Tiranë, pengmarrje me pistoletë lodër
Fatos Mahmutaj
Një i ri nga Shkodra, i dyshuar se është me probleme mendore, terrorizoi dje zonën e Stacionit të Trenit në Tiranë në një pengmarrje në mes të ditës me një pistoletë e cila në fund rezultoi të ishte lodër. Elton Sutermeni, 28 vjeç, nuk ishte vënë re nga askush derisa hyri në dyqanin e një kompanie celularësh tek Stacioni i Trenit në Tiranë me një armë në duar. Ngjarja ndodhi rreth orës 14:40 ndërsa minutat e tmerrit kanë vazhduar për 30 minuta derisa pengmarrësi është arrestuar nga forcat speciale të policisë, RENEA. Me strehën e kapelës të ulur mbi fytyrë ai ka nisur të debatojë me shitësen pasi ka hyrë në dyqan. Vajza e errët është gjendur para një personi që kishte drejtuar armën prej saj krejt papritur. Pak çaste më vonë vajza bionde, me origjinë nga Shkodra është parë të dilte me shpejtësi nga dera e dyqanit dhe të drejtohej te një market ushqimor përballë rrugës pranë unazës. Në momentin që ka kaluar trafik-ndarësin teksa ecte me vrap, vajza ka rrezikuar të përplaset nga një furgon, por frenimi në kohë i shoferit ka shmangur aksidentin. Brenda pak çastesh, vajza është gjendur e terrorizuar brenda marketit ushqimor duke u treguar personave të pranishëm se një person i armatosur kishte hyrë në dyqanin e kompanisë celulare. Vajza ka pohuar se celularin e saj e kishte lënë brenda në dyqan, ndaj i ishte dashur një aparat tjetër celulari për të njoftuar policinë. Kurioziteti i qytetarëve të zonës dhe klientëve të dyqanit që ndodheshin aty është bërë shkak për grumbullimin e një numri të madh njerëzish në vendngjarje. Pas njoftimit të dhënë në sallën operative të policisë, brenda pak minutash aty ka mbërritur një punonjës pa uniformë, i cili është afruar tek dera e dyqanit. Në momentin që ai tentoi të hapte derën, personat që ndodheshin në anën tjetër të rrugës, duke e kujtuar si klient i kanë bërtitur të mos hynte brenda pasi në dyqan ndodhej një person i armatosur. Në këtë kohë, qytetarët e shumtë të grumbulluar në anën tjetër të rrugës nuk ishin shumë të sigurt nëse 28-vjeçari Sutermani ndodhej ende në dyqanin e celularëve, apo ishte larguar pasi atyre u ishte penguar shikimi nga mjetet e shumta që kalonin në rrugë dhe xhamat e errët të dyqanit. Polici që ka hapur derën, ka konstatuar se i riu, me pistoletë në dorë ndodhej në pjesën fundore të dyqanit në një aneks të veçantë që nuk dallohej nga jashtë. Brenda pak çastesh aty ka mbërritur edhe një autoveturë e patrullës së përgjithshme dhe pastaj njëri pas tjetrit dhjetëra efektivë të policisë së kryeqytetit dhe të forcave speciale RENEA që kanë vënë nën kontroll situatën dhe kanë rrethuar krejt zonën. Negociatorët e RENEA-s kanë hyrë në kontakt me pengmarrësin pasi kanë hapur derën e dyqanit. Efektivat e RENEA-s i kanë pohuar herë pas here se nuk donin ta qëllonin dhe se ai duhet të dorëzohej pasi ata do ta ndihmonin për problemet që kishte. Autori është përgjigjur duke thënë se nuk donte të vriste njeri e madje as të grabiste. Elton Sutermani ka thënë se kishte probleme ekonomike dhe se për këtë shkak e kishte lënë e dashura pak ditë më parë. Sipas tij i vetmi qëllim ishte të vriste veten. Pas këtyre fjalëve ai ka pranuar të hedhë përtokë pistoletën dhe të vetëdorëzohet. Kur efektivët e RENEA-s po i afroheshin ai ka nxjerrë nga xhepi një certifikatë të tijën personale dhe ua ka dorëzuar, së bashku me duart që i ka zgjatur për t’i vënë prangat. Në këtë moment policët kanë vënë re se arma që i kishte trembur ishte një pistoletë lodër. Ndërkohë në vendin e ngjarjes mbërritën punonjësit e sigurisë të kompanisë celulare, të cilët qetësuan vajzën e trembur nga pengmarrësi. Ekspertët e policisë këqyrën edhe kamerat e sigurisë të dyqanit, ndërsa pas rreth një ore shitësja u dërgua në ambientet e komisariatit për të dhënë deklarime. Nga policia e Shkodrës, bëhet e ditur se 28- vjeçari Elton Sutermani, së bashku me vëllain e tij binjak dhe një tjetër më të madh, janë rritur jetim pasi e ëma u ka vdekur në moshën 6-vjeçare, kurse babain e kanë humbur dy vjet më pas. Dy vëllezërit e tij tashmë kanë krijuar familjet e tyre dhe jetojnë njëri në Shkodër dhe tjetri në Itali. Ndërsa Eltoni deri para pak ditësh ka jetuar nëpër të afërm. Familjarët e pengmarrësit pohuan dje se nuk donin t’ia dinin për Eltonin, pasi ai nuk kishte punuar kurrë dhe se gjatë gjithë kohës kishte jetuar në kurriz të tyre. Sipas tyre ditët e fundit Eltoni kishte prishur marrëdhëniet me të afërmit, pasi u kishte marrë para borxh dhe nuk ua kishte kthyer më. Vëllezërit thanë se Elton Sutermani vuan nga probleme mendore.
Dëshmitari: Vajza i ofroi para, pengmarrësi s‘i mori
TIRANE - Fadili 62-vjeçar është i pari dëshmitar i ngjarjes që ndodhi dje te Stacioni i Trenit në kryeqytet. “Isha brenda dyqanit tim të veglave të punës, kur pashë vajzën që kaloi me shpejtësi rrugën dhe për pak humbi jetën nga një furgon që frenoi te këmbët e saj”, tregon për ngjarjen dëshmitari. Sipas tij vajza e tronditur kishte hyrë në marketin përballë dyqanit të celularëve dhe pas saj aty ishin mbledhur edhe shumë kureshtarë dhe klientë të dyqaneve përreth. Dëshmitari pohoi se kishte parë gjithë skenën dhe se nga dyqani i tij në disa momente dallohej i riu Elton Sutermani brenda dyqanit të celularëve. Pronari i marketit ushqimor dhe industrial ku u fsheh vajza pas përballjes me pengmarrësin pohoi se vajza ishte e tronditur sapo kishte hyrë në dyqanin e tij. Ajo kishte thënë që një person, për të cilin dyshonte se ishte i sëmurë mendor, i kishte hyrë në dyqan dhe e kishte kërcënuar me pistoletë. Vajza i kishte ofruar paratë që kishte aty por ai nuk i kishte marrë, ndërsa ajo kishte shfrytëzuar momentin që ai kishte humbur vëmendjen për të dalë me vrap jashtë dhe të afrohej në dyqanin ngjitur. Dëshmitari tha se e kishin ndihmuar vajzën për të njoftuar policinë duke i dhënë një celular pasi të sajin e kishte lënë në dyqan. fa.ma.