Xhirojnë film me armë, arrestohen 3 studentët
TIRANE – Tre studentë të Akademisë së Arteve, u ndaluan dje nga policia ndërsa po xhironin skena filmi të armatosur dje në afërsi të Presidencës. Pak minuta pas arrestimit të pengmarrësit Elton Sutermani policia është gjendur në një aksion tjetër, pas telefonatave nga kalimtarët në sallën operative. Një person i armatosur me pistoletë dhe thikë është parë të lëvizte në shoqërinë e dy të tjerëve disa herë në trotuarin “Abdyl Frashëri” ngjitur me Presidencën. Sapo kanë marrë njoftimin forcat të shumta policie kanë mbërritur në vendngjarje dhe brenda pak çastesh kanë neutralizuar dhe prangosur dy të rinjtë, të cilët janë befasuar nga aksioni policor. Pak momente më vonë policëve iu është bërë e ditur se tre të rinjtë ishin studentë të Akademisë së Arteve dhe se po bënin prova për xhirimin e një filmi dokumentar. Pas sqarimit të ngjarjes në polici tre studentët janë lënë të lirë pasi armët e tyre ishin edhe ato lodër. fa.ma.