Rovena Marku - Një kampione noti për fëmijët autikë
Sonila Merolli
Kur termometri tregonte nën zero, ajo shkonte dhe nuhaste aromën e liqenit. Ndonjëherë tundimi për t’u kredhur edhe në janar ishte i papërballueshëm edhe pse kur dilte që andej me buzë të mavijosura, e hante një shuplakë sa për t’u nxehur. Që prej moshës 3-vjeçare Rovena Marku është e dashuruar me ujin, notin dhe gjithka tjetër lidhet me këtë botë të kristaltë, së cilës ajo i ka marrë sytë. Dhe nuk është aspak e çuditshme pse është Kampione Noti. Teksa afrohet me një look të ri, me flokët e prera shkurt e me ngjyrë të errët, të thotë me një frymë se nuk ka shumë kohë, pasi i duhet të zhytet në atë botën e saj nënujore, që tani në prag vere bëhet edhe më e dashur. Duke folur me të, nuk të duhet shumë për të kuptuar se sa e lidhur është ajo me ujin. Kjo lidhje ka nisur qysh në vegjëlinë e hershme. Tek e fundit nuk kishte si të ndodhte ndryshe, pasi shtëpia e saj ishte vetëm 20 metra nga Liqeni i Shkodrës. “Më kujtohet se nuk guxoja të futesha në ujë dhe vëllai më hodhi nga taraca drejt e në liqen. Nga frika nisa të lëvizja krahë e këmbët dhe kështu nisi. Kaq mjaftoi që mos të largohesha më prej tij. Rrija gjithë ditën në liqen, madje edhe bukën mami ma sillte aty”, kujton 23- vjeçarja. “Notoja nga Shiroka, deri te Bregu i Ranës në anën tjetër, pastaj dilja me not deri në Zogaj. Shikoja babin që tundte kanotieren si shenjë për t’u kthyer. Sigurisht kjo, nuk ishte stërvitje e mirëfilltë me teknika notarësh, por aty fitova rezistencë”, thotë ajo, teksa tregon për trishtimin që e mbërthente kur afrohej dimri e ajo nuk mund të futej më në ujë. “Aq shumë e ndieja mungesën në dimër sa shkoja i merrja erë liqenit. Megjithatë jam larë dhe në janar edhe pse ka grënë ndonjë dackë nga nëna, ama sa vinte marsi dhe ngroheshin deri diku temperaturat tundimi kalonte jashtë kontrollit”, tregon notarja e stilit të lirë. Pas periudhës si amatore, erdhi dita e përballjes së madhe me konkurrentet në garën e parë tek Akuadromi, ku jo vetëm fitoi vendin e parë, por që nga ajo kohë nuk e njohu më humbjen. Numri një ka qenë i saji. Megjithatë, ajo pohon se deri në moshën 18 vjeç, nuk ia kishte idenë as startit, as kthesës, derisa u largua drejt Italisë, ku për vite me radhë u aktivizua me skuadrën e qytetit të Torinos. Shkodrania, e tregon më së miri origjinën e saj, falë humorit karakteristik, të cilin e ruan edhe kur flet për zhgënjimet. “U riktheva pasi më premtuan dhe vetëm për pak kohë e gëzova famën dhe vlerësimin, më pas erdhi zhgënjimi, përjashtimi nga Federata e Notit, ishte periudha kur uji ‘e mbyste’”. Megjithatë, këtë moment kampionia e notit në stil të lirë, e ka hedhur pas krahëve.
Trajnerja e “Tornadove”
Thuajse gjithë kohën e kalon në pishinë, madje edhe kur temperaturat shënojnë nën zero. E gjen duke u mësuar fëmijëve të vegjël notin. Mes tyre ka edhe disa fëmijë të veçantë. Ata e shprehin dashurinë dhe interesin ndaj botës në një formë krejt ndryshe nga fëmijët e tjerë. Ndërsa ajo i ndihmon të kapen sa më fort pas botës reale, që të mos mbyllen në atë mikrokozmosin e tyre, të cilin askush deri më sot nuk ka mundur ta zbërthejë. Askund. Pakkush e di që kampionia e notit, Rovena Marku, është trajnerja e disa fëmijëve “specialë”, siç janë ata autikë, të cilëve u kushton seanca të veçanta. Kjo falë një specializimi një-vjeçar që ka kryer në Itali. “Ata fëmijë i adhuroj, pasi jo vetëm i mësoj të notojnë, por i laj, i vesh dhe zhvesh vetë, pasi më të vegjëlit janë vetëm 4– vjeç. Kur të krijoj familjen time mendoj se do të jem një nënë e mirë, pasi po e provoj veten me ‘tornadot’ e mi”, shprehet Rovena.
Jashtë ujit...
Garderoba e saj nuk i njeh fustanet. Veshjen e saj sportive nuk e lidh vetëm se ka zgjedhur një disiplinë të tillë, porse mbi të gjitha që e vogël ka qenë tip djali. T’i përmendësh fustanin, i vjen për të qeshur, pasi një të tillë mund t’ia shohësh veshur në raste aq të ralla, sa e ka ta vështirë t’i kalojë nëpërmend. Madje kujton se në një dasmë shkoi me pantallona të thjeshta dhe altlete. Megjithatë, në ato pak raste që ka veshur një të tillë, i ka pëlqyer tejmase ndryshimi nga e përditshmja, por për ta parë aq të “krekosur” duhet një eveniment i rëndësishëm. “Jam pa komplekse, dhe kur dua të drejtoj flokët e bëj rallë, nuk më pëlqen tualeti i rënduar. Po ju rrëfej se edhe veshjet mi blen mami, pasi nuk më pëlqen të bëj “shoping””, rrëfen Rovena. Përpos tipit “ujë dhe sapun”, ajo ruan edhe ndonjë pasion tjetër femëror e tejet sensual, siç është kërcimi. Lë kokën për kërcimet latine dhe disiplinat e dancit sportiv, por edhe këto pasione mbeten brenda dyerve të shtëpisë, pasi pabet dhe lokalet e natës nuk i frekuenton asnjëherë.
Federica Pellegrini,“vajza e artë” e 2010-ës
Notarja italiane Federica Pellegrini është ndër të paktat rekordmene në botë në garën e 400 metrave, stil i lirë. Javën e parë të marsit, ajo fitoi në Berlin garën e 800 metrave në stil të lirë. Jo më kot e konsiderojnë si “vajzën e artë” të sportit italian, pasi medaljet e arta dhe rekordet i ka arritur që në moshë të vogël dhe vijon t’i mbajë. 21-vjeçarja Pelegrini është e vetmja notare italiane, dhe një nga evropianet e pakta, e cila ka thyer rekordin botëror në më shumë se një disiplinë. Përpos sukseseve të njëpasnjëshme brenda ujit, nuk i ka munguar fama as jashtë tij, çka vetë notarja e ka kuptuar prej kohësh. Gjatësia e saj, që arrin 1.78 cm si dhe fiziku i lidhur ka frymëzuar shpesh stilistët më të njohur të modës, si Armani. Imazhet e saj, qoftë gjatë garave në pishina, por edhe ato që i përkasin jetës jashtë notit, janë ndër më të klikuarat në internet. Notarja italiane nuk heziton ta tregojë sharmin e saj, duke pozuar nudo për revistat italiane dhe ato ndërkombëtare. Në fillim të këtij viti, Pellegrini pati oferta për të qenë imazhi në kalendarin e 2010-ës. ‘Gojët e liga’ pohojnë se ajo mund të ketë një të ardhme të ndritur edhe në pornografi.