E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hakmarrja, ekzekutohet në makinë shoferi i autobusit



Ekzekutohet për hakmarrje shoferi i autobusëve. Gëzim Alikaj, 52 vjeç u gjet i vrarë mbrëmjen e së premtes, përballë godinës së doganës. Pak metra larg një tuneli që shërben për kalimin e qytetarëve nga rruga kryesore për në brendësi të pallateve pranë urës së Zaranikës, kalimtarë të rastit kanë parë fytyrën e gjakosur të një burri, brenda në makinë. Menjëherë është lajmëruar policia e Elbasanit, e cila konstatoi se bëhej fjalë për Gëzim Alikajn, me profesion shofer dhe banues në lagjen “Dyl e Haxhire” në Elbasan. Ai punonte pranë një agjencie udhëtimesh duke udhëtuar shpesh jashtë Shqipërisë për qëllime turistike. Policia e Elbasanit pas këqyrjes së parë të kufomës pohoi se Alikaj ishte qëlluar me një plumb të vetëm në kokë brenda makinës së tij, tip “Benz” 250. Policia ka nisur hetimet për të gjetur autorin si dhe zbardhur rrethanat e pistat e këtij krimi. Menjëherë janë ngritur grupe kontrolli në të gjitha hyrjet dhe daljet e qytetit të Elbasanit dhe policia ka nisur të shoqërojë për në ambientet e saj të gjithë personat që mund të kishin lidhje me këtë ngjarje. Deri në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në komisariatin e policisë u shoqëruan më shumë se 50 persona, të cilët janë marrë në pyetje. Sipas policisë viktima Alikaj nuk ka qenë person me precedent penal dhe njihej si njëri i rregullt dhe pa probleme. Ai kishte qenë i divorcuar e pak muaj më parë ishte rimartuar. Pista e vetme që e ka orientuar grupin hetimor për të këmbëngulur mbi autorët dhe shkaqet ka qenë një krim i kryer prej të vëllait të tij. Burimet zyrtare të policisë komunikuan pasditen e djeshme për mediat se krimi ka ndodhur për motive hakmarrjeje. Bazuar mbi këtë pistë, policia e Elbasanit ka bërë të njohur emrat e 3 personave të dyshuar si autorë të ekzekutimit, duke i ndaluar ata. Sipas policisë, të dyshuarit janë: Ibrahim Caka, 31 vjeç, Elton Hyka, 30 vjeç si dhe Ardit Spahiut, 28 vjeç, që të tre banorë të Elbasanit. “Rreth 3 vite më parë në Spanjë, vëllai i viktimës, së bashku me një shtetas tjetër ekzekutuan një 25-vjeçar nga Elbasani, pas një grindjeje të momentit në një disko në Barcelonë”, pohojnë burimet e policisë. Sipas skemës së ngritur nga ana e policisë, 52-vjeçari Alikaj është qëlluar nga afër dy herë me pistoletë TT. Plumbi i parë e ka goditur në faqe për të depërtuar pas koke. Ndërkohë që plumbi i dytë s’e ka prekur Alikajn.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›