta nga shkëputja e shkëmbit. Të rinjtë, dëshmitarë të kësaj ngjarjeje tragjike, u shprehën se pjesa më e madhe e grupit e kishin kaluar shkëmbin pranë ujëvarës së dytë kur ai lëvizi nga vendi papritur. Trupi i viktimës është arritur të merret nga vendi ku kishte rënë rreth 3 orë pas ngjarjes. Adoleshentja ishte vajzë e dy prindërve mësues në këtë qytet, ndërsa vetë mësohet se ishte një nga nxënëset më të mira të gjimnazit. g.a

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›